Kujtesa letrare si dëshmi e një kohe
Dr. Emin Z. Emini
Arif Molliqi, “Arkivi i letrave të djegura”, roman, botues “Armagedoni”, Prishtinë, 2022
I mbrumur me imagjinatë krijuese, romani “Arkivi i letrave të djegura” i Arif Molliqit provon të krijojë një kujtesë letrare për Kosovën e pasluftës. Pavarësisht se autori mbështet në copëra dëshmish e ngjarjesh të jetuara nga vetë ai, të cilat romanit i japin dimensionin autobiografik, dhe pavarësisht se shkrimtari thirret në disa dokumente dhe fakte jetësore, të cilat romanit i japin elementin e dokumentaritetit, struktura rrëfimtare romanore, para së gjithash, s’është veçse një krijesë mirëfilli letrare, e cila mëton të kthehet vetë si e tillë në një dokument arkivor, për pothuaj të gjitha segmentet e jetës shoqërore, politike, sociologjike, kulturologjike e psikologjike. Kjo, madje, na sugjerohet që në titullin e romanit, sepse duke qenë të djegura letrat e arkivit, shkrimtarit Mulluqi i duhet t’i krijojë ato letra të munguara, t’i krijojë ato dëshmi e dosje të djegura e tashmë joekzistente dhe, kështu, nëpërmjet procesit artistik, të krijojë një arkiv letrar, në rastin konkret për një qytet dhe jo vetëm, të Rrafshit të Dukagjinit, për epokë të caktuar të historisë sonë dhe për njerëzit e këtij nënqielli.
E dyta, edhe pse shkrimtari thirret në disa dosje të gjetura në arkivin e qytetit, duke qenë se ato janë gjysmake, janë ca letra të mykura e gjysmë të kalbura, të palexueshme e të papërdorshme, sikundër edhe në rastet kur thirret, fjala vjen, në disa fletëza ditari, për ta ndërfutur njësinë e faktografisë e të dokumenataritetit, elemente këto që i gjejmë në përmbajtjen dhe strukturën e ramanit, s’janë veçse mjete artistike për të ndërthurur e shtruar rrjedhën fabulare dhe, shi kështu, pra sipas këtij procedeu, për t’i ndërfutur në veprime korrelative personazhet e “Arkivit”.
E treta, kur flasim për personazhet, kujtoj ata, po ashtu s’janë veçse qenie imagjinare të krijuara sipas modelit të personazheve jetësore, të njohur e të panjohur edhe nga vetë autori i romanit, e të cilët prandaj, për aq sa janë imagjinarë, për aq janë dhe personazhe të realitetit jetësor.
E katërta, ashtu siç antroponiminë që në disa e gjejmë të jetë konkrete në raport me realitetin jetësor, ashtu edhe toponimia (emrat e qyteteve) dhe oronimia (emrat e maleve, fushave, bjeshkëve etj) vijnë domosdoshmërisht si njësi faktike romanore, përfshirë këtu edhe patronimet.
Prozatori Molliqi, sipas prizmit vetjak autorial, por edhe sipas rrëfimeve e historive të të tjerëve nëpërmjet romanit “Arkivi…” synon për ta krijuar dhe ruajtur artistikisht kujtesën tonë kolektive. Kështu, autori merr rol të dyfishtë në veprën e tij:është personazh i cili në roman është shkrimtari që provon të shkruaj një pjesë të “biografisë” së qytetit dhe njerëzve të tij dhe është narratori i cili rrëfen në veten e parë. Duke e ndjekur këtë stil krijues, shkrimtari Molliqi ndërton dy linja paralele rrëfimtare: e para është ajo që lidhet drejtpërdrejt me temën e romanit, pra me nxjerrjen në dritë të të vërtetës së ndaluar në të gjitha dimensionet e saj dhe linja e dytë që e ndjek si hija dritën e së parës, është ajo që ka të bëjë me temën e dashurisë, e cila na vjen nga retrospektiva si një peng, si dashuri e pambaruar, si një imazh i bukur, si një kujtim i dhembshur e si një erë e mirë e një kohe të ikur e të pakthyeshme, por që ka ngelur përjetësisht diku në arkivin e shpirtit të personazhit shkrimtar dhe narrator njëkohësisht. Prandaj dhe, emri i ish-të dashurës si personazh është Erëmirë. Kundruar nga ky aspekt, Erëmira duke dalë nga arkivi i shpirtit të protagonistit s’ka si të mos jetë prandaj, gruaja e cila punon në arkiv. Gjetja rrëfimtare me dy linja strukturore, pra shkrimi i analeve të qytetit nga ca letra të djegura arkivore të një arkivi të djegur në njërën anë dhe, dashuria e rigjetur në arkivin e shpirtit njerëzor në anën tjetër, i jep romanit vlerë të veçantë artistike e estetike. Prandaj, romani Arkivi i letrave të djegura është një shenjë letrare, nëpërmjet të së cilës dëshmohet se kujtesa e gjallë, kujtesa që ruhet në shpirtin e njeriut si individ a në shpirtin e kolektivitetit është i vetmi arkiv që nuk humbet, është arkiv të cilin as ka flakë, as zjarr që mund ta djeg e ta zhbëjë. Po pse pra, duke qenë kështu, protagonisti i romanit ndihet i kërcënuar nga misioni i tij, pse pengohet në mënyra e forma të ndryshme që të mos zbulojë atë që kishte ndodhur dikur, ose shto këtu edhe pyetjen, pse para tij, edhe Profesori D, personazh tjetër i këtij romani, që ishte marrë me hulumtimin e arkivit, ishte detyruar ta braktisë këtë mision shkaku i kërcënimit e frikësimit nga dora e pushtetit dhe e njerëzve që rrinin nën hijen e tij?
