“Mbreti Lir”, Tolstoi dhe Loloja
GEORGE ORWELL
Pamfletet e Tolstoit janë pjesa më pak e njohur e veprës së tij dhe sulmi ndaj Shekspirit* nuk është i lehtë me të cilin përballesh, sidomos kur e kemi në variantin e përkthyer në anglisht. Prandaj, ndoshta është e dobishme të bëj një përmbledhje të pamfletit përpara se të përpiqem ta shqyrtoj.
Tolstoi fillon duke thënë se gjatë gjithë jetës Shekspiri ka ngjallur tek ai “një ndjenjë të papërballueshme neverie dhe bezdi”. I vetëdijshëm se mendimi i përgjithshëm i botës së qytetëruar është kundër, ai ka bërë përpjekje të pareshtura për t’i njohur sa më mirë veprat e Shekspirit, duke i lexuar dhe rilexuar në rusisht, anglisht dhe gjermanisht, por “Përjetova në mënyrë të pandryshueshme të njëjtat ndjenja; neveri, monotoni dhe çoroditje”. “Tani, në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare, i kam rilexuar edhe një herë të gjitha veprat e Shekspirit, duke përfshirë edhe dramat historike, dhe kam ndier, me forcë edhe më të madhe, të njëjtat ndjenja, por kësaj herë jo atë të çoroditjes, por bindjen e palëkundur se lavdia e padiskutueshme e një gjeniu të madh që ka fituar Shekspiri dhe që i detyron shkrimtarët e kohës sonë ta shkërbejnë (imitojnë), ndërsa lexuesit dhe spektatorët të zbulojnë tek ai merita që nuk ekzistojnë, duke shtrembëruar kësisoj kuptimin e tyre estetik dhe etik, është një e keqe e madhe, ashtu siç është çdo e pavërtetë.
Shekspiri, shton Tolstoi, jo vetëm që thjesht s’është gjeni, por ai s’është as “një autor mesatar”, e për të dëshmuar këtë ai analizon me sy kritik “Mbreti Lir”, dramë e cila, siç është në gjendje të tregojë ai me citate nga Hezlit,[1] Brandis[2] dhe të tjerë, është vlerësuar në mënyrë të tepruar dhe mund të merret si shembull i veprës më të mirë të Shekspirit.
Tolstoi më pas bën një lloj paraqitjeje të subjektit të dramës “Mbreti Lir”, duke e parë në çdo hap si marrëzi, fjalëshumë, të panatyrshme, të pakuptueshme, me stil të fryrë, të rëndomtë, të mërzitshëm dhe me plot ngjarje të pabesueshme, “përçartje të tërbuara”, “shaka pa kripë” anakronizma, vogëlsira, pjesë të turpshme, me konvencione të konsumuara të skenës dhe gabime të tjera morale dhe estetike. Sido që të jetë puna, Liri është plagjiaturë e një drame më të hershme dhe shumë më të mirë, e “Mbreti Leir”, vepër e një autori të panjohur, të cilën Shekspiri e vodhi dhe më pas e shkatërroi. Ia vlen të citojmë një paragraf si shembull që shembullzon (ilustron) mënyrën me të cilën Tolstoi i qaset veprës. Akti III, Skena 2 (në të cilën Liri, Kenti dhe Loloja janë bashkë gjatë shtrëngatës) përmblidhet kështu: Liri ecën nëpër yrt dhe thotë fjalë që synojnë të shprehin dëshpërimin e tij: ai dëshiron që erërat të tërbohen dhe të fryjnë aq fort sa (erërat) të çajnë bulçitë dhe rrëketë e shiut të përmbytin gjithçka, që rrufetë t’ia shkrumbojnë thinjat dhe shkreptimat ta bëjnë pluhur botën dhe të prishin të gjitha farat “nga e cila lind kjo njerëzi mosmirënjohëse”! Loloja vazhdon të thotë fjalë akoma më të pakuptimta. Hyn Kenti: Liri thotë se gjatë kësaj shtrëngate të gjithë katilët do të zbulohen dhe dënohen. Kenti, të cilin Liri ende s’e njeh, përpiqet ta bindë të gjejë mbrojtje nga shtrëngata në një kasolle. Në këtë pikë Loloja shqipton një profeci që s’ka fare lidhje me situatën dhe të gjithë largohen.
Verdikti përfundimtar i Tolstoit për Lirin është se asnjë vëzhgues i pahipnotizuar, nëse një vëzhgues i tillë do të ekzistonte, nuk do të mund ta lexonte deri në fund me ndonjë ndjesi tjetër përveç “mospëlqimit dhe bezdisë”. Dhe patjetër e njëjta gjë është e vërtetë për të gjitha dramat e tjera të lavdëruara të Shekspirit, për të mos përmendur përrallat e pakuptimta të dramatizuara, Perikliu, Nata e dymbëdhjetë, Shtrëngata, Simbelini, Troili dhe Kresida.
Duke u marrë me Lirin, Tolstoi harton një aktakuzë më të përgjithshme kundër Shekspirit. Ai zbulon se Shekspiri është deri-diku i aftë në aspektin teknik, gjë që e ka pjesërisht zanafillën te të qenët aktor, por po t’i heqësh këtë nuk ka asnjë vlerë. Ai s’ka fuqi ta portretizojë personazhin ose të bëjë që fjalët dhe veprimet të burojnë natyrshëm nga situatat, gjuha e tij është njëtrajtësisht e fryrë dhe qesharake, ai vë vazhdimisht mendimet e veta të rastësishme në gojën e çdo personazhi që del se është i dobishëm, shfaq një “mungesë të plotë të ndjenjës estetike”, dhe fjalët e tij “s’kanë asgjë të përbashkët me artin dhe poezinë”.
“Shekspiri mund të ketë qenë çdo gjë që ju pëlqen”, – përfundon Tolstoi, “por s’ka qenë artist”. Për më tepër, mendimet s’i ka origjinale apo interesante, dhe prirja e tij është “nga më të ulëtat dhe më të pamoralshmet”. Çuditërisht, Tolstoi nuk e mbështet këtë gjykim të fundit në pjesë të veprës së Shekspirit, por në pohimet e dy kritikëve, Xhërvajnësit[3] dhe Brandesit. Sipas Xhërvajnësit (ose në çdo rast leximi që i bën Tolstoit atij) “Shekspiri të mëson… se njeriu mund të jetë tepër i mirë”, ndërsa sipas Brandesit “parimi themelor i Shekspirit… është se qëllimi justifikon mjetet”. Tolstoi shton për hesap të vet se Shekspiri ishte një patriot i tipit më të keq por, përveç kësaj, ai mendon se Xhërvanëjsi dhe Brandesi kanë dhënë një përshkrim të vërtetë dhe mjaft të përpiktë të Shekspirit për jetën.
