Policia dhe KFOR-i vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunave në veri
Gjendja në tri komunat veriore në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok është e qetë, ndërsa Policia e Kosovës dhe KFOR-i vazhdojnë të qëndrojnë pranë objekteve komunale.
Dy ditët e fundit në veri numri i protestuesve ka qenë i vogël, krahasuar me ditët paraprake, transmeton Telegrafi.
Serbët në veri janë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave. Disa grupe kriminale kanë vepruar dhunshëm para disa ditësh të cilët tentuan të hyjnë në objektet komunale, ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, duke lënduar 30 prej tyre.
Po ashtu, ata kanë sulmuar edhe ekipet e mediave nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria, duke ua dëmtuar dhe djegur veturat.
Thirrje për ç’tensionim të situatës kanë bërë ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa për uljen e tensioneve. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Policia e Kosovës nuk do të largohet nga këto komuna, derisa në atë pjesë ka grupe kriminale.