PDK-ja kurrë nuk e merr model LV-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se ata që dëshirojnë ta shohin këtë parti në modelin e të bërit opozitë nga Vetëvendosja duhet të dëshpërohen. Ai thekson se sjellja e dikurshme e partisë në pushtet nuk është traditë e PDK-së, duke shtuar partia që udhëheq e do shtetin më shumë sesa interesat partiake.
Mes të tjerash, në një intervistë për Ekonomia Online ai tha se modeli opozitar i PDK-së është i duhuri dhe do ta ndryshojë diskursin politik në Kosovë.
“Ata që dëshirojnë ta shohin PDK-në në modelin e dikurshëm të Vetëvendosjes duhet të jenë të dëshpëruar sepse nuk do të na shohin kurrë. Për dallim prej vetëvendosjes kur ka qenë në opozitë ne e njohim rrugëtimin e vështirë të Kosovës për të arritur shtetin tonë.
Ne e duam shtetin tonë më shumë sesa interesat partiake dhe interesat parciale gjë që në të kaluarën është dëshmuar e kundërta nga kjo Qeveri kur ka qenë në opozitë. Modeli opozitar i PDK-së është modeli më i duhur dhe i vetëm që do të ndryshojë jo vetëm diskursin politik në Kosovë, por që ka arritur edhe suksese”, tha Krasniqi.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ai potencoi se Qeveria me vonesë është duke kuptuar që edhe në të kaluarën marrëveshjet janë bërë në të mirë të Kosovës dhe të qytetarëve.
“Çështja e dialogut është një çështje që kemi diskutuar shumë gjerë dhe gjatë. Dialogu duhet ta preokupojë qeverinë më shumë sepse është obligim i tyre. Por unë besoj që edhe kjo Qeveri me vonesë është duke kuptuar që edhe në të kaluarën marrëveshjet që janë bërë janë bërë në të mirë të Kosovës dhe në të mirën e qytetarëve tanë, konsolidimi i sovranitetit dhe sundimit i ligjit në të gjitha anët e vendit tonë. Por iu takon atyre që t’i qojnë tutje këto procese. Ne do të jemi afër qytetarëve për të diskutuar për preokupimet e tyre ditore”, tha Krasniqi.
Krasniqi foli edhe për kabinetin për qeverisje të mirë, duke shtuar se në këtë periudhë do të vazhdojë me prezantimin e koordinatorëve.
“Kabineti për qeverisje të mirë është zotuar si vizion dhe strukturë se si do të duket dhe çka do të përfshijë. Ndërsa qëllimisht në këtë periudhë verore do të vazhdojë me prezantimin e koordinatorëve, por me një frekuencë më të rrallë në mënyrë që nga muaji shtator të fillojë punën e vërtetë si trup i kompletuar”, tha ai.