Tolstoi më pas ripërmbledh në disa paragrafë teorinë e tij për artin që ai e ka shprehur më hollësisht diku tjetër. E thënë shkurt, sipas saj kërkohet që tema e një vepre të jetë dinjitoze, të shtjellohet me sinqeritet dhe mjeshtëri të mirë. Një vepër e madhe artistike duhet të trajtojë një temë që është “e rëndësishme për jetën e njerëzimit”, duhet të shprehë diçka që autori e ndien sinqerisht dhe duhet të përdorë metoda të tilla teknike që krijojnë efektin e dëshiruar. Ndërsa Shekspiri është i zhvlerësuar në këtë pikëpamje, i shkujdesur në aspektin e mjeshtërisë dhe i paaftë për të qenë i sinqertë qoftë edhe për një çast të vetëm, ai padyshim është i dënuar.
Por këtu lind një pyetje e vështirë. Nëse Shekspiri është krejt ashtu si na ka treguar Tolstoi, si arriti të bëhet kaq shumë i admiruar? Me sa duket, përgjigjja mund të gjendet vetëm në një lloj hipnoze masive, ose “sugjestionim epidemik”. E gjithë bota e qytetëruar është mashtruar në njëfarë mënyre duke e menduar Shekspirin shkrimtar të mirë, madje edhe demonstrimi më i qartë për të kundërtën s’bën përshtypje, sepse s’kemi të bëjmë me një mendim të arsyetuar, por me diçka të ngjashme me besimin fetar. Gjatë historisë, thotë Tolstoi, ka pasur një seri të pafund “sugjestionimesh epidemike” të tilla, për shembull, kryqëzatat, kërkimi i gurit filozofal, mania për rritjen e tulipanëve që dikur përfshiu Holandën e kështu me radhë. Si shembull bashkëkohor, ai citon, në mënyrë domethënëse, çështjen Dreyfus,[4] rast në të cilin e gjithë bota u përfshi nga një histeri e dhunshme, pa asnjë arsye konkrete. Ka edhe çmenduri të papritura jetëshkurtra për teoritë e reja politike dhe filozofike, ose për këtë apo atë shkrimtar, artist apo shkencëtar, për shembull, Darvini, i cili (në 1903) “po fillon të harrohet”. Dhe në disa raste një idhull popullor krejt i pavlerë mund të mbetet i parapëlqyer për shumë shekuj, sepse “ndodh që çmenduri të tilla, të lindura si pasojë e arsyeve të veçanta që përkrahin rastësisht ngulitjen e tyre, përkojnë në një shkallë të tillë me pikëpamjet e jetës së përhapur në shoqëri, e sidomos në rrethet letrare, sa ato mbahen gjallë për një kohë të gjatë”. Dramat e Shekspirit kanë vazhduar të admirohen për një kohë të gjatë, sepse “ato përkonin me kuadrin mendor jofetar dhe imoral të shtresave të larta të kohës së tij dhe sonës”.
Për sa i përket mënyrës se si filloi fama e Shekspirit, Tolstoi e shpjegon me faktin se ishte “sajuar” nga profesorët gjermanë në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Reputacioni i tij “e ka origjinën në Gjermani dhe prej andej u përhap në Angli”. Gjermanët zgjodhën ta lartësojnë Shekspirin sepse në një kohë kur s’kishte asnjë dramë gjermane për të cilën ia vlente të flitej dhe letërsia klasike franceze kishte filluar të dukej e ftohtë dhe artificiale, ata u mahnitën nga “zhvillimi i zgjuar i skenave” të Shekspirit dhe gjetën po kështu tek ai një shprehje të mirë të qëndrimit të tyre ndaj jetës.
Gëte e shpalli Shekspirin poet të madh, të gjithë kritikët e tjerë u dyndën pas tij si një tufë papagajsh dhe ky pasion i madh ka zgjatur që prej atëherë. Si pasojë kemi zhvlerësimin e mëtejshëm të dramës, dhe Tolstoi tregon kujdes t’i përfshijë dramat e tij kur dënon skenën bashkëkohore dhe një çoroditje të mëtejshme të pikëpamjes morale mbizotëruese. Nga kjo rezulton se “glorifikimi i rremë i Shekspirit” është një e keqe e rëndësishme të cilën Tolstoi e ndien si detyrë ta luftojë.
Ky, pra, është thelbi i pamfletit të Tolstoit. Ndjesia e parë që të krijohet është se duke e përshkruar Shekspirin si një shkrimtar të keq, ai po thotë diçka që është në mënyrë krejt të dukshme e pavërtetë. Por kjo s’është fare e vërtetë. Në realitet s’ka asnjë lloj prove apo argumenti me të cilin mund të tregohet se Shekspiri ose ndonjë shkrimtar tjetër është “i mirë”. As nuk ka ndonjë mënyrë për të provuar përfundimisht se, për shembull, Uoruik Diping[5] është shkrimtar “i keq”. Në fund të fundit, s’ka asnjë test të meritës letrare përveç mbijetesës, e cila në vetvete është thjesht tregues për mendimin e shumicës.
Teoritë artistike si ajo e Tolstoit janë krejt të pavlefshme, sepse jo vetëm që fillojnë me hamendësime arbitrare, por varen nga terma të paqarta (“e sinqertë”, “e rëndësishme” e kështu me radhë) të cilat mund të interpretohen si t’i zgjedhësh ti. Në këtë këndvështrim, s’ke si t’i përgjigjesh sulmit të Tolstoit. Pyetja interesante është: pse ia doli atëherë? Por duhet vënë re, sidoqoftë, se ai përdor shumë argumente të dobëta ose të pandershme. Disa prej tyre ia vlen të vihen në dukje, jo sepse zhvlerësojnë akuzën e tij kryesore, por sepse janë, si të thuash, provë e dashaligësisë.
Si fillim, analiza që ai i bën Mbretit Lir nuk është “e paanshme”, siç mëton dy herë. Përkundrazi, është shprehje e vazhdueshme keqinterpretimi. Është e qartë se kur je duke përmbledhur Mbretin Lir për të mirën e dikujt që s’e ka lexuar, nuk je vërtet i paanshëm nëse paraqet një ligjërim të rëndësishëm (fjalimin e Lirit kur Kordelia ka vdekur në krahët e tij) në këtë mënyrë: “Përsëri fillojnë përçartjet e tmerrshme të Lirit, prej të cilave njeriu ndihet i turpëruar, ashtu si për shakatë e pasuksesshme”. Dhe në shumë e shumë raste Tolstoi i ndryshon ose ngjyros pak fragmentet që kritikon, gjithmonë në mënyrë që ta bëjë subjektin të duket pak më i ndërlikuar dhe i pamundur, ose gjuhën pak më të fryrë. Për shembull, na thuhet se Liri: “nuk ka nevojë apo motiv për abdikim”, megjithëse arsyeja për abdikimin e tij (që është plak dhe dëshiron të tërhiqet nga punët e shtetit) është treguar qartë në skenën e parë. Shihet se edhe në fragmentin që citova më parë Tolstoi e ka keqkuptuar me dashje një frazë dhe ka ndryshuar pak kuptimin e një tjetri, duke e bërë të pakuptimtë një vërejtje që është e arsyeshme në kontekstin e vet. Asnjë nga këto keqlexime nuk është shumë e rëndë në vetvete, por efekti i tyre në rritje është ekzagjerimi i mosvijimësisë psikologjike të dramës. Përsëri, Tolstoi s’është në gjendje të shpjegojë pse dramat e Shekspirit botoheshin ende, dhe pse viheshin ende në skenë, dyqind vjet pas vdekjes (para se të fillonte “sugjestionimi epidemik”), dhe e gjithë fabula e tij për përhapjen e famës së Shekspirit është hamendësim i shoqëruar me shtrembërime të plota. Dhe përsëri akuzat e ndryshme kundërshtojnë njëra-tjetrën: për shembull, Shekspiri është thjesht argëtues dhe “jo i rëndësishëm”, por nga ana tjetër ai vazhdimisht i vendos mendimet e veta në gojën e personazheve të tij.
