Rrahje në parlament
Kaosi shpërtheu në Parlamentin e Jordanisë të martën, pasi ligjvënësit goditën njëri-tjetrin pas një diskutimi rreth një amendamenti kushtetues që do t’u ofronte të drejta më të mëdha grave. Video e ngjarjes tregon një pjesë të vogël të ligjvënësve duke u përleshur dhe duke kërcënuar e fyer njëri-tjetrin.
Përleshja shpërtheu midis ligjvënësve konservatorë Hassan Riati dhe Shadi Udwan pasi u shkëmbyen fyerje dhe u bënë komente, sipas një burimi që pa ngjarjet. Grindjet u shpalosën ndërsa ligjvënësit po përgatiteshin të debatonin për një ndryshim të kushtetutës për t’iu drejtuar qytetarëve jordanezë si në atë femërore ashtu edhe në atë mashkullore.
Gratë jordaneze aktualisht gëzojnë të drejta të barabarta për kujdes shëndetësor, arsim, pjesëmarrje politike dhe punësim, por nuk u ofrohen të njëjtat të drejta kur bëhet fjalë për kombësinë dhe shtetësinë si burrat. Për shembull, gratë nuk mund t’ua kalojnë kombësinë e tyre fëmijëve ose bashkëshortëve, por burrat munden, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Amendamenti i propozuar, pjesë e një sërë ndryshimesh të mbështetura nga Mbreti Abdullah II që synojnë modernizimin e Jordanisë, u prit me kundërshtim të ashpër nga parlamentarët konservatorë të cilët e shohin ndryshimin me përbuzje. Një nga ata parlamentarë, Mohammad Al Fayez, tha se ndryshimet e propozuara ishin përfundimisht “kundër moralit dhe amësisë”.
Procedurat parlamentare u ndaluan pasi disa ligjvënës filluan të bërtasin ndaj Abdulmunim Oddat, i cili po përpiqej të mbronte amendamentin duke argumentuar se ai nuk shton dispozita të reja në kushtetutë dhe kishte për qëllim vetëm të krijonte “barazi gjuhësore”.
Barazia gjinore është një temë e diskutueshme midis konservatorëve socialë në Jordani, të cilët kanë rezistuar prej kohësh ndaj dhënies së të drejtave të barabarta për gratë.