Hoxhaj: Zgjedhjet nuk janë prioritet për Kosovën këtë vit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se koalicioni qeverisës është duke bërë punë të mirë sa i takon marrjes së disa vendimeve të rëndësishme.
Hoxhaj ka thënë për “Epokën e re” se koalicioni qeverisës ka stabilitet.
“Koalicioni qeverisës ka bërë punë të mirë sa i takon marrjes së disa vendimeve të rëndësishme. Ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, edhe me mbështetjen e opozitës për ushtrinë, është një e arritur e këtij koalicioni sikurse që ka qenë edhe çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Natyrisht se kemi qenë të përkushtuar edhe ndaj temave të tjera dhe marrë në tërësi, ka stabilitet dhe po i bëjmë punët që na takojnë. Kësaj qeverie i mungon mbështetja në Kuvendin e Kosovës dhe në të ardhmen dëshiroj të ketë situata, ku mbështetja parlamentare duhet të shihet si prioritet i çdo partie politike, pavarësisht se kush do të jetë në qeveri”, ka thënë Hoxhaj, i cili është edhe zëvendëskryetari i PDK-së.
Hoxhaj ka përjashtuar mundësinë që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Në vitin 2019 Kosovën e presin procese më të mëdha. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, por nuk po e lexojnë situatën drejt. Nëse shtatë vendet më të fuqishme në botë mblidhen, diskutojnë dhe presin nga Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje obligative ligjore, ne në Kosovë nuk duhet humbim kohë me temat e brendshme. Zgjedhjet nuk janë prioritet për Kosovën në vitin 2019”, ka thënë ai.