Sot grevë njëorëshe në arsim
Mësimdhënësit sot në të gjithë vendin do të hyjnë në grevë njëorëshe, ka njoftuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës (SBAShK).
Çerdhet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.
Sipas Sindikatës, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon, atëherë nga SBAShK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme.
Ndër kërkesa të tyre, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Rraham Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se greva e sotme është paralajmëruese, ndërsa ka shtuar që më 20 maj do të ketë një protestë të të gjithë punëtorëve të sektorit publik.
Kryetari i SBAShK-ut u shpreh se nëse Qeveria e Kosovës vazhdon të mos plotësojë kërkesat e tyre edhe pas 20 majit, atëherë do të detyrohen të hyjnë në grevë në deri në realizimin e tyre.
Jasharaj ka kërkuar nga prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkolla me një orë vonesë për hir të sigurisë së nxënësve.