Mungesa e UÇK-së nuk do të mund ta sillte pavarësinë

21 mars 2022 | 11:22

Prof. asoc. dr. Ardit Bido

Drejtor i DPA-së

 

Këtë konferencë do ta përmbyll duke falënderuar, në radhë të parë, të gjithë ata të cilët sot janë studiues, por dje nuk kanë qenë studiues, kanë qenë në ballë të betejave për të cilat ne flasim, dhe sot vijojnë me një veshje të re, tashmë me një xhaketë të re, që të na gëzojnë edhe në mënyrën se si ne duhet të trajtojmë të shkuarën, por jo për efekt të së shkuarës. Të shkuarën nuk e trajtojmë për thashetheme, për të diskutuar, për shkencë të thatë. E trajtojmë si një standard moral për të parë të ardhmen, dhe besoj se kjo konferencë ia arriti këtij qëllimi.

Dua ta nis duke falënderuar në radhë të parë bashkorganizatorët, Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që në fakt, janë organizatorët realë, sepse gjithmonë ndodh që kur ka bashkëpunime në qytete të ndryshme, ai që është mikpritësi e ka barrën totale të organizimit, kështu që falënderoj shumë për këtë konferencë e cila, siç tha edhe miku im Bedriu, nisma ishte e ndërlidhur, ishte e konceptuar dhe e ndërlidhur me një deklaratë të cilën institucionet akademike dhe kulturore e bënë në një moment shumë të rëndësishëm të historisë sonë bashkëkohore, që ishte ngritja e akuzës ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që ndodhen në Hagë.

Dhe këtu dua të veçoj rolin e Bedriut, veçanërisht, i cili ishte jo thjesht nismëtar, po edhe një nxitës i fuqishëm në këtë drejtim. Na mori para dhe me të drejtë arriti të dyja këto momente, si atë deklaratën e nëntorit 2020, si dhe organizimin e kësaj konference, së bashku me drejtues të tjerë të rëndësishëm institucionalë, ku dua të veçoj idenë e hedhur nga Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, për ta kthyer në një tribunë akademike këtë nismë që ka një qëllim të qartë për të parë të ardhmen duke analizuar të shkuarën. Prandaj, do ta falënderoj Institutin e Albanologjik të Prishtinës, Akademinë e Shkencave, muzetë e dy vendeve, mikun Dorian Koçi, ndodhet këtu, veçanërisht Bedriun i cili ishte nismëtari.

Gjatë kësaj konference, pas referatit interesant, përmbledhëse, që në krye të herës Bedri Zyberaj na tregoi tri etapat e zhvillimit të UÇK-së, patëm fatin që të dëgjonim ne dëshmitarë okularë, si dëshminë e tij dhe një analizë të ftohtë të prof. dr. Paskal Milos mbi mënyrën se si rrodhën ngjarjet në momentin krucial pak përpara dhe gjatë Konferencës së Rambujesë, pa të cilën pastaj historia nuk do të rridhte, padyshim.

Akademik Pëllumb Xhufim në kumtesën e tij na e dha variablën e rëndësishme të parisë së UÇK-së, si një aleate partnere e NATO-s, të bashkëluftimit të NATO-s e të UÇK-së në një luftë të përbashkët, njëra nga toka, tjetra nga ajri, kuptohet njëri më i fuqishëm e tjetri më pak i fuqishëm, por ama, pa këtë që ishte më pak i fuqishëm, nuk do të ndërhynte dhe ai që ishte i fuqishëm.

Dëgjuam nga dr. Dorian Koçi arkitekturën e mundimshme të lirisë, rolin udhëheqës që kishte UÇK-ja në atë që ne sot jetojmë, si një kompromis që është Kosova e pavarur, të cilën u theksua edhe këtu që nuk ishte ky qëllimi i UÇK-së, por është kompromis i madh i shqiptarëve, ekzistenca sot e Kosovës, si një shtet i pavarur, me elemente të karakterit multietnik.

Dëgjuam prof. dr. Emin Kabashin, mbi përmasën kombëtare të luftës së UÇK-së, mbi madhështinë, pra të luftës së UÇK-së, e veçanërisht fjalët e tij të fundit mbi vlerën e flamurit kombëtar, që dhe unë e kam një peng në fakt, që në Kosovë e shoh gjithnjë më pak e, fatmirësisht dhe lavdi Zotit, ndodhet atje ku është derdhur gjaku për atë flamur, se nuk është derdhur për këtë flamur, dhe e gjejmë në varrezat e dëshmorëve. Dhe le ta mbajmë këtë iluzion. Iluzioni bën keq në çastin që nuk mendojmë racionalisht, përndryshe nuk është iluzion, është objektivë afatgjatë kur krijohen kushtet.