Në tërësi, është e vështirë të mendosh se kritikat e Tolstoit janë bërë me sinqeritet. Në çdo rast, është e pamundur që ta kishte besuar plotësisht tezën kryesore, të ketë besuar se për një shekull ose më shumë e gjithë bota e qytetëruar ishte mashtruar nga një gënjeshtër e madhe dhe e prekshme të cilën vetëm ai ishte në gjendje ta shquante. Sigurisht që mospëlqimi i tij ndaj Shekspirit është më se i vërtetë, por arsyet për këtë mund të jenë të ndryshme, ose pjesërisht të ndryshme, nga ato që pohon; dhe kjo është arsyeja pse ngjall kërshëri pamfleti i tij.
Në këtë pikë je i detyruar të fillosh të hamendësosh. Megjithatë, ekziston një tregues i mundshëm, ose të paktën është një pyetje e cila mund të na thotë se pse. Pyetja është: pse Tolstoi, kur kishte tridhjetë ose më shumë drama për të zgjedhur, zgjodhi Mbreti Lir si objekt i veçantë sulmi? E vërtetë, Mbreti Lir është kaq e njohur dhe është vlerësuar aq shumë sa me të drejtë mund të merret si përfaqësuese e veprës më të mirë të Shekspirit; megjithatë, për qëllimin e një analize armiqësore, Tolstoi ndoshta zgjodhi dramën që nuk e pëlqente më shumë. A s’është e mundur që të ketë pasur një armiqësi të veçantë pikërisht ndaj kësaj drame, sepse në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme ai e dinte ngjashmërinë midis historisë së Lirit dhe historisë së tij? Por është më mirë t’i qasemi kësaj të dhëne nga drejtimi i kundërt, domethënë duke shqyrtuar vetë dramën “Mbreti Lir” dhe cilësitë e saj që Tolstoi nuk i përmend.
Një nga gjërat e para që lexuesi anglez vuri re në pamfletin e Tolstoit është se ai gati s’e analizon fare Shekspirin si poet. Shekspiri shihet si dramaturg, dhe nëse popullariteti i tij nuk është i rremë, mendohet se është i tillë për shkak të mashtrimeve të artit skenik që u japin mundësi të mira aktorëve të zgjuar. Tani, për sa iu përket vendeve anglishtfolëse, kjo s’është e vërtetë. Disa nga dramat që vlerësohen më së shumti nga dashamirësit e Shekspirit (për shembull, Timoni i Athinës) interpretohen rrallë ose asnjëherë, ndërsa disa nga më të vënat në skenë, si Ëndrra e një nate vere, janë më pak të admiruara. Ata që tregojnë interes më shumë për Shekspirin e vlerësojnë në radhë të parë për përdorimin e gjuhës, “muzikën e fjalëve” të cilën edhe Bernard Shou (Bernard Shaw), një tjetër kritik armiqësor, e pranon se është “magjepsëse”.
Tolstoi e shpërfill këtë dhe duket se s’e kupton që një poezi mund të ketë vlerë të veçantë për ata që flasin gjuhën në të cilën është shkruar. Megjithatë, edhe nëse dikush e vendos veten në vendin e Tolstoit dhe përpiqet të mendojë për Shekspirin si një poet të huaj, është sidoqoftë e qartë se ka diçka që Tolstoi ka lënë jashtë shqyrtimit të tij kritik. Poezia, me sa duket, nuk është vetëm çështje tingulli, shoqërizimesh idesh dhe e pavlerë jashtë grupit të vet gjuhësor: përndryshe, si ka mundësi që disa poezi, përfshirë poezitë e shkruara në gjuhë të vdekura, të arrijnë të kalojnë me sukses kufijtë e vendit të tyre? Është e qartë se një lirikë si: Nesër është dita e Shën Valentinit nuk mund të përkthehej në mënyrë të kënaqshme, por në veprën kryesore të Shekspirit ka diçka të përshkrueshme si poezia që mund të ndahet nga fjalët. Tolstoi ka të drejtë kur thotë se Lir s’është një dramë shumë e mirë si dramë. Është e zgjatur, me shumë personazhe dhe nënsubjekte. Një vajzë e ligë do të kishte mjaftuar, dhe Edgari është një personazh i tepërt: me të vërtetë do të ishte ndoshta një dramë më e mirë nëse Glostëri dhe të dy djemtë e tij të hiqeshin.
Megjithatë, diçka një lloj modeli, ose ndoshta vetëm një atmosferë, u mbijeton ndërlikimeve dhe përmasave. Lir mund të imagjinohet si shfaqje kukullash, mimikë, balet, një seri fotografish. Pjesë e poezisë së saj, ndoshta pjesa më thelbësore, është e qenësishme te historia dhe nuk varet nga asnjë grup i caktuar fjalësh, dhe as nga paraqitja e një njeriu prej mishi dhe gjaku. Mbyllni sytë dhe mendoni për Mbretin Lir nëse mundeni pa kujtuar asnjë dialog. Çfarë shihni? Ja çfarë shoh unë përherë: një plak madhështor me një mantel të zi, të gjatë, me flokë dhe mjekër të thinjur, dallgëzues, një portret nga vizatimet e Blejkut [Blake] (por edhe mjaft kureshtar, si Tolstoi), që endet nëpër një shtrëngatë dhe mallkon qiejt, në shoqërinë e një Loloje dhe një të çmenduri. Tani skena ndryshon dhe plaku, sërish duke mallkuar, sërish duke mos kuptuar asgjë, po mban një vajzë të vdekur në krahë, ndërsa Loloja tërhiqet diku në sfond.
Ky është skeleti i dramës, por edhe këtu Tolstoi dëshiron ta heqë pjesën më të madhe të asaj që është thelbësore. Ai kritikon praninë e shtrëngatës si të panevojshme për Lolon, i cili në sytë e tij është thjesht një telash i lodhshëm dhe justifikim për të bërë shaka pa vlerë, dhe për vdekjen e Kordelias, e cila, siç e sheh ai, i heq dramës forcën morale. Sipas Tolstoit, drama e mëparshme, Mbreti Leir, të cilën e përshtati Shekspiri, përfundon më natyrshëm dhe përputhet më shumë me kërkesat morale të spektatorit sesa ajo e Shekspirit: domethënë me Mbretin e Galëve që pushton tokat e burrave të motrave më të mëdha dhe Kordelian, që nuk vritet, por e rikthen Lirin në pozitën e mëparshme.
