Kjo qeveri ka vetëm parulla boshe

24 korrik 2022 | 09:27

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave qysh në kohën e qeverive të kaluara.

Veliu theksoi se kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim, me përjashtim të kërkesës për çështjen e liberalizimit.

“Unë nuk mund të them se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave. Kriteret për liberalizim të vizave janë plotësuar qysh në qeveritë e kaluara. Kjo qeveri aktuale nuk është duke bërë asgjë ne këtë drejtim, me përjashtim të kërkesës. Në fund të fundit, nuk ka çka të bëjë sepse të gjitha kriteret janë të plotësuara. Kjo punë është çështje e vullnetit e atyre që e kanë në dorë çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe Qeverisë së Kosovë që t’i bëjë disa veprime konkrete në këtë drejtim”, tha Veliu.

Veliu shtoi se të gjitha trendët tregojnë se kjo qeveri ka rënie.

Sipas tij, nuk ka ndonjë punë konkrete nga kjo qeveri, me përjashtim të disa parullave boshe me të cilat ka ardhur në pushtet.

“Të gjithë trendët po tregojnë se kjo qeveri është në rënie. Nuk ka ndonjë punë konkrete, me përjashtim të parullave me të cilat ka ardhur në pushtet, parullave boshe, luftës kundër korrupsionit e çështjeve të tjera. Qytetarët po e shohin se kjo qeveri nuk është e aftë t’i kryejë detyrat me të cilat ballafaqohet dhe detyrat që kërkohen nga kjo qeveri”.

Ish-ministri i Brendshëm tha se ka pasur shumë skandale edhe në diplomacinë e jashtme, duke theksuar se këtë dikaster e udhëheq një ministre jokompetente.

“Nuk janë bërë veprimet e duhura. Ka pasur shumë skandale edhe në diplomacinë e jashtme. Aty është një ministre që nuk është kompetente për atë çështje dhe nuk ka bërë asnjë veprim me përjashtim të skandaleve që tashmë janë të njohura për publikun. Pyeteni qeverinë pse s’kemi njohje, pyetini ata që janë kompetentë”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Republika e Shqipërisë nga sot do të udhëhiqet nga presidenti…