Nga prof. asoc. dr. Nuri Bexheti dëgjuam me një fjalim, për mua brilant, duke na dhënë peshën, sepse kjo ushtri i shoi shpresat për autonomi dhe evitoi përplasjen vëllavrasëses, të cilat sot nuk i kuptojmë ndoshta ne të rinjtë, por që ishin evidente, dhe do të qëndroja veçanërisht te një fjali që çdo ditë, që pas ’95-s është një ditë e humbur, dhe çdo ditë para 2001-shit do të ishte një ditë e humbur, që na tregon dritaren e vetme, elementin e fatit, se Kosova sot nuk është një Krahinë Autonome, pavarësisht se do të mund të ishte nën autonomi totale brenda Serbisë.

Dëgjuam profesorin e asocuar dr. Zaho Golemin në lidhje me drejtimin strategjik të luftës së madhe të një populli të vogël, pra në lidhje me aspektin ushtarak, të kësaj lufte, dhe përvojën e vet personale në këtë drejtim, që më shumë se sa me tonin e tij, nuk mund ta them unë me tonin tim.

Prof. dr. Lulëzim Lajçi mbajti kumtesën “Çështja e Kosovës dhe roli i diplomacisë ndërkombëtare në procesin e çlirimit të saj”, me një qasje gjithëpërfshirëse, duke nisur, prej fillesave të shekullit XX, e duke ardhur pastaj deri në zhvillimet bashkëkohore të Epopesë së UÇK-së.

Dhe dr. Albert Hitoalijaj na ftoi të gjithëve që të kërkojmë më shumë në arkivat amerikane, duke na rrëfyer vlerat e rëndësishme të një syri më të paanshëm sesa ne jemi në këtë betejë të kombit tonë.

Në seancën e dytë dëgjova prof. e asocuar dr. Teki Kurtin, i cili kishte vendosur theksin në një prej betejave më të rëndësishme, që tregon luftën ballore që bëri UÇK-ja në betejën e Koshares, e parë kjo në këndvështrimin e shtypit shqiptar të kohës.

Prof. i asocuar dr. Bernard Zotaj, edhe një dëshmitar okular dhe trajnues i ditës, i UÇK-së, na foli jo thjesht me përvojën e vet, por mbi bazat shkencore, mbi bazat e grumbullimit, organizimit dhe stërvitjes së UÇK-së në Shqipëri.

Prof. dr. Arben Hoxha na dha një qasje filozofike në lidhje me vlerat dhe nocionin e lirisë dhe duke e parë UÇK-në si një masë të aftësive reflektive për bërje.

Prof. dr. Minir Ademi na foli për dëshmorët e UÇK-së nga Maqedonia, sepse UÇK-ja nuk është e Kosovës. UÇK-ja është e shqiptarëve, dhe duhet t’i nxjerrë në pah të gjitha momentet ku kombi ynë u bashkua për ta çliruar Kosovën nga zgjedha serbe.

Prof. dr. Sali Bytyqi, duke e shtuar ndërdisiplinaritetin e kësaj konference, na dha një qasje të plotë mbi dy mënyrat e trajtimit të luftës së UÇK-së në letërsi, dhe theksoi edhe një herë, jo për të parë të shkuar, por për të parë të shkuar me qëllim në të ardhmen, me qëllim që revizionizimin historik që tentojnë kategori të ndryshme ta bëjnë, të mos kthehet në atë çfarë Nuriu tha që studentët tanë sot nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.

Doktoresha Albulena Halili na foli për luftën e UÇK-së dhe NATO-s si një ndërmarrje e përbashkët çlirimtare, përkundrejt asaj sot që me padrejtësi të plotë akuzohet, dhe këtu jemi të njëmendtë, si një ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Mr. Ruzhdi Panxha foli për një prej momenteve që prodhoi padrejtësi, që në hartimin e ligjit, përtej gjithë arsyes, se ai ligj është hartuar, që e konsideron sovranitetin e një shteti si të paplotë thuaj, nuk mund të ketë as qasje mbi arkivat e institucioneve, që me gjasë janë të vetëm. Pra, mbi privimin e Arkivit të Kosovës, nga e drejta për pranimin dhe administrimin e dokumentacionit të dhomave të specializuara.

Prof. dr. Adem Zejnullahu na foli për një qasje tjetër ndërdisiplinore, për UÇK-në në këngët popullore.

Prof. i asocuar. dr. Skënder Zhitija na foli për elementin e organizimit të brendshëm të UÇK-së.

Kandidati (phd) Miftar Kurti na foli në lidhje me këmbimin e robërve të luftës mes UÇK-së dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, sipas shtypit të kohës, dhe për të na rrëfyer se agresori dhe më së shumti agresori dhe viktimat, ndahen shumë në mënyrën se si i trajtojnë robërit e luftës të njëri-tjetrit.

