Zgjedhja e kryeprokurorit, Presidenca: Presim nga KPK t’i adresojë shkeljet procedurale në një proces të ri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javë më parë në një konferencë për medie kishte njoftuar se nuk e ka dekretuar kryeprokurorin Blerim Isufaj.
Në konferencën për media, Osmani kishte numëruar disa shkelje që kanë gjetur lidhur me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufaj kryeprokuror.
Ndërkaq, lidhur me këtë proces, në një deklaratë me shkrim të Presidencës për Telegrafin thuhet se Presidenca pret nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që t’i adresojë shkeljet procedurale të përmendura në atë letër, në një proces të ri.
“Të gjitha çështjet janë trajtuar në letrën/njoftimin e Presidentes, të datës 17 tetor. Presim nga KPK që t’i adresojë shkeljet procedurale të përmendura në atë letër, në një proces të ri”, kanë deklaruar për Telegrafin nga Presidenca.
Ndryshe, javë më parë presidentja Osmani deklaroi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, dhe i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Ajo tutje kishte deklaruar se Këshilli Prokurorial i Kosovës disa herë ka bërë presion për përzgjedhjen e kryeprokurorit.
Presidentja ka përmendur edhe mesazhe, në të cilat, siç ka thënë, ka pasur edhe kërcënime për ngritje aktakuzash e arrestime.
“Çdo letër tjetër që KPK-ja dërgonte përkundër faktit që e dinte se pse nuk po merret vendimi, ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues. Ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme. Njerëz dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton dhe nënshkruan do të ngrisin aktakuza, do t’i lidhim duart. Por, ata duhet ta dinë se në këto dy dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë e as nuk do të bëjnë asnjëherë”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit ka nisur nga fillimi.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka organizuar këtë të premte procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Për këtë pozitë KPK-ja ka intervistuar katër kandidatë, mes të cilëve është edhe Blerim Isufaj i cili kandidon edhe për një mandat në krye të Speciales që tashmë e drejton, përderisa emri i tij vazhdon të insistohet nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit.
Kandidatë të tjerë janë prokurorët, si vijon: Atdhe Dema, Naim Abazi dhe Valdet Gashi.