24 hektarët tokë Manastirit të Deçanit, kompromisi më i dhimbshëm që ka bërë kjo qeveri
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit ka qenë vendimi më i dhimbshëm i kësaj qeverie.
Por, njeriu nr. 2 i Vetëvendosjes e ka përkrahur vendimin e kryeministrit Albin Kurti për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit ortodoks. Ai ka thënë se nga viti 2015 bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar të merrej vendimi për pronat rreth Manastirit të Deçanit, me arsyetimin se këtë e ka obligim Kosova. E tani, ka shtuar ai, Kosova po fiton anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Qe disa vite kërkohej nga Kosova të merrte vendim për pronat e Manastirit të Deçanit me arsyetimin se Kosova e ka për obligim ta bëjë këtë. Tash për herë të parë prej janarit nuk thuhet bëjeni sepse e keni obligim, por bëjeni sepse mund të arrini diçka të madhe për Kosovën qe i bie Këshilli i Evropës”, ka thënë Konjufca, në një intervistë në emisionin “Politiko” në Kanal10.
Ai ka thënë se ky vendim është një kompromis, të cilin e ka quajtur me të dhimbshmin që e ka bërë kjo qeveri.
Indirekt, Konjufca ka lënë të kuptohet se Kosova mund ta pranojë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në këmbim për njohjen de facto nga Serbia.