Me fjalë të tjera, tragjedia duhet të ishte një komedi, ose ndoshta melodramë. Është e pasigurt nëse ndjenja e tragjedisë është e pajtueshme me besimin në Zot: në çdo rast, ajo s’është e pajtueshme me mosbesimin në dinjitetin njerëzor dhe me llojin e “kërkesës morale” e cila ndihet e mashtruar kur virtyti nuk arrin të ngadhënjej. Një situatë tragjike ekziston pikërisht kur virtyti nuk ngadhënjen, por kur ende ke ndjenjën se njeriu është më fisnik se forcat që e shkatërrojnë atë. Ndoshta është më domethënëse që Tolstoi s’sheh asnjë justifikim për praninë e Lolos. Loloja është pjesë e pandashme e dramës. Ai vepron jo vetëm si një lloj kori, e bën më të qartë situatën qendrore duke e komentuar në mënyrë më inteligjente se personazhet e tjerë, por si kontrast me shpërthimet e furishme të Lirit. Shakatë, gjëegjëzat, lojërat me rimë dhe zbulimet e marrëzive të pafundme të Lirit krenar, duke filluar nga tallja e thjeshtë deri te një lloj poezie melankolike, (Të gjithë titujt e tjerë që i flake; mbajte vetëm atë me të cilin linde[6]), janë si shfaqja e mendjes së shëndoshë që përshkon dramën, e cila na kujton se diku, kudo qoftë, pavarësisht prej padrejtësive, mizorive, intrigave, mashtrimeve dhe keqkuptimeve që po ndodhin këtu, jeta po vazhdon si zakonisht.
Në padurimin e Tolstoit me Lolon mund të zbulojmë kalimthi një arsye më të thellë të grindjes së tij më të madhe me Shekspirin. Ai kundërshton, me një farë arsyetimi, mungesën e harmonisë te dramat e Shekspirit, hollësitë e parëndësishme, subjektet e pabesueshme, gjuhën e fryrë. Por ajo që në fund të fundit ndoshta nuk e pëlqen më shumë është një lloj teprie energjie dhe emocioni, një prirje për të marrë kënaqësi nga procesi i vërtetë i jetës se sa thjesht për të shfaqur interes për të. Është gabim ta shohësh Tolstoin vetëm si një moralist që sulmon një artist. Ai kurrë nuk ka thënë se arti, si i tillë, është i keq apo i pakuptimtë, as se virtuoziteti teknik është i parëndësishëm. Por qëllimi i tij kryesor, në vitet e mëvonshme, ishte ta ngushtonte gamën e vetëdijes njerëzore. Interesat e njeriut, pikat e lidhjes me botën fizike dhe luftën e përditshme, duhet të jenë sa më të pakta të jetë e mundur dhe jo sa më të shumta. Letërsia duhet të përbëhet nga parabola, të jetë e zhveshur nga detajet dhe pothuajse e pavarur nga gjuha.
Parabolat, pikërisht këtu ndryshon Tolstoi nga puritani mesatar i rëndomtë, duhet të jenë vetë vepra arti, por kënaqësia dhe kureshtja duhet të përjashtohen prej tyre. Shkenca, gjithashtu, duhet të shkëputet nga kureshtja. Çështja e shkencës, thotë ai, s’është të zbulojë se çfarë ndodh, por t’u mësojë njerëzve si duhet të jetojnë. Kështu ndodh edhe me historinë dhe politikën. Shumë probleme (për shembull, rasti Dreyfus) thjesht s’ia vlen të zgjidhen, dhe ai është i gatshëm t’i lë ato si përfundime të çlirëta. Në të vërtetë e gjithë teoria e tij e “lajthitjeve” ose “sugjestionimeve epidemike”, në të cilën ai bën bashkë gjëra të tilla si kryqëzatat dhe pasioni holandez i rritjes së tulipanëve, tregon gatishmëri për t’i parë shumë veprimtari njerëzore thjesht si nxitime milingonash sa andej-këtej, diçka e pashpjegueshme dhe jointeresante. Është e qartë se ai s’mund të kishte durim me një shkrimtar kaotik, të detajeve, me larmi subjektesh që kalojnë nga një temë në tjetrën si Shekspiri. Reagimi i tij është ai i një të moshuari nervoz, i cili po bezdiset nga një fëmijë i zhurmshëm. “Pse kërcen lart e poshtë pa pushim ashtu? Pse nuk mund të rrish i qetë si unë?”
Në njëfarë mënyre, plaku ka të drejtë, por halli është se fëmija ndien gjakun që i vërshon në gjymtyrë, gjë që plaku nuk e ndien më. Dhe nëse plaku e di për ekzistencën e kësaj ndjenje, kjo thjesht e shton nervozizmin: po të ishte në dorën e tij, fëmijët do t’i bënte pleq. Tolstoi nuk e di, ndoshta, kjo është vetëm çfarë i shpëton pa pikasur te Shekspiri, por është i vetëdijshëm se diçka i shpëton pa pikasur, dhe është i vendosur që edhe të tjerët të mos e kenë këtë mundësi. Nga natyra ishte arrogant dhe egoist. Edhe pasi ishte në moshë madhore ai përsëri e godiste shërbëtorin e vet në çaste zemërimi dhe pak më vonë, sipas biografit të tij anglez, Derrick Leon, ai ndiente “një dëshirë të herëpashershme që pas provokimit më të vogël të gjuante me shuplakë ata me të cilët s’ishte dakord”. Njeriu s’e shndërron domosdoshmërisht atë lloj temperamenti me anë të konvertimit fetar, dhe në të vërtetë është e qartë se iluzioni i të qenit rilindur mund të lejojë që veset e dikujt të lulëzojnë më shumë se kurrë, edhe pse, ndoshta, në forma më të stërholluar.
Tolstoi ishte i aftë të hiqte dorë nga dhuna fizike dhe të shihte se çfarë nënkupton kjo, por nuk ishte i aftë të tregonte tolerancë apo përulësi, edhe nëse s’dinte asgjë për veprat e tjera, është e lehtë ta dallosh prirjen e tij drejt tiranizimit shpirtëror vetëm nga ky plamflet.
Megjithatë, Tolstoi nuk po përpiqet thjesht t’u grabisë të tjerëve një kënaqësi që s’e ndan me ta. Këtë patjetër që po e bën, por grindja e tij me Shekspirin shkon më tej. Është grindja mes qëndrimeve fetare dhe humaniste ndaj jetës. Këtu kthehemi te tema qendrore e Mbretit Lir të cilën Tolstoi s’e përmend, megjithëse e parashtron subjektin me disa detaje. Liri është një nga të paktat drama të Shekspirit që janë në mënyrë të pagabueshme rreth diçkaje. Siç ankohet me të drejtë Tolstoi, janë shkruar shumë gjepura për Shekspirin si filozof, si psikolog, si “mësues i madh moral” dhe çfarë s’është shkruar. Shekspiri nuk ishte mendimtar sistematik. Mendimet e tij më serioze shqiptohen në mënyrë të parëndësishme ose të tërthortë dhe s’e dimë se deri në çfarë mase ka shkruar me një “qëllim” apo edhe sa nga vepra që i atribuohen atij janë shkruar në të vërtetë prej tij.