E në fund, jo për nga rëndësia, mr. Emin Sallahu na foli për UÇK-në si një domosdoshmëri e kohës sonë.

Në fund të kësaj përmbylljeje dua të theksoj se ne nuk jemi këtu për të dhënë çdo përgjigje të mundshme. Edhe po të duam, e kemi të pamundur këtë. Qëllimi ka qenë për të dhënë një mesazh në baza shkencore, jo për të kaluarën, por duke parë të kaluarën për të sotshmen dhe për të ardhmen. Dhe besoj se pyetja më e rëndësishme që ne shqiptarët duhet ta trajtojmë në mënyrë të vazhdueshme për brezat e rinj është, a është Kosova sot e pavarur, prej fatit apo prej luftës, dhe nuk e kam një përgjigje të plotë mbi këtë pyetje!!. Kosova e pavarur është dhe prej fatit dhe prej luftës, në gjykimin tim, nuk dua të bëj kumtesë të re, por si një përmbledhje e kësaj konference: pa shqiptarët dhe pa luftën e UÇK-së, nuk do të kishte Kosovë të Pavarur. Nuk po themi që, ekzistenca e UÇK-së, prodhoi Kosovën e Pavarur, po pa të nuk do të kishte Kosovë të Pavarur, nuk është e mjaftueshme ekzistenca e UÇK-së për Kosovë të Pavarur, por mungesa e UÇK-së, nuk do të mund të sillte një Kosovë të Pavarur, dhe ky është mesazh qendror që unë e pash të shkojë në të gjitha kumtesat, se padyshim, nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës; nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa NATO-n; nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa “rugovizmin” e viteve të para pas ’90-tave, ku çështja e Kosovës do ngatërrohej në çështje të përgjithshme të Jugosllavisë, lufta e armatosur e viteve 90’ta, nuk do të kishte Kosovë të Pavarur, pa Millosheviqin padyshim. Millosheviqi është një aktor thelbësor për pavarësinë e Kosovës, në të zezën e vet, dhe në të zezën e kombit të vet, në kuptimin afatgjatë çfarë ja doli që të humbiste, nuk duhet të kishte një Kosovë të Pavarur pa Rusinë e dobët të asaj periudhe, dhe këtu është momenti i dyfishtë pse 2001-shi do bënte diferencën, sulmet terroriste në Amerikë, e nga ana tjetër fuqizimi i ri i Rusisë. Nuk do të kishte Kosovë të Pavarur, pa protestat e ’68-tës, që prodhuan një brez të ri dhe një status të ri të Kosovës, pa protestat e ’81-shit. Nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa Mehmet Hoxhën, që mundësoi që të ekzistonin ca kufij mbi hartë, kufij të një etniteti juridik, një njësi juridike. Pa ju futur këtu në analizën e pozitives dhe negatives, po t’i futemi gjësë së parë, çfarë do të kishte Kosovë të Pavarur, s’ka pas kaçakët, s’ka pasë Xhemijetin, sepse merita e kombit tone, është që edhe kur është dashur që të arrinin kompromise, brezi që ka bërë këtë kompromis është një rritje, një arritje e çdo brezi, në çastin që ka mbetur i mbyllur brenda kompromisit të vet, është ndryshuar nga një brez i ri. Ku veçohet UÇK nga kjo meritë e kaçakëve, Xhemijetit, e Mehmet Hoxhës, e protestave të 68-tës, 81-shit, rugovizmit?? Është që në fund kompromisi që është arritur është kompromisi më i pranueshëm për shqiptarët, që edhe ne sot se kemi problem. Do të donim të mos ishin dy shtete, por Kosova e Pavarur është një kompromis tërësisht i pranueshëm dhe ky është produkt i UÇK-së. Pra është një arritje, është një arritje finale, ose parafinale, por edhe kështu sikur të jetë në vijimësi nuk është se përbën ndonjë diferencë në nevojën tonë, dhe këtu UÇK veçohet, pra pa UÇK-në s’do të kishte një shtet të Kosovës sot, një Kosovë të Pavarur, me vetë UÇK-në, vetëm me UÇK-në, prapë s’do të kishte. Është lufta e shqiptarëve, plus fati, që na kanë mundësuar këtë gjë.

