Hoxhaj viziton ish-burgun e Prishtinës: Në këto qeli synohej të shtypej vullneti i një populli për liri
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 14 shkurt, ka vizituar ish-burgun e Prishtinës, tani i shndërruar në muze.
Hoxhaj i shoqëruar nga ish të burgosurit Bajrush Xhemajli, Isak Shabani, Halil Selimi, Bislim Zogaj, Ilmi Ramadani e Emin Sallahu ka vizituar qelitë e korridoret e errëta të këtij objekti ku kanë vuajtur e përjetuar torturat më çnjerëzore mijëra atdhetarë e veprimtarë të çështjes kombëtare.
“Përjetova emocione të veçanta derisa me miqtë e mi, ish të burgosurit politikë të regjimit serb, Bajrush Xhemajlin, Isak Shabanin, Halil Selimin, Bislim Zogajn, Ilmi Ramadanin dhe Emin Sallahun ecëm nëpër korridoret e errëta e të ngushta të burgut të Prishtinës, tani i shndërruar në muze. Në këtë burg dhe në dhjetëra si ky, vuajtën torturat më çnjerëzore mijëra atdhetarë e veprimtarë të çështjes kombëtare.
Në mure dhe kudo në hapësirat e vogla të burgut janë akoma të freskëta imazhet e një regjimi vrasës e të aparteidit. Në këto qeli të frikshme synohej të shtypej vullneti i një populli për liri, të korruptohej mendja e tyre dhe të tjetërsohej ana njerëzore e kombëtare. Por, këtë nuk e arritën kurrë. Në fund ngadhënjeu e vërteta, atdhedashuria dhe idealet për një Kosovë të pavarur.
Prandaj, si kryeministër i ardhshëm, u zotova para këtyre heronjve të gjallë se angazhimi im dhe i PDK-së do të jetë kujdesi dhe mbështetja shtetërore për ta dhe familjet e tyre. Vetë PDK-ja është ngritur mbi themelet e këtij brezi atdhetarësh e idealistësh.
Por, njëkohësisht, PDK-ja është dëshmuar parti e hapur edhe për brezat e rinj dhe ekspertët e fushave të ndryshme. Prandaj, sot e ftoj secilin t’i bashkohet në këto zgjedhje familjes sonë të madhe politike”, ka thë shkruan ndër tjera kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj.