ShShShA, kisha simbolike ku rrëfehen shkrimtarët e përtej Atlantikut

22 dhjetor 2021 | 11:43

Dr. Yllka Filipi

Unë nuk mund të ndihem ndryshe nga populli të cilit i përkas / Rexhep Qosja

Në tokën e premtuar, si sot këtu e 20 vjet më parë, përmes mallit dhe brengës për atdheun e lënë pas, u shpalos si një alternativë e paracaktuar, me vullnetin e lirë për të ruajtur, pasuruar dhe transmetuar ndër breza historinë, artin dhe kulturën, në një kuvend të vogël krijuesish që vetëshkëmbenin shkrime, skica e pamflete me adhurimin e thellë deri në skllavëri për artin dhe letërsinë dhe ndriçuan kështu gjurmët e të parëve Noli e Konica, Petër Prifti, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri e të tjerë. Aureola pështjelluese shpërndau tymnajën e largësive dhe e përthithi atdheun në zemër duke shpërndarë e mikluar kudo në tempullin e shenjtë të krijimit mbushur me forcë, energjinë që mbushte në epiqendrën potenciale të ekzistencës dhe vetëm me një ashkël të vogël druri u ndez zjarrin që digjet me vrull tashmë për dy dekada, gjë e cila shenjoi kështu rikthimin në rrjedhën e strukturës cerebrale të ekzistencës së kujtesës historike.

Këta nismëtarë u bënë ushtarët më të guximshëm dhe të besuar të letrave duke ndjekur udhëzimet e të vetmit orakull profetik, armatosur me muzën në shpirt e atdheun në zemër, thirrën koherencën e brendshme të ideve si kuvendim me urtësinë dhe ligjet e pashmangshme të evolucionit shpirtëror drejt lirisë absolute krijuese në tentacionet për të besuar se vargu dhe pena kanë zbritur nga Lart, I morën domosdoshmërisht të mirëqena dhe rrënjosën thellë në ketë tempull idenë se zbritja në terrenin letrar edhe pse nuk do të ishte aq e kollajshme ne tokën e huaj, padiskutim kurrë nuk do të mbetej thjesht një tentacion i krisur, por do të bëhej një ëndërr e prekshme shumë shpejt. Me idealin e lartë për të krijuar një bërthamë solide strukturore ku veprat e shkruara të gjenin strehë, i premtuan në heshtje atdheut shelbimin më të thellë për kurimin e plagëve.

Sot, kur e gjithë bota lëngon në dekadën ku hapën siparin dyert e rënda të pandemisë, kjo minorancë, ky grup kaq i ngushtë krijuesish që ekzaltohen nga dashuria për artin dhe letërsinë, ekzekutojnë marshin e melodisë më të zgjedhur të muzikës së shpirtit, duke i depërtuar substancës krijuese deri në gjenezë e përçuar denjësisht më tej antikapitujt e plotë përkundër errësirës, lëngatës, luftës biologjike dhe vdekjes që mbjell shkatërrimin e ngrehinës njerëzore si asht e frymë e patjetërsueshme, për ta transmetuar diku në përtejjetë.

Në saje të studimeve dhe refleksioneve shumë të kujdesshme për vite e vite me radhë, më imazhin e tronditur të atdheut që mallon deri në dhimbje, krijuesit e përtej Atlantikut e mprehën nuhatjen për të rigjetur thelbin e munguar të aromës së tokës mëmë duke gërmuar thellë e zbërthyer dualitetin misterioz të së vërtetës së pashmangshme e cila të çon në imperativin e dashurisë për njerëzimin mbarë dhe distancave kilometrike edhe pse brenda të njëjtit qiell. Ky vëzhgim parësor lindi nevojën për rolin primar të përhapjes së këtij autoriteti racionalisht me kahe të dyanshme si një rikthim në harmoninë e universit.

Muzat e dërguara nga qiejt vulosin përfundimisht një shenjësi të pashlyeshme thellë kontureve të prozës apo poezisë duke i dhënë pushtet shpirtit krijues në Tokën e Bekuar të Mbretërisë së Fjalëve. Shkrimi si proces do të konsiderohet kështu një sakrament po aq i rëndësishëm sa pagëzimi I trupit me frymën e shenjtë.

Akti tepër kompleks i krijimit, në rrugëtimin e gjatë, përpara se të vuloset në libër prej nga nënkuptohet një jetë tërësisht e re jashtë përvetime dhe aureolës pritëse të shkrimtarit, strehohet në tempullin shpirtëror prej nga lënda grumbullohet dhe rrjedh në forma e trajta nga më të larmishmet, tejet ekzaltuese dhe të çuditshme për shkrimtarin. Këta fëmijë misteriozë rriten e lindin thellë shpirtit krijues, strehohen në dimensione të pacaktuara kohore, disa flenë tejet gjatë dhe të tjerë mezi presin të shohin dritën shpejt në figura të shumëllojshme e të larmishme kumtesh a shenjash që rrokshëm transmetojnë nëpërmjet energjisë diellore të autorit, jetën në të gjitha abstraksionet e natyrshme të saj.

Njësoj si shpirti që pasi pagëzohet nën kalvarin e tri-sakramenteve edhe autori po njësoj ndihet i çliruar e i etur për zbulimin që ofron toka e lirë e horizontit të pritjes ndër dekodifikimin ndërshenjor të mesazheve që ai transmeton. Më pas i krezmuar si nga qielli autori mbështillet me një aureolë drite të padukshme tek përcjell verbin, pra shërimin më fjalë, me anë të këtyre shenjave.

Thërrmijëzimi i shumëngjyrshëm shpirtëror depërton më tej tek gjithkush që arrin të ndriçohet nga drita e shpërndarë prej verbit, nga hiri shenjtërues i fjalëve që rrjedhin në vorbullën e trazuar të ekzistencës. Lypsen këto nevoja për të konturuar amzën e veprës – foshnjë të porsadalë nga famullitari i netëve të shenjta si nga një meshë Pashkësh ku shenjtërohet dhe ringjallet vepra.

Kështu u mblodhën këta luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të paepur të trashëgimisë kulturore letrare për të përcjellë uratën ndër breza me vajin e shenjtë që mbarështon sakramentin në tempullin e fjalës artistike ndër breza. Ky grup krijuesish që rritet e zgjerohet me prurje e talente të reja jep gamën e gjerë të veprave për shelbimin e madhërishëm tejkohor përkundër akrepave të fillimshekullit të trazuar që kërkon shërimin e plagëve nëpërmjet forcës dhe besueshmërisë në këto flakada drite.

Kjo kishë simbolike jo vetëm që shelbon përtëritjen shpirtërore të procesit krijues, por zgjeron kraharorin me frymëmarrjen me të pastër të pajtimit me vetveten. Si mëkatarë i jemi borxhlinj vetvetes duke e rënduar me frymë të tepërta, ndërsa si krijues jemi falënderues se ky pajtim me vetveten është donacioni më i lartë në marrëdhënien letrare krijues-receptues me një ideal të përbashkët për t’u mbajtur, veprën, pendestaren më të pastër e të sinqertë në mbretërinë e letrave e cila i rrëfehet perëndisë së krijimit dhe i lutet për faljen e trefishtë duke i dhuruar dashuri, bekim dhe ekzistencë horizontit të pritjes, pra njeriut të vdekshëm. Kur autori përfundon së shkruari një vepër atëherë një pjesë e tij vdes dhe mbyllet përfundimisht nëpër faqet ku mbretërojnë shkronjat në tempullin e krijimit. Menjëherë pas këtij inspiracioni simbolik, vjen rilindja drejt kthimit të përkohshëm tek ribërja me kah të mirën.

Një atdhe të vogël e kemi këtu, tek kjo kishë simbolike ku rrëfehemi e lutemi për paqe dhe dashuri njerëzore. Edhe më të madh e kemi në zemër. Këto kinda fibroze vargjesh tërheqin vagonët e rëndë të mallit jo kah zbrazëtia në mërgim, por kah rezonanca me vetveten dhe universin në tredimensionimet e kohës e përtej. E murrmja e qiellit në një tokë të premtuar shpërndahet në gjithësi, sapo bëhen bashkë qindra e mijëra krijues nga të gjitha shtetet. Si urë lidhëse mes shpirtit dhe misionit në lartësimin më të mundshëm njerëzor qartësohet kështu hiri shelbues i shkrimit për të shpërndarë dritë nga ky qoshk – momentum kundrejt errësirës globale, si një qiri i ndezur e mijëra të tjerë të dalë pikërisht nga dyert e kësaj kishe simbolike ku rrëfehen shkrimtarët.

Në këto kohëra të trazuara të njerëzimit thirren e vijnë në ndihmë edhe poetët dhe ky angazhim formulëzohet e bëhet himn poliglotik që ngre peshë çdo zemër të brengosur, çdo ngërç në perceptimin universal të atdheut e më gjerë, si struktura më e brishtë e cila kërkon vazhdimisht çimentim të truallit të të parëve përtej parametrave gjeometrikë, ringritjen e mureve pas tërmeteve dhe furtunave pa drejtim e pakohë, si edhe arkitekturimin e një kupole poligonale mbrojtëse në formën e kornizës stropile si edhe këndit të prerjes së shpateve, konkut, a driperit të kornizave së çatisë që srehon krijuesit në çdo lokacion lidhjeje signi-fiktive që mbron përpjekjet për këtë strukturë të civilizuar gjeometrikisht në kulmin piramidal dhe këndet e shpateve, ndaj do të na e kishte ënda të ishte një kupolë e përjetshme, si rezonancë me vetveten dhe shelbim ndaj atdheut.

Kushtet klimatike të terrenit letrar ku ndodhemi, projeksioni i mauerlave eksperimentale hidroizoluese, pra kornizave të drunjta solide që shpërndajnë ngarkesën e përçimit të mesazhit, si një urdhër kontrollues prej Muzave nga lart në misionin më human, dashurinë për njeriun, shërimin me fjalën artistike, me shenjëzime të heshtura dhe fuqiplote të verbit letrar. Ky tel violinik që po dridhet nuk vajton më ikjen, por ka gjetur forcën t’i këndojë shërimit, guximit latent për të shëruar, me besimin e patundur se shkalla e kompleksitetit të dhimbjes globale sot mund të zvogëlohet nga ambasadorët e heshtur të fjalës së shkruar që depërtojnë në çdo nyjë të pjesëve të kësaj strukture gjigande, si një brigadë ndërtuesish e armatosur me përgjegjësinë e plazmimit e ringjalljes së çdo qelize gjeometrikisht të brishtë.

Kjo kishëz e ngrohtë na fton në meshën e shenjtë të të dielave të mëdha për t’u rrëfyer, për të shëruar shpirtin tonë fillimisht dhe më pas e gjithë energjia e çliruar nga ky proces do të ngrihet lart e më lart për të shëruar universin.

Komplekse si arkitekturë, kjo ngrehë e shënjtë nuk është thjesht një model elementar i praktikuar, por rruzull drite i padukshëm i shpërpërndarë vertikalisht drejt misionit fisnik e human që bën më të lehtë për t’u arrirë e mbi të gjitha për t’u ndjerë si një shtrëngim i porsashuar përqafimi që tërheq ardhmëri dhe inteligjencë. Ka kriza ideologjish-thotë Ernesto Sabato,- por asnjëherë nuk ka për të pasur kriza idealesh.

Në përputhje me specifikat teknologjike ky mision sot është sistemi më solid në ditëlindjen e tij të 20-ë dhe për shkak të dimensioneve dhe gjerësisë së madhe për planifikimin e hapësirës së brendshme mesazhdërguese, i nevojiten këto pika shtesë. Një çati e dyfishtë shprese që jo vetëm do të mbrojë aureolën e shenjtërisë së rrëfimit e kurimit brenda kësaj kishëze simbolike, por bazuar mbi perimetrin e jashtëzakonshëm të kornizave shpirtërore dhe distancave gjeografikisht të thyeshme sot, të tejkalojë dimensionet lineare të horizontit të pritjes.

