Hoxhaj: Zgjedhjet në PDK do të sjellin reformë të thellë

09 mars 2018 | 17:29

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se përmes zgjedhjeve të brendshme kjo parti synon të bëjë reforma të thella dhe ndryshime të mëdha.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se, pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor, i cili do të zgjasë për disa muaj, PDK-ja do të jetë forca më e rëndësishme e ndryshimit në vend.

Hoxhaj ka treguar se në vjeshtë pritet të mbahet Konventa Zgjedhore e PDK-së, në të cilën do të zgjedhet edhe lideri i partisë. Sipas tij, në këtë fazë ende nuk dihet nëse do të ketë një kandidat apo më shumë për të parin e PDK-së.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja dekadën e dytë të shtetndërtimit synon ta përmbyllë me sovranitet të plotë, me anëtarësim të Kosovës në OKB dhe në BE

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, javën e kaluar zyrtarisht keni bërë hapjen e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Cila do të jetë ecuria e këtij procesi zgjedhor?
Hoxhaj: Javën e kaluar Kryesia e PDK-së ka marrë vendime të cilat ofrojnë një vizion të ri, një përmbajtje të re, si dhe qëllime të reja politike sa i takon procesit të brendshëm zgjedhor. Kemi miratuar një plan të punës dhe plan kohor se kur do të duhej të mbahen zgjedhjet dhe në cilat nivele. Fillimisht do të kemi zgjedhje në nivel të Rinisë Demokratike dhe debati është se si të përfshihen gjeneratat e reja në PDK, dhe cilat do të duhej të ishin pritjet e PDK-së për rininë. Natyrisht ata që do të garojnë për pozitat udhëheqëse në Rininë Demokratike duhet të kenë platformë konkrete. Pastaj do të kemi një fokus se si do t’u qasemi degëve të PDK-së, kurse gjatë muajve të ardhshëm do të kemi zgjedhje edhe në nivel qendror, kur edhe do të mbahet Konventa Zgjedhore përmbyllëse, me ç’rast do të zgjedhet kryetari i PDK-së.

“Epoka e re”: Sipas kësaj dinamike, kur keni parashikuar se do të mbahet kjo konventë?
Hoxhaj: Nuk kemi vendosur sa i takon datës së saktë se kur do të mbahet Konventa Zgjedhore, por kemi një agjendë të saktë kohore se cili nivel dhe në cilën kohë do të duhej të mbahen zgjedhjet. Besoj se tek në vjeshtë mund ta kemi procesin përmbyllës zgjedhor. Por, tema kryesore është se çfarë duhet të ndryshojë në Partinë Demokratike të Kosovës. Qasja jonë është që PDK-ja të jetë e hapur dhe që hapja e saj të jetë e madhe. Ta bëjmë një reformë dhe reforma e PDK-së të jetë e thellë. Si t’i përfshijmë në strukturat e PDK-së të gjitha energjitë, njerëzit me shkathtësi, me dije dhe me merita që i kanë shërbyer vendit. PDK-ja në dekadën e parë të shtetësisë ka qenë forca qendrore e shtetndërtimit të vendit dhe në dekadën e dytë jemi të zotuar që ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës, me përmbyllje të sovranitetit të plotë, me anëtarësim të Kosovës në OKB dhe në BE. Përtej kësaj fokusi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i cilësisë së jetës. Qëllimi kryesor është që PDK-ja të hapë një kaptinë të re, e cila do ta bëjë PDK-në forcën më të rëndësishme të ndryshimit në vend sikurse që kemi dëshmuar edhe në të kaluarën.

“Epoka e re”: Çfarë ndryshimesh do të sjellë në PDK ky proces zgjedhor?
Hoxhaj: Sapo kemi hapur debatin dhe ky debat do të marrë përmbajtje të reja, impulse të reja dhe ide të reja politike. Në Partinë Demokratike të Kosovës asnjëherë beteja për pushtet nuk ka qenë qëllimi i vetëm. Ne jemi parti e cila betejën për ide dhe për prioritete politike e kemi pasur në rëndë të parë. Prandaj, viti 2018 do të jetë një vit i betejës për ide të reja politike në PDK. Idetë e reja politike kanë të bëjnë me njerëzit, me përgatitjet e tyre dhe me atë se si ata do t’i artikulojnë ato. Kosova është në një fazë të re pas dhjetë vjetësh pavarësi dhe në këtë fazë të re PDK-ja duhet ta ketë një mision dhe një vizion i cili i shpreh pritjet që i kanë qytetarët e Kosovës. Këto çështje ne do t’i diskutojmë në nivel të anëtarësisë sonë, në nivel të nëndegëve, degëve, me Rininë Demokratike, me Gruan Demokratike dhe në Kryesinë Qendrore të PDK-së, në mënyrë që pastaj të shohim se cila do të jetë PDK-ja në Konventën Zgjedhore kur edhe do të zgjedhet kryetari. Kur do të kemi realisht një PDK e cila do të ndryshojë shumë prej kësaj çfarë është tash. Reforma në PDK do të jetë e thellë dhe ndryshimi do të jetë i madh.

