Çitaku: Kurti po bën zhurmë për asgjë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se dialogu me Serbinë nuk duhet të shndërrohet në instrument të rinoterizimit të marrëveshjeve të kaluara. Ajo kërkon që mos të humbët kohë në vazhdimin e status-quo me Serbinë, por të arrihet marrëveshja finale, me njohjen reciproke në qendër të saj.
Çitaku në një intervistë për KosovaPress, duke folur për marrëveshjen për dokumente me Serbinë, thotë se kryeministri Kurti bëri shumë zhurmë për asgjë.
“Mirëpo çka nuk duhet të lejojmë dhe për këtë kemi bërë paralajmërime publike, ne nuk duhet të lejojmë që procesi të kthehet dekada prapa dhe të shndërrohet në një instrument të rinoterizimit të marrëveshjeve të arritura më herët. Në këtë kontekst të ri gjeopolitik, ku Kosova është më e fuqishme dhe Serbia më e izoluar për shkak të agresionit rus në Ukrainë, këtë momentum të ri gjeopolitik, Kosova duhet të shfrytëzojë për të quar përpara arritjen e një marrëveshje finale, me njohjen reciproke në qendër të saj. Çdogjë tjetër e mirëmban status-quo dhe mirëmbajtja e saj është në dëmë të Kosovës dhe dobi të forcave destruktive në Kosovë dhe rajon”, thekson Çitaku.
Sipas saj, kryeministri Kurti, muajt e fundit ka qenë tërësisht i papërgjegjshëm si ka komunikuar me publikun, veçmas duke përmend edhe luftën.
“Kishim shumë zhurmë për asgjë. Fjala luftë, është fjala e fundit që një kryeministër duhet të përdorë në diskursin publik. Kur bën paralajmërim për luftë, kryeministri fton seancë të jashtëzakonshme, thërret mobilizim të përgjithshëm dhe prezanton faktet. Ka qenë tërësisht e papërgjegjshme nga ana e kryeministrit, mënyra si ka komunikuar me publikun muajt e fundit. Është mirë që pas më shumë se një dekade kryeministri është dakorduar për një marrëveshje që ne e kemi arritur në viti 2011. Është mirë që po implementohen, është mirë që Serbia ka hequr dorë nga letrat për hyrje-dalje. Shpresojmë që kryeministri vërtet të ketë kuptuar se dialogu është vërtet prioritet i rëndësishëm e jo prioriteti i njëmbëdhjetë, shtatë dhe kështu me radhë”, shton ajo.
Në dy vjetorin e arritjes së marrëveshjes së Uashingtonit, Çitaku, thotë se ajo ka qenë e dobishme, por e pamjaftueshme, andaj duhet quar një hapë më përpara.
“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë tavolina Suedeze ku merr ato që të pëlqejnë dhe lë anash ata që nuk të ka ënda më shumë. Marrëveshjet ndërkombëtare trajtohen në pako. Asnjëherë, kurrë, Kosovës nga Shtëpia e Bardhë nuk i kanë ardh marrëveshja të këqija. Shtëpia e Bardhë është adresa që i ka dhënë Kosovës lirinë, ka mbështetur në projektin e shpalljes së pavarësisë dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Po harrojmë se njohja e fundit që i ka ardhur Kosovës është nga ajo marrëveshje, ajo e Izraelit… Ne kemi bërë pjesën tonë të punës për çështjen e autostradës, tani Serbia duhet të bëjë pjesën e saj. Edhe për Ujmanin është bërë studimi i fizibilietit edhe aty ka pasur më shumë zhurmë sesa ndonjë shqetësim substancial. Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje e dobishme, mirëpo është një marrëveshje që nuk adreson gjitha problemet, është e dobishme por e pa mjaftueshme. Ne duhet të qojmë një hap përpara… Qeveria ka respektuar, nëse jo të gjitha shumicën e pikave të marrëveshjeve, pasi disa prej tyre veçse kanë qenë të zbatuara pa ardh kryeministri Kurti në pushtet, por nuk ka hequr dorë nga marrëveshja e Uashingtonit, e cila është një gjë e mirë”, thotë ajo.
“Kosova nuk duhet të barrikadohet. Kosova duhet të artikulojë kërkesat e saj, kushtet e saj. Cilat janë kushtet tona, kërkesat për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative. Mirëpo, të njëjtën kohë ne duhet të themi qartë se problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të një natyre ekonomike”, deklaron ajo.
Nga ana tjetër, Çitaku adreson një sërë akuzash ndaj kryeministrit Kurti për mungesën e dialogut social me sindikatat.
“Dialogu social si instrument politikbërjes është eliminuar nga qeveria dhe kryeministri Kurti. Ai nuk dëshiron bashkëpunim, bashkëbisedim dhe kompromis. Kryeministri synon t’i nënshtrojë sindikatat, mediat, është qasja e njëjtë që ka pasur edhe me veteranët dhe kategoritë të tjera sociale. Mirëpo ky vend nuk i nënshtrohet askujt. Kryeministri është aty për të qeverisur jo për të sunduar, kryeministri duhet të kuptojë se kompromisi në politikë është i domosdoshëm…Në vend që ulet dhe të bashkëbisedoj me arsimtarët, mjekët dhe veteranët kemi një tendencë për dehumanizim të tyre. Ka një refuzim kulturor ndaj tyre, iu përqeshim dukjen, veshjen, aksentin dhe tash së fundmi eksponentë të lartë të qeverisë bëjnë akuza të rrejshme për tradhti. Ky lloj komunikimi linques nga ana e Qeverisë duhet të marrë fund”, pohon ajo.