Te Sonetet madje s’u referohet asnjëherë dramave si pjesë e arritjeve të tij, megjithëse bën një aludim që duket deri-diku i sikletshëm për karrierën si aktor. Është krejtësisht e mundur që ai të shihte të paktën gjysmën e dramave thjesht si vepra të shkruara për para dhe nuk shqetësohej aq për qëllimin ose mundësitë për aq kohë sa mund të sajonte diçka, zakonisht nga lëndë e vjedhur, e cila harmonizohej pak a shumë si një e tërë në skenë. Megjithatë, kjo nuk është e gjithë historia. Si fillim, siç thekson vetë Tolstoi, Shekspiri e ka zakon të vërë në gojën e personazheve reflektime të përgjithshme, të panevojshme. Ky është gabim serioz për një dramaturg, por nuk përputhet me portretin që Tolstoi i bën Shekspirit si një kalemxhi i rëndomtë që s’ka mendime të veta dhe thjesht dëshiron ta krijojë efektin më të madh në mënyrën më të lehtë të mundshme. Dhe më shumë se kaq, rreth një duzinë nga dramat e tij, të shkruara në pjesën më të madhe më vonë se viti 1600, kanë padyshim një kuptim dhe madje edhe një moral. Ato rrotullohen rreth një teme qendrore e cila në disa raste mund të thuhet me një fjali të vetme. Për shembull, Makbethi ka të bëjë me ambicien, Otello ka të bëjë me xhelozinë dhe Timoni i Athinës ka të bëjë me paratë. Tema e Lirit është heqja dorë nga froni, dhe vetëm nëse do të tregohesh vetë i verbër, mund të mos arrish të kuptosh se çfarë thotë Shekspiri.
Liri heq dorë nga froni, por pret që të gjithë të vazhdojnë ta trajtojnë si mbret. Ai nuk e kupton që nëse dorëzon pushtetin, të tjerët do të përfitojnë nga dobësia e tij: dhe sidomos ata që i bëjnë lajka më shumë, pikërisht Regana dhe Gonerila, i kthehen kundër. Në çastin kur zbulon se s’mund t’i detyrojë më njerëzit t’i binden siç bënte më parë, atë e pushton një zemërim të cilin Tolstoi e përshkruan si “të çuditshëm dhe të panatyrshëm”, por që, në fakt, është në mënyrë të përsosur pjesë e personazhit të tij. Në kulmin e çmendurisë dhe dëshpërimit, Liri kalon nëpër dy gjendje shpirtërore, të cilat sërish janë krejt të natyrshme në rrethanat e tij, megjithëse në njërën prej tyre ka të ngjarë që të përdoret pjesërisht si zëdhënës për mendimet e vetë Shekspirit. Njëra është gjendja e neverisë në të cilën Liri pendohet, si të thuash, që ka qenë mbret, dhe për herë të parë e kupton kalbësinë e drejtësisë zyrtare dhe moralin vulgar. Gjendja tjetër shpirtërore është ajo e tërbimit të pafuqishëm në të cilën ai kryen hakmarrje imagjinare ndaj atyre që i kanë bërë padrejtësi.
“Të kesh një mijë me pështyma të kuqe djegëse/Ejani duke fërshëllyer mbi to!” dhe: “Sikur të kishte nga një mijë djaj/Me hej të skuqur e t’u turreshin, /T’i cingërisin mu në zjarr të ferrit…[7] dhe:
“Ja një kapel’ e bukur: ç’dhelpëri
E hollë luftarake, kur t’i mbath
Kuajt e regjimentit me shajak
Dhe kur t’u shkoj dhëndurëve nga prapa,
Do t’i sulmoj, t’i vras, t’i vras, t’i vras!”.[8]
Vetëm në fund e kupton si një njeri me gjykim të shëndoshë, se pushteti, hakmarrja dhe fitorja nuk vlejnë kur thotë:
“Jo, jo, jo, jo, të vemë shpejt në burg…
…Në burg do të shohim se si vijnë e zhduken/Tarafet e lavditë e të mëdhenjve,/Që hipin e zbresin sipas hënës”.[9]
Por në kohën kur e bën këtë zbulim është tepër vonë, sepse vdekja e tij dhe e Kordelias tashmë janë vendosur. Kjo është historia dhe, pavarësisht prej disa fragmenteve joelegante në rrëfim, është një histori shumë e mirë.
Por a nuk është gjithashtu e ngjashme në mënyrë të çuditshme me historinë e vetë Tolstoit? Në përgjithësi ka një ngjashmëri që vështirë se mund ta shmangësh, sepse ngjarja më mbresëlënëse në jetën e Tolstoit, si në atë të Lirit, ishte një akt i madh i pashkak heqjeje dorë nga bota. Në pleqëri Tolstoi hoqi dorë nga pasuria, titulli, të drejtat e autorit dhe bëri një përpjekje, një përpjekje të sinqertë, megjithëse të pasuksesshme, për ta shmangur pozitën e privilegjuar dhe për të jetuar jetën e një fshatari. Por ngjashmëria më e thellë qëndron në faktin se Tolstoi, ashtu si Liri, veproi mbështetur në motive të gabuara dhe nuk arriti të merrte rezultatet që kishte shpresuar. Sipas Tolstoit, qëllimi i çdo njeriu është lumturia dhe lumturia mund të arrihet vetëm duke bërë vullnetin e Zotit. Por ta bësh vullnetin e Perëndisë do të thotë të heqësh dorë nga të gjitha kënaqësitë dhe ambiciet tokësore dhe të jetosh vetëm për të tjerët. Prandaj, në fund të fundit, Tolstoi hoqi dorë nga bota me shpresën se kjo do ta bënte atë më të lumtur. Por nëse ka një gjë të sigurt për vitet e tij të mëvonshme, ajo është se ai nuk ishte i lumtur. Përkundrazi, gati vajti në zgrip të çmendurisë nga sjellja e njerëzve ndaj tij, të cilët e persekutuan pikërisht për shkak të heqjes dorë. Ashtu si Liri, Tolstoi nuk tregohej i përulur dhe nuk ishte një gjykatës i mirë i karakterit. Kishte çaste të caktuara kur prirej t’u rikthehej qëndrimeve të një aristokrati, pavarësisht prej petkave të fshatarit, dhe madje kishte dy fëmijë të cilëve u kishte besuar dhe që në fund iu kthyen kundër, megjithëse, natyrisht, në një mënyrë më pak të bujshme sesa Regana dhe Gonerila. Neveria e tij e tepruar ndaj seksualitetit ishte gjithashtu qartësisht e ngjashme me atë të Lirit. Vërejtja e Tolstoit se martesa është “skllavëri, ngopje, neveri” dhe do të thotë të durosh afërsinë e “shëmtisë, pisllëkut, erës, plagëve”, përputhet me shpërthimin e njohur të Lirit:
“E sipërmja u përket perëndive
Dhe pjesa e poshtme është krejt e djallit.
