Apeli ia ul dënimin Darko Tasiqit për krime lufte, nga 22 vjet, në 11
Gjykata e Apelit ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i dënuar për krime lufte, nga 22 vjet në 11.
Në një deklaratë për medie, Gjykata e Apelit, ka theksuar se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq.
“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’ nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj”.
“I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Sapo të jetë i gatshëm, aktgjykimi do t’iu dërgohet palëve sipas procedurave të parapara me ligj dhe do të publikohet i edituar në faqen zyrtare të gjykatës”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.
Familjarët e viktimave të luftës kishin protestuar për dënim të ulët ndaj Tasiq edhe kur ai ishte dënuar me 22 vjet burgim.