Adem Gashit i jepet çmimi për vepër jetësore, “Armagedoni” thotë se s’do ta propozojë më

28 shkurt 2022 | 15:10

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka organizuar sot ceremoninë për laureatët e çmimeve vjetore në fushën e letërsisë. Me këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dhënë Adem Gashit Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, ndërsa Çmimin për Veprën më të Mirë në Prozë “Anton Pashku” Mehmet Krajës për romanin “Liria ime”. Çmimi për Veprën më të Mirë në Poezi “Ali Podrimja” i është dhënë poetit Xhevdet Bajrajt për librin “Burri që lozte me engjëjt”; Çmimi për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë “Ibrahim Rugova” Blerina Rogova-Gaxhës për studimin “Vdekja në letërsinë moderne shqipe”; Çmimi për Veprën më të Mirë të Përkthyer në Gjuhën Shqipe “Pjetër Bogdani” përkthyesit Col Mehmetaj për përkthimin e veprës “Meditime” të Mark Aurelit; Çmimi për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe të Rinj “Vehbi Kikaj” shkrimtarit Shaip Grabovci për dramën për fëmijë “Zëra nga vitrina”, raporton gazeta “Epoka e re”.

Për çmimet e sivjetme të MKRS-së ka shkruar, në llogarinë e vet në “Facebook”, drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Armagedoni, i cili ka thënë se propozimeve të kësaj shtëpie botuese i është hëngër haku pak. Gjithashtu, ai ka bërë me dije se, pasi që tash Adem Gashi ka marrë çmimin për vepër jetësore, nuk do ta propozojë asnjëherë tjetër për çmimet vjetore të MKRS-së nëfushën e letërsisë. Më poshtë shkrimi i tij:

Për çmimet e sivjetme të MKRS-së kam propozuar vepra dhe libra në të gjitha llojet e krijimtarisë letrare. Sipas bindjes sime, shkrimtarët e “Armagedonit” kanë qenë më të mirët por, siç dihet, jo të gjitha çmimet shkojnë për më të mirët. Prej pesë çmimeve, i morëm dy. E morëm çmimin kryesor për vepër jetësore për shkrimtarin Adem Gashi, e morëm edhe çmimin për veprën më të mirë poetike për shkrimtarin Xhevdet Bajraj. Do të duhej t’i jepej çmimi për përkthim edhe Fadil Bajrajt, që ka përkthyer në gjuhën shqipe, nga gjuha e origjinalit, një vepër letrare (libër me poezi) e jo një vepër filozofike që është përkthyer nga gjuha angleze dhe është botuar që disa herë.

Hakun na keni hëngër pak, por na keni motivuar të punojmë edhe më shumë, pak edhe për inat!

Shëndet të mirë të gjithëve!

Tash që Adem Gashi ka marrë çmimin për vepër jetësore, edhe po t’i ketë jetë edhe njëqind vjet, edhe po t’i shkruajë edhe njëqind libra dhe t’i botojë ato me shtëpinë botuese “Armagedoni”, është hera e fundit që e propozoj për çmimet vjetore të MKRS-së. Nëse ka lakmi të marrë edhe më tutje çmime të MKRS-së, që nga sot ai duhet të gjejë një botues tjetër sepse, u mor vesh tashmë, unë nuk e propozoj më për asnjë çmim. Ky e arriti tavanin e çmimeve që jepen në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e bashkuara të Amerikës (ShBA) këtë të hënë kanë…