Këtu ka qelbësirë, kullufiskë” etj.[10]
Dhe megjithëse Tolstoi s’mund ta parashikonte kur shkroi esenë për Shekspirin, as këtë dhe as fundin e jetës së tij, arratisja e tij e papritur dhe e paplanifikuar në vend, i shoqëruar vetëm nga një vajzë besnike, vdekja në shtëpizën e një fshati të çuditshëm, duket se kanë një lloj ngjashmërie të largët me Lirin.
Natyrisht, s’mund të hamendësohet se Tolstoi ishte i vetëdijshëm për këtë ngjashmëri, ose se do ta kishte pranuar nëse do t’i ishte vënë në dukje. Por qëndrimi i tij ndaj dramës duhet të jetë ndikuar nga tema e saj. Heqja dorë nga pushteti, dhënia e tokave të tua të tjerëve, ishte një temë të cilën kishte arsye të ishte fort e ndjeshme për të. Prandaj, ndoshta zemërohej dhe shqetësohej më shumë nga mësimi moral që nxjerr Shekspiri sesa në rastin e ndonjë drame tjetër, te Makbethi, për shembull, dramë që nuk lidhej aq shumë me jetën e tij. Por cili është saktësisht morali i Lirit? Me sa duket ka dy mësime morale te kjo histori, njëra e dukshme, tjetra e nënkuptuar. Shekspiri fillon duke hamendësuar se ti bëhesh i pafuqishëm kur nxit një sulm ndaj teje. Kjo s’do të thotë se të gjithë do të të kthehen kundër (Kenti dhe Loloja i qëndrojnë Lirit pranë nga fillimi në fund), por me shumë mundësi dikush do të të kthehet kundër. Nëse i flak armët, ato do t’i marrë një person më pak i ndershëm. Nëse kthen faqen tjetër, do të marrësh një goditje më të fortë se e para. Kjo s’ndodh gjithmonë, por është e pritshme dhe s’ke pse ankohesh nëse ndodh. Goditja e dytë është, si të thuash, pjesë e aktit të kthimit të faqes tjetër. Para së gjithash, pra ekziston morali vulgar dhe logjikë te Loloja: “Mos hiq dorë nga pushteti, mos hiq dorë nga tokat e tua”. Por ka edhe një moral tjetër. Shekspiri nuk e shqipton kurrë me shumë fjalë dhe s’ka shumë rëndësi nëse ishte plotësisht i vetëdijshëm për këtë. Është pjesë e historisë, të cilën, në fund të fundit, ai e krijoi ose e ndryshoi për t’iu përshtatur qëllimeve të tij. Ajo është: “Hiq dorë nga tokat e tua nëse do, por mos prit që kjo të të bëjë të lumtur. Ka gjasa të mos bëhesh i lumtur. Nëse jeton për të tjerët, duhet të jetosh për të tjerët, dhe të mos e përdorësh këtë si një mjet të tërthortë për të krijuar një përparësi për veten tënde”. Është e qartë se asnjëri nga këto përfundime s’mund të ketë qenë i kënaqshëm për Tolstoin. E para shpreh egoizmin e zakonshëm nga i cili ai vërtet po përpiqej të shpëtonte. Përfundimi tjetër bie ndesh me dëshirën e tij për të bërë dy gjëra kundërthënëse, domethënë për ta shkatërruar egoizmin e tij dhe duke bërë kështu të fitojë jetën e përjetshme.
Natyrisht, Mbreti Lir nuk është një predikim në mbështetje të altruizmit. Ai thjesht vë në dukje pasojat e vënies në praktikë të vetëmohimit për arsye egoiste. Shekspiri kishte një dell materialisti dhe nëse do të ishte detyruar të merrte anë në dramë, ai me siguri do të shfaqte simpati për Lolon. Por të paktën mund ta shihte çështjen në tërësi dhe ta trajtonte në nivelin e tragjedisë. Vesi dënohet, por virtyti nuk shpërblehet. Morali i tragjedive të mëvonshme të Shekspirit nuk është fetar në kuptimin e zakonshëm dhe sigurisht s’është i krishterë. Vetëm dy prej tyre, Hamleti dhe Otello, me gjasë, ndodhin në epokën e krishterë, por edhe në to, përveç veprimeve të fantazmave te Hamleti, s’ka asnjë tregues të një “bote tjetër” ku gjithçka duhet të jetë në vendin e vet. Të gjitha këto tragjedi nisin me hamendësimin humanist se jeta, edhe pse e mbushur me pikëllim, ia vlen të jetohet dhe se njeriu është një kafshë fisnike, një bindje që Tolstoi s’e kishte në pleqëri.
Tolstoi nuk ishte shenjtor, por u përpoq shumë të bëhej shenjtor dhe standardet që ai zbatoi në letërsi ishin shpirtërore. Është e rëndësishme të kuptojmë se ndryshimi midis një shenjtori dhe një qenieje të zakonshme njerëzore ka të bëjë me llojin dhe me shkallën e shenjtërisë. Kjo do të thotë se njëra s’duhet të shihet si një formë e papërsosur e tjetrës. Shenjtori, gjithsesi, lloji i shenjtorit të Tolstoit, s’po përpiqet të bëjë një përmirësim në jetën tokësore: ai po përpiqet t’i japë fund dhe të vendosë diçka tjetër në vend të saj. Një shprehje e qartë e kësaj është mëtimi (pretendimi) se përkorja seksuale është “më e lartë” se martesa. Sikur vetëm të reshtnim riprodhimin, luftën, përpjekjet dhe të kënaqurit, thotë Tolstoi, sikur të mund të çliroheshim jo vetëm nga mëkatet tona, por nga çdo gjë tjetër që na lidh me sipërfaqen e tokës, duke përfshirë dashurinë, në kuptimin e zakonshëm të kujdesit më shumë për një qenie njerëzore sesa për një tjetër, atëherë i gjithë ky proces i dhimbshëm do të merrte fund dhe do të vinte Mbretëria e Qiellit. Por një qenie njerëzore normale s’dëshiron Mbretërinë e Qiellit. Ai dëshiron që jeta në tokë të vazhdojë. Kjo s’ndodh vetëm sepse ai është “i dobët”, “mëkatar” dhe në ankth për një “kohë të mirë”. Shumica e njerëzve e kalojnë jetën me goxha shumë dëfrime, por në përgjithësi jeta është vuajtje, dhe vetëm të rinjtë ose ata që janë shumë budallenj e imagjinojnë ndryshe. Në fund të fundit, është qëndrimi i krishterë ai që është egoist dhe hedonist, pasi qëllimi është të largohemi gjithmonë nga mundimet e dhimbshme të jetës tokësore dhe ta gjejmë paqen e përjetshme në një lloj Parajse ose Nirvane. Qëndrimi humanist është mundimet duhen të vazhdojnë dhe se vdekja është çmimi i jetës. “Njeriu duhet ta durojë vdekjen/Ashtu siç duroi lindjen, / Veçse duhet të jetë i përgatitur[11] – është një ndjenjë jo e krishterë. Shpesh në dukje ka një armëpushim mes humanistit dhe besimtarit fetar, por në fakt qëndrimet e tyre s’mund të pajtohen: duhet zgjedhur mes kësaj bote dhe botës tjetër. Dhe shumica e madhe e qenieve njerëzore, nëse do ta kuptonin çështjen, do të zgjidhnin këtë botë. Ata e bëjnë këtë zgjedhje kur vazhdojnë të punojnë, të shumohen dhe të vdesin në vend se të mos i bëjnë këto me shpresën për të marrë një shpërblim të ri ekzistence diku tjetër.
