Krijuesi
Nga: Jorge Luis Borges
Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli
Asnjëherë s’ishte përhumbur në kënaqësitë e kujtimeve. Ndjesitë rrëshqisnin mbi të, të çastshme dhe të gjalla; pluhuri i cinabrit të një poçari, kubeja e mbushur me yje, të cilët gjithashtu ishin dhe zota, hëna, prej të cilës kishte rënë një luan, lëmimi i mermerit nën mollëzat e ndjeshme të gishtave, shija e mishit të derrit të egër, që i pëlqente ta shqyente me dhëmbët e bardhë dhe të mprehtë, një fjalë fenikase, hija e errët që lëshon një heshtë mbi rërën e verdhëlleme, prania e detit apo e grave, vera e fortë, ashpërsinë e së cilës e zbuste mjalti, të gjitha këto mund ta mbushnin tej e tej hapësirën e shpirtit të tij. E njihte tmerrin por gjithashtu edhe tërbimin e guximin. Njëherë pat qenë i pari që ngjiti një mur armik. I ethshëm, kureshtar, i rastësishëm, pa ligj tjetër përveç kënaqësisë dhe mospërfilljes së menjëhershme, brodhi mbi tokën e shumëllojtë dhe pa, nga njëra anë e detit në tjetrën, qytetet e njerëzve dhe pallatet e tyre. Në çarshitë e populluara apo në rrëzën e një mali me majë të mjegullt, në të cilën fare mirë mund të banonin satirë, kishte dëgjuar histori të ndërlikuara, që i priti njësoj si dhe realitetin, pa thelluar nëse ishin të vërteta apo të sajuara.
Dalëngadalë, universi i mrekullueshëm nisi ta braktiste; një mjegullnajë e paepshme ia fshiu linjat e dorës, nata i zbrazi yjet, dheu nën këmbët e tij u bë i pasigurt. Gjithçka largohej dhe trazohej. Kur e kuptoi se po ngelej i verbër, ia dha klithmës; nderi stoik nuk qe shpikur ende dhe Hektori mund t’ia mbathte pa u turpëruar. “Nuk do të shoh më (ndjeu) as qiellin e mbushur me llahtar mitologjik, as këtë fytyrë që vitet kanë për ta shndërruar”. Ditë e net të tëra shkuan mbi dëshpërimin e mishit të tij, por një mëngjes u zgjua, vështroi (pa habi tashmë) gjërat e vagullta që e rrethonin dhe në mënyrë të pashpjegueshme ndjeu, si ai që shquan një melodi a një zë të njohur, se e gjithë kjo i kishte ndodhur më parë dhe se e kishte përballuar me frikë, por gjithashtu edhe me gëzim, shpresë dhe kureshtje. Atëherë u zhyt në kujtesën e vet, që iu duk e pambarimtë, dhe arriti të shkëpuste nga ajo marramendje kujtimin e humbur që shkëlqeu si një monedhë në shi, mbase, sepse kurrë nuk e kishte parë, përveçse, ndoshta në ndonjë ëndërr.
Kujtimi ishte ky. Një djalë tjetër e kishte poshtëruar dhe ai kishte vrapuar tek i ati e i kishte treguar ngjarjen. I ati e la të fliste sikur të ishte duke mos e dëgjuar apo duke mos e kuptuar dhe shkëputi nga muri një thikë të bronztë, magjepsëse dhe e plotpushtetshme, të cilën djaloshi e kishte lakmuar ethshëm. Tani e kishte në duar dhe habia e zotërimit e anuloi poshtërimin e pësuar, por zëri i të atit po thoshte: “Le ta marrë vesh dikush se tani je bërë burrë”, dhe zëri mbartte një urdhër. Nata i kishte verbuar shtigjet; i shtrënguar pas thikës, tek e cila parandiente një forcë magjike, zbriti brinjën e rrëpirët që përthurte shtëpinë dhe vrapoi në breg të detit, duke ëndërruar se qe Ajaksi e Perseu dhe duke e mbushur tërë plagë e beteja errësirën e kripët. Shija e përpiktë e atij çasti ishte ajo çfarë po kërkonte tani; të tjerat s’kishin rëndësi: fyerjet e dyluftimit, beteja e ngathët, kthimi me tehun e përgjakur.