“Aroma e hënës”, shfaqje përplot gjykime

17 nëntor 2021 | 00:07

Berat Armagedoni

 

Trilogjinë  e dramave “Hëna prej letre” të autorit Mehmet Kraja e kam lexuar në dorëshkrim. Pas leximit, e kam botuar, me përkrahjen financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Qysh në fillim isha i interesuar ta shihja sa më parë në skenë dramën “Aroma e hënës”, premiera e së cilës u dha sonte në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Meqë brumin e dramës të autorit e njihja që disa muaj, vajta në teatër ta shihja gatimin e regjisores dhe rolet e aktorëve.

Regjisorja Rozi Kostani kishte përgatitur një shfaqje të bukur, atraktive, asnjë çast monotone. Në pesë minutat e para, në heshtje, me një muzikë në sfond, na njofton me pamjen e shfaqjes, me orenditë, ngadalë dhe me radhë me personazhet, me karakteret, me detyrat e tyre dhe me temat dhe motivet e dramës. Angazhimin e autorit të dramës, protestën e tij të pas luftës, bërë vazhdimisht në media dhe në libra, regjisorja e kishte ruajtur, e kishte shtuar dhe i kishte kushtuar rëndësi të madhe në gjithë shfaqjen. Gjendjen politike e kishte bërë po aq kritike sa është në dramë.

Një deklaratë, të cilën ma kërkuan mediat në hollin e teatrit për shfaqjen, po e jap tash:

“Aroma e hënës”, edhe pse është thënë se është dramë surrealiste, më shumë është dramë realiste. Në anën e majtë të skenës, në dy-tre monitorë të televizorëve, përkujtohen lufta, liria, barbaria serbe bërë shqiptarëve, miqtë e çlirimit, sidomos çmimi i lirisë dhe angazhimi për paqe; në anën e djathtë të skenës, në një monitor të televizorit e në televizionin publik të Kosovës, një politikan, dikur komandant lufte, “flet” për territorin e Kosovës, për demarkacionin, i cili, më shumë se rrallëkush tjetër, e di çmimin e lirisë e të paqes për të cilën është angazhuar, e cila harrohet edhe prej tij dhe prej sojit të tij. Prandaj, bëhet përpjekje që atyre dhe të tjerëve, edhe publikut dhe gjithë kombit, t’i bëhet me dije se çfarë përjetuam në luftë dhe çfarë po përjetojmë pas luftës. Shtrohen dhjetëra pyetje e dilema si mund ta harrojmë luftën kaq lehtë dhe kaq shpejt kur për lirinë është derdhur shumë gjak, janë kryer dhjetëra masakra, janë kryera mijëra dhunime, janë djegur dhjetëra mijëra shtëpi etj.

Më tutje, në shfaqje vërehet angazhimi i autorit për ballafaqim të njerëzve, të karaktereve të tyre dhe të punës që kanë bërë para, gjatë dhe që bëjnë pas luftës. Nëpërmjet karaktereve të tyre autori grith dhe u mëshon atyre mediave që kanë qenë të luhatura politikisht ndër vite, që më shumë i kanë bërë dëm vendit dhe ushtrisë çlirimtare sesa u kanë bërë mirë dhe u kanë dhënë ndihmë. Pothuajse secili personazh, ani pse janë kolegë të një mediumi, përpiqen t’ia ngulin njëri-tjetrit, ta spiunojnë njëri-tjetrin, të përfitojnë për interesa personale duke shpërfillur kombin, luftën, lirinë, demokracinë dhe të shtrojnë pyetje, nëse tash pas luftës, ia vlen të jetohet në Kosovë i cili, më shumë se asgjë tjetër, është vend i mirë vetëm për t’u varur dhe për t’u çmendur! S’është vend për asgjë tjetër sepse ata që e udhëheqin s’kanë lënë gjë të keqe pa bërë. Këto dilema i ka secili prej personazheve të shfaqjes. Disa përjetojnë ankth, disa shantazh, disa dhunë, disa tradhti, disa sëmundje, disa paralizë, disa papërkujdesje. Asnjëri prej tyre siguri. Këtë përplasje ndodhish, brenda situatave që përjetojnë, s’e përballojnë të gjithë shëndosh e mirë. Pra, dramaciteti në shfaqje ka njëtrajtshmëri që nga fillimi e deri në fund. I gjithë teksti është kritik. Përcillet me reagime për tema sociale, mediale, kombëtare…

Hëna e plotë, në fund të skenës, teksa dramaciteti në shfaqje theksohet, zvogëlohet derisa mbetet gjysmëhënë dhe derisa personazhet bëhen për spital dhe fillon kërcënimi i çlirimtarëve ndaj drejtorëve të mediave dhe gazetarëve për zhdukjen e dosjeve të luftës dhe, gjatë këtij sinkronizimi, nga e hëna  e plotë në gjysmëhënë, përfundon drama me varjen e protagonistit të shfaqjes, drejtorit të gazetës, i cili, në prag të falimentimit të biznesit dhe të ndarjes nga gruaja dhe djali, zgjedh varjen meqë nuk ka zgjidhje tjetër. As të tjerët, ani pse e vazhdojnë jetën, nuk kanë qetësi në shpirt dhe mendje. Pasiguri, plot. Një e ardhme si e tij i pret edhe këta.

Për fund, edhe një herë duhet përkujtuar se, edhe pse nga Teatri Kombëtar i Kosovës është thënë se “shfaqja merr përsipër teatrin e angazhuar, teatrin e fjalës (me të gjitha ngjyrimet e saj) dhe jo të spektaklit, të kryejë mision dhe jo argëtim”, shfaqja ishte, ndër të tjera, edhe argëtuese. Të tillë e bënin sharjet dhe veprimet e personazheve, kurse tërheqëse dhe interaktive rolet e personazheve në mesin e publikut, me realizimin e “anketës” “çfarë mendoni për ndarjen e Kosovës”, një pyetje që vazhdon të bëhet edhe sot e të mbetet pa përgjigje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Marrë nga ‘Facebook’ i Hajdin Abazit) 16 NËNTORI 1979 MË…