Nuk dimë shumë për bindjet fetare të Shekspirit dhe nga dëshmitë e shkrimeve të tij do të ishte e vështirë të vërtetohej se ai kishte ndonjë. Por gjithsesi nuk ishte shenjtor dhe as një shenjt i mundshëm: ai ishte një qenie njerëzore dhe në një farë mënyre jo shumë e mirë. Është e qartë, për shembull, se i pëlqente t’i mbështeste të pasurit dhe të fuqishmit dhe ishte në gjendje t’u bënte lajka në mënyrën më servile. Ai është gjithashtu dukshëm i kujdesshëm, për të mos thënë frikacak, për të mos shprehur opinione që s’janë popullore. Pothuajse asnjëherë nuk vë një vërejtje armiqësore ose skeptike në gojën e një personazhi që mund të identifikohet me të. Në dramat e tij kritikët e mprehtë shoqërorë, njerëzit që s’mashtrohen nga bindje të gabuara të pranuara, janë bufonë, zuzarë, të çmendur ose persona që shtiren të çmendur ose janë në një gjendje histerie të dhunshme.
Liri është një dramë në të cilën kjo prirje është veçanërisht e theksuar. Ajo përmban shumë kritika sociale të nënkuptuara, një tipar që Tolstoi s’e ka vënë re, por të gjitha shqiptohen ose nga Loloja, ose nga Edgari kur ai mëton të jetë i çmendur, ose nga Liri gjatë ndërkohëve të çmendurisë. Në çastin e gjykimit të shëndoshë Liri vështirë se bën ndonjëherë një vërejtje inteligjente. E megjithatë vetë fakti që Shekspirit iu desh të përdorte këto dredhi tregon se sa të larmishme ishin mendimet e tij. Ai mund të mos komentonte thuajse asgjë, megjithëse për ta bërë këtë vendosi një sërë maskash. Nëse dikush e ka lexuar një herë Shekspirin me vëmendje, s’mund të mos e kalojë një ditë pa e cituar, sepse s’ka shumë tema të një rëndësie madhore që ai të mos i diskutojë ose të paktën t’i përmend aty-këtu, në mënyrën e tij josistematike, por ndriçuese. Edhe gjërat e parëndësishme që mbushin çdo dramë të tij, lojërat e fjalëve dhe gjëegjëzat, listat me emra, copëza reportazhi si biseda e korrierëve te Henri IV, shakatë e çuditshme, fragmentet e shpëtuara nga balada të harruara, janë thjesht fryt i një force të tepërt jetësore.
Shekspiri nuk ishte filozof apo shkencëtar, por kishte kureshtje: ai e donte sipërfaqen e tokës dhe procesin e jetës gjë që, duhet përsëritur, nuk është e njëjta gjë si të duash të kalosh mirë dhe të mbetesh gjallë për aq kohë sa të jetë e mundur. Sigurisht, nuk është për shkak të cilësisë së mendimit të tij arsyeja pse Shekspiri i ka mbijetuar kohës dhe ai mund të mos mbahej mend as si dramaturg nëse s’do të kishte qenë edhe poet. Burimi kryesor i pushtetit të tij te ne është përmes gjuhës. Se sa thellë ishte magjepsur vetë Shekspiri nga muzika e fjalëve mund të arrijmë në përfundim nga fjalimet e personazhit Pistëll te Henri V. Ajo që ai thotë është në pjesën më të madhe e pakuptimtë, por nëse i shqyrtojmë rreshtat e tij veçmas, ato janë vargje madhështore retorike. Siç duket, fragmente marrëzish tingëlluese (Lërini ujërat të vërshojnë, dhe djajtë e uritur të ulërijnë etj.[12]) po shfaqeshin vetvetiu vazhdimisht në mendjen e Shekspirit dhe duhej shpikur një personazh gjysmë i çmendur për t’i përdorur ato.
Gjuha amtare e Tolstoit nuk ishte anglishtja dhe askush s’mund ta fajësojë pse nuk u prek nga vargjet e Shekspirit, madje, ndoshta, as për refuzimin për të besuar te mjeshtëria që Shekspiri tregonte me fjalët. Por ai do të kishte refuzuar plotësisht edhe nocionin e vlerësimit të poezisë vetëm për tekstin e saj, ta vlerësonte atë, le të themi, si një lloj muzike. Nëse në njëfarë mënyre do t’i ishte vërtetuar se i gjithë shpjegimi i tij për përhapjen e famës së Shekspirit është i gabuar, se brenda botës anglishtfolëse, gjithsesi, popullariteti i Shekspirit është i vërtetë, se thjesht aftësia e tij në vendosjen e një rrokjeje pranë tjetrës i ka dhënë kënaqësi të pamatë anglishtfolësve brez pas brezi, e gjitha kjo s’do të ishte llogaritur si meritë e Shekspirit, por e kundërta. Thjesht do të kishte qenë një provë më shumë e natyrës jofetare dhe tokësore të Shekspirit dhe admiruesve të tij. Tolstoi do të kishte thënë se poezia duhet gjykuar nga kuptimi i saj dhe se tingujt magjepsës thjesht bëjnë që kuptimet e rreme të kalojnë pa u vënë re. Në çdo nivel është e njëjta çështje, kjo botë kundër botës tjetër, dhe sigurisht muzika e fjalëve është diçka që i përket kësaj bote.