E nisëm me idenë dhe me nismën e Bedriut, për çfarë ndodhi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe me Jakup Krasniqin, të cilët janë tre individë që janë bashkëkohës me ne. Shumë prej jush i njihni personalisht, i keni miq. Të tjerë jo. Shumë prej jush i doni politikisht. Të tjerë jo! Ajo që na bashkon është se nuk na intereson Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli. Ajo që duhet bashkojë gjithë shqiptarët, është se nuk janë vendosur përballë akuzës, thjesht tre individë, se po të jetë se janë tre individë përballë akuzës për korrupsion, do të ketë njerëz që do ti duan, do të ketë njerëz që s’do ti duan, dhe nuk na intereson në planin afatgjatë. Nëse do të ishte se do të ishin për krime lufte të kryera vet, nuk futemi, nuk duhet të futet shkenca në kurthin e pyetjes, a ka pas krime lufte nga gjitha palët në luftë?!! Është kurth!! Është kurth relativizues!! Sepse është fakt historik që ka. Ndahet te agresioni dhe te viktima, dhe ndahet tek drejtuesi politik ose jo.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi ndodhen nën akuzë, si drejtues politikë të UÇK-së, e nëse drejtimi politik i UÇK-së, qenka kriminale, thjesht pse është drejtues politik, jo doras, atëherë i bie që kemi të bëjmë me një agresor, i bie që UÇK-ja është agresore. Në çastin që zëdhënësi i UÇK-së është përballë tribunalit se luante rolin e zëdhënësit të UÇK-së, dhe jo se ishte doras në një krim, dhe nga ana tjetër, zëdhënësi i agresorit është Shkëlqesia e tij, President i një vendi, atëherë këtu ka një padrejtësi, ka një padrejtësi që në misionin fillestar, dhe ne prandaj jemi sot këtu. Jemi sot këtu pra për sot e për nesër, duke e parë të shkuarën dhe duke e evidentuar shkencërisht edhe me elemente të së shkuarës.

Dua ta përmbyll me një përvojë personale, si më i pakti këtu, dhe nuk e them këtë me sens modestie, s’është se para e kam, por realisht, jam më i pakti këtu, si një riosh Sarande, një kalama dhjetë vjeç në vitin ’99, 12 vjeç, kur refugjatët e Kosovës arritën deri në Sarandë. Në fakt, lufta e Kosovës edhe na njohu, në realitetin e viteve 90-2000, identiteti u fluidizua pak në Shqipëri, jo se nacionalizmi folklorik nuk qëndronte, jo se në Sarandë ishim më pak nacionalistë, se sa janë sot, apo se sa ishin pardje, por në kuptimin e një relativizimi kulturor të një ndikimi të huaj që ishte më i pasur, dhe ishte sytë nga i kishim të gjithë, e nga ana tjetër nga paradigmat e vjetra, të përçarjeve krahinore fetare, që i kemi shumë për qejf si komb dmth., “malokët e veriut, të trashët e jugut”. Kur e thotë një lab këtë “maloku i Fushë Kosovës”, ku të shkosh në Labëri është zakon, pothuaj kush është malok apo jo, pra në këtë paradigmë të atyre viteve 99’të, ardhja e refugjatëve të Kosovës, kontribuoi edhe në një gjë, kontribuoi që për herë të parë unë kam parë aq shumë flamuj në Sarandë. Jo se kishte flamuj grekë ndonjëherë në Sarandë, jo se kishte më pak nacionalizëm në Sarandë, por aq flamuj shqiptarë dhe rritjen e një identiteti të ri të forte, na e solli dhe lufta e Kosovës dhe refugjatët. U njohëm, u njohëm me një brez të ri. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Prandaj, besoj se kjo konferencë është shumë e rëndësishme, dhe dua t’i falënderoj secilin, veçanërisht Bedriun në radhë të parë, më falni që e veçoj, dua të falënderoj gjithë kumtuesit, dua të falënderoj Ibishin për një ndërhyrje shumë të saktë, në të tre pikat të cilat e bëjnë, po veçanërisht Bedriun, i cili ka qenë nismëtari fillestar i kësaj ideje dhe na nevojiten sidomos sot, sidomos sot kur, realitetet gjeopolitike botërore janë një proces evoluimi të pashmangshëm, nuk do të jetë më bota siç ishte dje. Ne shqiptarët do të duhet që ta shohim të shkuarën me një mendjeftohtësi për të parë të ardhmen, do të gjykuar se si do të veprojmë në të ardhmen.

Së fundmi, një kërkesë për të gjithë ju që kumtesat t’i dorëzoni deri në fund të prillit, në mënyrë që të gjitha këto sa u thanë sot, të jenë të shkruara dhe të mbeten, dhe me shpresën e madhe që do të kemi mundësi, që ta vijojmë më tej me konferenca të tjera të tilla, të kësaj cilësie, pikërisht në të njëjtin synim, se si do të veprojmë ne si shqiptarë në vitin 2022 e tutje, jo në 2022 si më parë.

Faleminderit shumë!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Alain Giresse në konferencë për…