Ukraina po përgatitet për Ditën e Pavarësisë, Rusia për sulme

24 gusht 2022 | 08:35

Ukrainasit sot do ta shënojnë 31-vjetorin që kur u çliruan nga Bashkimi Sovjetik, njëherësh do ta shënojnë Ditën e Pavarësisë.

Pikërisht në këtë ditë shënohet edhe gjashtëmujori që kur forcat ruse filluan pushtimin e vendit, dhe kjo festë po pritet me frikë për kërcënime të reja nga toka, ajri dhe uji.

E si preventivë, autoritetet e atjeshme kanë ndaluar tubimet në Kiev, dhe turmat assesi nuk lejohen të krijohen në veçanti në Kharkiv në lindje të vendit ku po vazhdojnë luftimet e ashpra.

Në anën tjetër qeveria e këtij vendi ka hapur një lloj ekspozite në kryeqytetin ukrainas, ku shihen tanket dhe mjetet e tjera të blinduara të Rusisë që janë shkatërruar apo sekuestruar gjatë luftimeve.

Të martën mbrëma presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi për mundësinë e “provokimeve nga ana e Rusisë”.

“Do të luftojmë kundër kërcënimit më të tmerrshëm, në kohën kur kemi arritur kulmin e unitetit të kombit tonë”, shtoi Zelensky.

Ushtria e këtij vendi gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin më seriozisht kërcënimet për sulme ajrore në rast se aktivizohen sirena që e paralajmërojnë një gjë të tillë.

“Okupatorët rusë po vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore mbi objektet civile në territorin e Ukrainës. Mos i injoroni sirenat në rast se aktivizohen, ato vërtetë paralajmërojnë sulmet ajrore”, thuhet në kumtesën e shtabit të përgjithshëm të ukrainasve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Evropa mund të jetë duke përjetuar thatësirën më të rëndë…