Reagon presidenti Begaj pas ngjarjes në uzinën e armëve në Gramsh

21 gusht 2022 | 09:20

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me ngjarjen në uzinën e armëve në Gramsh.

Begaj thotë se inkurajon zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe secilën që cenon sigurinë kombëtare.

“Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me vëmendje. Në komunikim të vazhdueshëm me SHPFA, strukturat e shërbimeve informative & ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj & mbështes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cenon sigurinë kombëtare”, thuhet në reagimin e Begajt.

Ai, po ashtu, u uron ushtarëve të sulmuar shërim të shpejtë.

“Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë”, shton ai.

Rreth orës 17:40 të së shtunës roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë.

Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Svetlana Timofoeva 33 vjeç dhe Mikhail Zorin 24 vjeç, të dy shtetas rusë, si dhe F.  A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, u ndaluan pasditen e 20 gushtit 2022, ndërsa dy ushtarë shqiptarë u sulmuan me sprej neuroparalizues në Uzinën Ushtarake të Gramshit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tyson Fury paralajmëroi pensionimin e tij vetëm pak ditë më…