Izmir Zeqiri do ta vazhdojë punën e kryetarit të Zubin Potokut
Ka dështuar dje procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës.
Serbët lokalë, ani pse kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve, më vonë e kanë bojkotuar procesin, sikurse ka bërë thirrje Lista Serbe.
Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, për portalin rtv21.tv ka thënë se e ka ditur që do ta çojë mandatin deri në fund, teksa ka bërë me dije se nuk ka marrë pjesë në votim.
Tutje Zeqiri ka thënë se “unë do ta vazhdoj punën normalisht”.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në konferencën për medie pas mbylljes së qendrave të votimeve, ka deklaruar se numri total që morën pjesë në këto zgjedhje ka qenë 253 persona, prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.
Kujtojmë se Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.