Sepse, me këtë shkrimtari do të na dëshmojë e rikonfirmojë se për aq sa është e rëndësishme për një etnikum që qenien e tij shpirtërore e materiale ta ruaj të gjallësi kujtesë kolektive në arkën e shpirtit, po aq është e rëndësishme të ruhen dokumentet e dosjet origjinale që shënjojnë një ngjarje, një epokë, një të të vërtetë, e cila, në rastet kur nuk duhet të jetë publike, si e tillë duhet të klasifikohet, të mbyllet e të ruhet me çdo kusht, aty ku e ka vendin: në arkiv. Prandaj, frikësimi, shantazhimi, kërcënimi i personazheve në roman na vjen si produkt i vetëdijes shtetërore për arkivistikën zyrtare, ani pse, shteti, në kohën kur është vendosur ngjarja, s’është veçse, siç thotë autori, nëpërmjet Bardhit “shtet në dorëshkrim” (fq. 32).
Dorëshkrimi i romanit të personazhit shkrimtar rrezikon të mos kryhet asnjëherë sepse interesimi i tij për të nxjerrë në dritë disa nga protagonistët e kohës dhe bashkë me ta edhe veprimet e tyre politike në cilësinë e strukturave përgjegjëse, qoftë të paraluftës, qoftë të pasluftës në Kosovë, mund të shërbejnë si dëshmi të gjalla, për të bërat e dëmshme e ndonjëherë fatale në kurriz të atdheut e të popullit. Po kështu, nëpërmjet dëshmimit, autori jo vetëm që provon ta ndajë e spastrojë të mirën nga e keqja, ta harr terrenin e ndërgjegjes si imediacion për ngritjen e vetëdijes kombëtare, por dhe brenda këtij segmenti, natyrshëm ndërton hapin pasues e që vjen si kërkesë për t’i thirrur në përgjegjësi të gjithë ata që kanë hapur plagë e kanë shkaktuar pasoja të pariparueshme ndonjëherë. Skena të tilla në roman janë, fjala vjen shkuarja e disa shqiptarëve e shqipfolësve, me a pa vetëdije, me hatër a me zor në mitingjet e kasapit të Ballkanit, S. Millosheviqit, në të cilat kërkohej shfarosja e popujve të ndryshëm të ish-Jugosllavisë dhe, veçanërisht e shqiptarëve për ta bërë Serbinë e Madhe, apo pas luftës, beteja për tjetërsimin e historisë së Manastirit të Deçanit, së cilit Gjykata Kushtetuese jo vetëm që ia fali me dorën e vet qindra hektarë tokë, por ia dha edhe të drejtën që, citat: “të merrte qiellin, ajrin, shiun, diellin dhe hënën, çdo gjë që i takonte qytezës rrëzë bjeshkës” (fq. 53).
Struktura narrative e romanit “Arkivi i letrave të djegura”, nëpërmjet ndërtimit pjesë-pjesë të ngjarjeve të periudhave të ndryshme historike, në aspektin e shtrirjes kohore nis nga ditët e sotme dhe lëshohet deri në Betejën e Parë të Kosovës, të vitit 1939, betejë të cilën popujt e Ballkanit e kanë humbur nga Perandoria Osmane, por që serbët e kanë përvetësuar si të ishte sall e tyre. Ashtu siç përvetësimi është falsifikim flagrant i historisë, ashtu dhe festimi i humbjes së betejës nga ana e serbëve janë veprime politike, me anë të së cilave provojnë të dëshmojnë e dokumentojnë se këto treva historikisht iu takojnë atyre. Pra, serbët duan të arkivojnë në shpirtin e popullit dhe në arkivin e shtetit e të kishës gënjeshtrën e tyre, e cila s’është tjetër pos mjet politik për gllabërimin e asaj që asnjëherë nuk ka qenë e tyre. Manastiri i Deçanit dhe sjellja politike e institucioneve politike e religjioze serbe, por edhe e politikanëve të pasluftës e edhe e institucioneve juridike të Kosovës, janë strumbullari, janë dhembja dhe pika neuralgjike e romanit “Arkivi i letrave të djegura” të A. Molliqit. Prandaj arkivat digjen. Digjen arkivat gjithandej edhe në Kosovë, jo vetëm gjatë luftës por edhe pas saj, për çka thirret të hetohet në prokurorinë e shtetit protagonisti i romanit “Arkivi i letrave të djegura”.
Nëpër hetuesi e burgje, një pjesë të jetës e ka kaluar edhe Profesori D, i akuzuar se ka pasur lidhje dhe se i ka këshilluar studentët demonstrues, të cilët atëbotë kanë kërkuar të drejtat e tyre dhe avancimin e statusit politik të Kosovës. Histori të ndryshme e copëza biografish të personazheve të romanit “Arkivi…” shpalosen herë pas herë gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjes dhe kështu shkrimtari Molliqi ndërton një strukturë narrative me tipare mozaiku, me situata dramatike, ndonjëherë të spërkatura dhe me një tis të hollë të humorit e sarkazmit e të cilat i ndërlidh sipas rastit dhe nevojës.
Romani “Arkivi i letrave të djegura” ka elemente biografike të autorit dhe dëshmi e fakte të cilat i japin ngjyrimin e një romani dokumentar e të cilat, si të thuash, vijnë nga leximi i “kutisë së zezë”të arkivit, pas djegies së tij.
Përfundimisht, përkundër se autori ka lexuar “kutinë e zezë” të arkivit të djegur, ai e shkruan një arkiv me kuti shumëngjyrëshe.