Jam lodhur, na presin ditë të vështira, na kërkojnë ta njohim Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha para gazetarëve se është lodhur nga interesimi i komunitetit ndërkombëtar vetëm për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Presidenti serb vazhdoi duke thënë se Serbia po përballet me një vit të vështirë, sepse në Beograd do të takohet me përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Italisë dhe sigurisht, me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Të dielën, do t’i drejtohemi publikut me masa të reja dhe do të themi se çfarë kërkohet dhe pritet nga Serbia për Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë”.
“Ne po përballemi me kohë shumë të vështira, duke pasur parasysh bisedën që kam pasur me Lajçak-un. Askush nuk dëshiron të dëgjojë dhe të shohë më palën tjetër, e vetmja gjë që duan të dëgjojnë janë sanksionet dhe Kosova”, shtoi ai.
Kur u pyet për deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se nëse ka vullnet mund të arrihet një marrëveshje shumë shpejt, Vuçiç deklaroi se “kjo mund të bëhet pasnesër, nëse heq dorë nga synimet e tij secesioniste”.
“Kemi një vit vendimtar përpara nesh, nuk jam përgatitur për këtë performancë, po flas ashtu siç më vijnë mendimet”, përfundoi ai.