Është jashtëzakonisht e dëshirueshme që lexuesi në spektrin e ngarkesave katarsike, në çdo pikë instalimi të kumtit artistik, qoftë edhe në një kornizë të vetme të zhdrejtë, të ndjejë se zejtarët e zellshëm folklorikë që latojnë sot fjalën, nuk do ta braktisin kurrë truallin e të parëve edhe pse në një tokë tejet mikpritëse ku bordet e pjerrëta montuar në mënyrën më arbitrare në atdheun mëmë, magjishëm zhduken brigjeve të Atlantikut çdo buzëmbrëmje kur Muzat zbresin.

Duarshtrëngimi është i vetmi avantazh ku skemat e varura të krijuesit të lirë nuk krijojnë ndarje midis hapësirave rrënjësore dhe kulmit të dyfishtë mbushur me oksigjen, për ndërtimin e ontologjisë strukturore përkundër çdo force tensioni që shuhet spontanisht në sajë të ndërhyjrjes së vektorëve fuqiplotë të qasjes drejt verbit letrar që shtyn krijuesin kah imazheve të dritës së përcjellë nga kujtesa historike, për t’u shënuar si një tërheqje tejet e veçantë dhe origjinale në pluralitetin e ideve përcjellëse, siç na thërrasin zërat mitikë të të parëve, heronjtë e heshtur të penës.

Aksi i komponetëve të kombinuar të sistemit të fjalës në pezullin e pandërprerë të peshës që lufton kundër forcës së rëndesës në këtë tempull, nga ku projeksioni i gamës së veprave të shkruara në këtë bashkësi është natyrshëm i lirë të bjerë në boshtin qendror të stabilitetit kryeneç të prozës dhe poezisë postmoderne, ku poetët rënkojnë me gjysmë zemre në qiell e gjysmën tjetër në tokë. Ky drithërim simbolik i alter egos sjell pranë sfidën e kohës universale që ripërsëritet dhe gëlon në fillikatinë tronditëse të globit sot, duke përforcuar rëndësinë historike, mikluar vetëdijen kombëtare si autenticitet i pandërprerë përpjekjesh, deri në fikën finale, përtej ndjeshmërisë së mençurisë së legjendave dhe dhimbjes së disidencës në izolacionet vdekjeprurëse e degdisjet në ekzil, me lumturinë e vetme se po tentojmë të hyjmë si bamirës në atdheun e shpirtit, në tokën mëmë duke marrë guximin të ëndërrojmë përsëri, në çdo moshë, në çdo përvjetor. Shkrimtari njësoj si personazhi konician ndien në zemër një shtrëngim si të një njeriu që mbyll një pjesë të librit të jetës së tij dhe hap një pjesë të re ku s’di se ç’ka për të shkruar dora e fshehtë e Fatit.*

Ky bekim, kjo sprovë monumentale, i rrit dimensionet e pritjes e na mbledh në këtë strehë duke kujtuar tek gjithsecili detyrën kryesore funksionale të çdo krijuesi për të ecur mbi gjurmët e të parëve Nolit e Konicës, Arshi Pipës e Petër Priftit, Bilal Xhaferrit etj., për të përtërirë fuqinë ngushëlluese e forcëdhënëse të fjalës në ambiguitetin jashtëzakonisht kompleks që gama e saj mbart, larg ankthit dhe vdekjes genocidike a mikrobiologjike, si substancialiteti i një urdhërese biblike nga lart drejt transhendencës dhe shugurimit artistik në këtë manifestim dinjitoz identifikimi vlerash me të vetmen ëndërr: arritjen e lexuesit – pra shërimin.

Kush punon për atdhe –shprehet Ovidi- kryen një vepër të nderuar e të shenjtë.

Të jemi falënderues ZOT që na mblodhe!

 

New York, 12 dhjetor 2021

 

______________________________

* Faik Konica, Dr. Gjilpëra, Dija, Prishtinë, 2014, f. 23.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada amerikane në Prishtinë ka uruar regjisoren Blerta Bashollin dhe…