Ka pasur gjithmonë pezull një lloj dyshimi për karakterin e Tolstoit ashtu si për karakterin e Gandit. Ai nuk ishte një hipokrit i rëndomtë, siç shpallin disa se ishte dhe ndoshta do t’i kishte imponuar vetes sakrifica edhe më të mëdha nëse s’do t’i ndërhynin në çdo hap njerëzit që e rrethonin, veçanërisht e shoqja. Por nga ana tjetër është e rrezikshme të vlerësosh dikë si Tolstoi sipas asaj që thonë dishepujt e tij. Ekziston gjithmonë mundësia, gjasat janë në të vërtetë, që ata të mos kenë bërë asgjë tjetër përveçse kanë shkëmbyer një formë egoizmi me një tjetër. Tolstoi hoqi dorë nga pasuria, fama dhe privilegji, hoqi dorë nga dhuna në të gjitha format e saj dhe ishte gati të vuante si pasojë e këtij veprimi, por nuk është aq e lehtë të besohet se ai hodhi poshtë parimin e bindjes me anë të detyrimit, ose të paktën nga dëshira për t’i detyruar të të tjerët të binden. Ka familje në të cilat babai i thotë fëmijës së tij: “Do ta këpus veshin nëse e bën përsëri”, ndërsa nëna, me sytë e mbushur me lot, e merr fëmijën në krahë dhe i murmurin me dashuri. “Tani, i dashur, a ka dëshirë mami që të të ndodhë ty kjo?” Dhe kush do të thoshte se metoda e dytë është më pak tirane se e para? Dallimi që me të vërtetë ka rëndësi nuk është midis dhunës dhe jodhunës, por mes të pasurit dhe të mos pasurit oreks për pushtet. Ka njerëz që janë të bindur për ligësinë si të ushtrive ashtu edhe të forcave të policisë por që, megjithatë, janë shumë më intolerantë dhe inkuizitorë në botëkuptim se njeriu normal që beson se është e nevojshme të përdoret dhuna në rrethana të caktuara. Ata nuk do t’i thonë dikujt tjetër: “Bëje këtë, atë dhe atë tjetrën ose do të shkosh në burg” por, nëse munden, do të hyjnë në trurin e tij dhe do t’i diktojnë mendimet e tij për të edhe në detajet më të vogla. Kredo si pacifizmi dhe anarkizmi, të cilat në sipërfaqe duket se nënkuptojnë një heqje dorë të plotë nga pushteti, në të vërtetë e nxisin më tepër këtë zakon të mendjes. Sepse nëse keni përqafuar një besim që duket se është i çliruar nga pisllëku i zakonshëm i politikës – një besim nga i cili ju vetë nuk mund të prisni të keni ndonjë përfitim material – me siguri kjo vërteton se jeni në anën e të drejtës? Dhe sa më shumë të jeni në anën e të drejtës, aq më e natyrshme është që të gjithë të tjerët të detyrohen të mendojnë në të njëjtën mënyrë. Nëse pritet të besojmë atë që ai thotë në pamfletin e tij, atëherë Tolstoi s’ka mundur kurrë të shohë ndonjë meritë te Shekspiri dhe habitej gjithmonë kur shihte se kolegët e tij shkrimtarë, Turgenev, Fet dhe të tjerë, mendonin ndryshe.
Mund të jemi të sigurt se në ditët e tij të mospendimit përfundimi i Tolstoit do të ishte: “Ti e pëlqen Shekspirin, unë jo. E lëmë me kaq”. Më vonë, kur perceptimi se secili ka shijen e tij e braktisi, ai filloi të mendonte për shkrimet e Shekspirit si diçka të rrezikshme për vetë atë. Sa më shumë kënaqësi të merrnin njerëzit nga Shekspiri, aq më pak do ta dëgjonin Tolstoin. Prandaj askush s’duhet të lejohet ta shijojë Shekspirin, njësoj sikur askush s’duhet të lejohet të pijë alkool apo duhan. E vërtetë, Tolstoi nuk do t’i pengonte me forcë. Ai s’kërkon që policia të konfiskojë çdo kopje të veprave të Shekspirit. Por do të hedhë baltë mbi Shekspirin, nëse mundet. Ai do të përpiqet të hyjë në mendjen e çdo dashnori të veprës së Shekspirit dhe të vrasë kënaqësinë që merr me çdo mashtrim që mund të mendojë, duke përfshirë, siç e kam treguar në përmbledhjen e pamfletit të tij, argumente që janë vetëkundërthënëse apo që madje ngjallin dyshime të jenë të sinqerta.
Por në fund fare, gjëja më e habitshme është se sa pak rëndësi ka kjo. Siç thashë më herët, s’mund t’i përgjigjesh pamfletit të Tolstoit, të paktën për pikat kryesore të tij. S’ka asnjë argument me të cilin mund të mbrohet një poezi. Ajo mbrohet duke mbijetuar, ose është e pambrojtur. Dhe nëse ky test është i vlefshëm, mendoj se vendimi në rastin e Shekspirit duhet të jetë “i pafajshëm”. Si çdo shkrimtar tjetër, edhe Shekspiri mund të harrohet herët a vonë, por nuk ka gjasa që ndaj tij të ngrihet kurrë një aktakuzë më e rëndë se kjo. Tolstoi ishte ndoshta letrari më i admiruar i epokës së tij dhe sigurisht që nuk qe më pak i aftë edhe si pamfletist. Ai përdori të gjitha fuqitë e tij si akuzator ndaj Shekspirit, si të gjitha armët e një luftanijeje që buçasin njëkohësisht. Dhe me çfarë rezultati? Dyzet vjet më vonë Shekspiri është ende aty, krejtësisht i paprekur, dhe nga përpjekja për ta shkatërruar atë s’ka mbetur asgjë përveç faqeve të zverdhura të një pamfleti që vështirë se e ka lexuar kush dhe që do të harrohej fare nëse Tolstoi s’do të ishte autori i Lufta dhe paqja dhe Ana Karenina.
Polemics, nr. 7. Londër, mars 1947
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 19 i revistës “Akademia”
[1] William Hazlitt (1778-1830), eseist, dramatarug dhe kritik letrar, piktor, dhe filozof anglez, një nga kritikët dhe eseistët më të mëdhenj në historinë e gjuhës angleze. (Shënim i përkthyesit.)
[2] Georg Brandes (1842-1927) kritik dhe studiues danez që ndikoi shumë në letërsinë skandinave dhe evropiane nga vitet 1870 deri në fund të shekullit 20. (Shënim i përkthyesit.)
[3] Georg Gervinus (1805-1871), historian letrar dhe politik gjerman, autor i Komentarëve të Shekspirit, (1863). (Shënim i përkthyesit.)
[4] Alfred Dreyfus (1859-1935) oficer i artilerisë franceze me prejardhje hebreje, gjyqi dhe dënimi i të cilit më 1894, me akuzën e tradhtisë ndaj Francës në shërbim të Gjermanisë, u bë një nga dramat politike më polarizuese në historinë moderne franceze. Shkrimtari i shquar Emil Zola i shkroi në janar të vitit 1898 një letër të hapur presidentit të Francës kundër histerisë ndaj Dreyfusit, ngaqë kishte prejardhje hebreje. Pas një odiseade disavjeçare, çështja rigjykohet dhe Dreyfus shpallet i pafajshëm. (Shënim i përkthyesit.)
[5] George Warwick Deeping, tregimtar dhe romancier, romani më i njohur i të cilit ishte Sorrelli dhe i biri. (Shënim i përkthyesit.)
[6] Mbreti Lir, Akti I, Skena IV.
[7] Akti 3, Skena 6.
[8] Akti IV, Skena 6.
[9] Akti V, Skena 3.
[10] Akti IV, Skena 6.
[11] Akti V, Skena 2. Të gjitha fragmentet e cituara nga Mbreti Lir janë sipas përkthimit të Skënder Luarasit. (Shënim i përkthyesit.)
[12] Henri IV, Akti 2, Skena 1.