“Epoka e re”: Cilat janë pikat kryesore të cilat synoni t’i ndryshoni me anë të kësaj reforme?
Hoxhaj: Kosova është në një shpejtësi të re, prandaj kjo shpejtësi ka nevojë për energji të reja, për njerëz të rinj dhe ka nevojë për një gjeneratë të re në politikë. Në vazhdimësi PDK-ja ka pasur një filozofi politike që ka ndryshuar atë që është dashur si dhe ka ruajtur atë që ka qenë e nevojshme. Mirëpo se cili do të jetë ndryshimi, cila do të jetë përmasa e ndryshimit dhe çfarë nënkupton ndryshimi, nuk mund të them tani në fillim të një procesi zgjedhor. Por, i ftoj qytetarët e Kosovës, ata të cilët e kanë mbështetur PDK-në, ata të cilët PDK-në e kanë parë si parti të besimit, shpresës dhe optimizmit, ata të cilët e kanë votuar, si dhe ata që nuk e kanë votuar PDK-në, të bëhen pjesë e kësaj partie politike përmes pjesëmarrjes së tyre në jetën politike, përmes pjesëmarrjes së tyre në këtë proces zgjedhor për t’i bërë ndryshimet e duhura. Edhe në të kaluarën kemi bërë ndryshime të tilla kualitative, sikur kanë qenë ato gjatë viteve 2006-2007, kur PDK-ja pati vendosur ta reformojë veten dhe ta sigurojë fitoren e mirëfilltë. Natyrisht se kemi një qartësi të plotë politike, një mendim strategjik se çfarë duhet të ndryshojë PDK-ja, si dhe kemi një kornizë intelektuale politike e cila duhet të jetë boshti i këtij ndryshimi. Por se si do të duket më tutje ky ndryshim, do të varet shumë prej njerëzve të cilët do të jenë pjesë e procesit zgjedhor, prej atyre që do të zgjedhen dhe prej vetë procesit që do të jetë një betejë e brendshme sikurse për çdo subjekt tjetër politik.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, ndonëse është herët dhe jeni në fillim të procesit zgjedhor, a pritet të ketë më shumë se një kandidat për kryetar të partisë?
Hoxhaj: PDK-ja është e hapur për pozitën e kryetarit, që do të thotë se mund të garojë kushdo që ia merr mendja se mund ta fitojë mbështetjen e anëtarësisë dhe të strukturave udhëheqëse të PDK-së. Edhe në të kaluarën PDK-ja ka qenë e hapur dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Tani është herët të flitet për kandidatura të mundshme meqë jemi në fillim të procesit zgjedhor. Aktualisht jemi duke u angazhuar që të bisedojmë me degët dhe nëndegët në mënyrë që të shohim se cilat janë ndryshimet që duhen bërë dhe çfarë pret elektorati prej PDK-së si një forcë e mirëfilltë politike në vend.

“Epoka e re”: Mirëpo as në kohën e z. Thaçi e as në kohën e z. Veseli nuk ka pasur kundërkandidat për të parin e partisë. Do të ndodhë sërish që Veseli të mos sfidohet nga askush për postin e kryetarit të PDK-së?
Hoxhaj: Është shumë herët të flitet për këtë çështje, sepse jemi në fillim të procesit zgjedhor i cili do të marrë disa muaj kohë. Në këtë fazë nuk mund të dihet se kush do të jetë kandidat për kryetar të partisë. Po ashtu, nuk mund të dihet nëse do të ketë një kandidat apo më shumë kandidatë.

“Epoka e re”: Zëvendëskryetar, vitet e fundit jemi mësuar ta shohim PDK-në si prijëse të proceseve dhe si drejtuese kryesore të vendit. Në koalicionin aktual prania e PDK-së po duket të jetë e zbehur. Jeni të kënaqur me rolin që keni në këtë koalicion dhe funksionimin e tij në përgjithësi?
Hoxhaj: Ne kemi bërë marrëveshje për ta mbështetur z. Haradinaj që ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës dhe PDK-ja është subjekt politik shumë serioz dhe i respekton marrëveshjet. Për PDK-në nuk është me rëndësi pushteti dhe pjesëmarrja me çdo kusht në pushtet sa është me rëndësi përmbyllja e disa proceseve të cilat kanë filluar me PDK-në. Ky koalicion ka për detyrë të marrë disa vendime të mëdha dhe një prej këtyre vendimeve të mëdha është edhe çështja e ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, edhe çështja e përmbushjes së një pritje të kahershme që qytetarët të udhëtojnë pa viza në vendet e Evropës. Po ashtu, sikurse që është edhe përfundimi i disa temave që janë të rëndësishme në aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm, qoftë formimi i ushtrisë, qoftë anëtarësimi i Kosovës në OKB me përmbylljen e dialogut me Serbinë. Përtej kësaj, ne mendojmë se prioritet kryesor i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. PDK-ja edhe në koalicionin qeverisës aktual është duke dhënë kontributin e saj të mirëfilltë. Performanca e zyrtarëve të saj deri më tani ka qenë e mirë. Mirëpo përtej asaj se çfarë bën Qeveria, ne kemi disa tema të cilat janë të karakterit nacional dhe ato duhet të përmbyllen në Kuvend, ku kërkohet mbështetje edhe e partive në opozitë. Në këtë drejtim roli i PDK-së ka qenë dhe është i pazëvendësueshëm. PDK-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë urë e konsensusit politik në mes të partive në pushtet dhe atyre në opozitë.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit,…