Ngjyrat e dashura të Akilit
Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita personale e Akil Dashevcit. E titulluar “Ngjyrat e dashura të Akilit”, punimet e tij janë realizuar në teknikën tempero dhe kapin gamën e krijimtarisë së frymëzuar nga natyra.
Akili është adoleshent nga Prishtina dhe pikturën e ka pasion që nga fëmijëria e hershme. Punimet e tij i shquajnë ngjyrat e gëzuara me një thellësi të studiuar mirë gjë që është befasi për moshën e tij.
Siҁ potencoi në fjalën e hapjes poetja Naime Beqiraj, ngjyrat e Akilit e kanë shkëlqimin e perlave, thellësinë e ujit natën, butësinë e dheut, të kuqen autentike të zemrës së nënës, përzierjen e të gjithave me të bardhën – mu si dashuria e tij për artin, për artistët. “Akili shfaq dashuri me ne të gjithë.
Ai ka shkelur në shkallën e parë të artit. Ne kemi nevojë për ngjyrat e tij, ashtu siҁ ka nevojë edhe arti për shijimin tonë. Arti nuk krijohet vetëm për vetën. Duhet guxim për ta shpërfaqur. Akili e ka këtë guxim – cilësi që i ka lindur bashkë me talentin”.
Në ekspozitë ishte i pranishëm edhe Hajrullah Ҁeku Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i cili premtoi si ministri e si qeveri do t’i përkrahin të rinjtë me talente të veҁanta, ndërsa nga Tiranë ishte e pranishme edhe Jona Dividi nga asociacioni “Tirana Art” të cilët para një viti i kishin ndarë një ҁmim Dashevcit.
Në fund përshëndeti edhe vet Akili, kurse Safa Boja Dashevci – nëna e piktorit të ri, duke i falenderuar të pranishmit, potencoi se kur ne përpiqemi për t’ju mësuar fëmijëve tonë gjithçka për jetën, vet fëmijet na mësojne se çfarë është jeta. “Akili im, ma mësoi ta dua artin, ta dua pikturën. Pra, fëmija nuk e ka logjikën e të rriturit, e ne nuk e kemi sinqeritetin dhe pastertinë e këndvështrimit të botës siç e kanë fëmijët”.