“Kur dhimbja flet”, një copë shpirti shndërruar në libër
Majlinda Sinani Lulaj
Secila formë shprehjeje artistike është një xham i hollë e i tejdukshëm i shpirtit të njeriut. Sidomos fjala e shkruar. Në veçanti poezia. Poezia nuk ka një cep, një kënd, një mur pas të cilit mund të fshihesh. Ajo nuk tjetërson shpirtin e shkronjësit; e shfaq tejanshëm e besnikërisht të përtejmen e njeriut, kthinat e vogla tek të cilat shpesh njeriu heziton të hyj edhe kur është vetëm për vetëm. E tillë është edhe poezia e Mimoza Bytyqit Rrahmanit në librin kushtuar birit të saj Uranit, me titull “Kur dhimbja flet”.
Një shpërfaqje e përimtësuar e një shpirti te veçantë, një vështrim sy me sy me veten dhe botën, një përballje e dinjitetshme me atë Mimozën në anën tjetër të xhamit, Mimozën e ëndrrave te shumta, të energjisë së pafundme, të guximit, të kurajës, të durimit, të shembullit, të përkushtimit…
Zakonisht, supozohet se një kritikë letrare duhet të bëj vlerësimin e një vepre letrare. Pajtohem me atë rrymë që një vlerësim të tillë e shohin si subjektiv dhe shpesh e shumë më tepër si çështje shijeje personale. Megjithatë, mendoj se subjektivizmi në poezi shkon përtej shijes. Te rasti i poezisë së Mimozës, poezia të krijon një lloj gjendjeje, që të merr me vete e të unifikon me ndjesinë që përcjellë.
Në fakt, në morinë e poezive që shkruhen, ka shpesh të atilla që janë vërtetë art i kulluar, e bëjnë botën me te bukur e të mbeten gjatë në mendje. Megjithatë, ka po ashtu të atilla poezi që nuk janë thjesht një servim që kënaq syrin a zemrën, por shkojnë më tej: kanë efektin transformues tek lexuesi dhe mendoj që poezia e përmbledhjes që po promovohet sot ka pikërisht këtë fuqi metamorfizuese te lexuesi.
Autorja e librit që keni në duar nuk e sjell konceptin tradicional të shpërfaqjes së dhimbjes, që të step, të pikëllon, të turbullon shikimin e të vendos brenda një vorbulle prej së cilës nuk gjen rrugën të dalësh… Përkundrazi! Ajo transmeton forcë, ajo gjen fijet e vogla të dritës që janë fshehur në thellësitë e shpirtit e të mendjes së saj dhe i bën diell në një botë që di të jetë të shumtën e mugtë e plot re.
Dhimbja e saj nuk flet përvajshëm, ankueshëm e me tone pikëlluese… dhimbja e saj të sheh në sy, bën pyetje e jep përgjigje… e kur nuk arrin të gjejë sepse-të…, sërish nuk stepet… e gjen një shteg, e gjen një mundësi, e gjen një strehë, e gjen një horizont… për të thënë zëshëm e me guxim se fati na sjell një dorë letrash jo gjithmonë si i duam, por qëndron brenda nesh mënyra se si vendosim t’i luajmë!
Përmbledhja me poezi “Kur dhimbja flet…” e sjell poezinë e vargut të lirë, të çliruar nga metri i njëjtë, nga rima a nga ritmi i rregullt. Intonacioni ndjek logjikën, kursen fjalën, ruan baraspeshën e ngarkesës emocionale dhe është tharmi i një organizimi të veçantë gjuhësor, me tendencën e një stili goxha unik dhe ekzakt sa i përket qëllimit të fjalës, brenda modelit individual poetik të autores si krijuese.
Për dikë që do ta lexonte poezinë e saj, pa e njohur autoren dhe pa e ditur se ky është libri i parë i saj, jam e bindur se përshtypja do të ishte sikur lexon një autore të sprovuar, që gdhend fjalën aq sa duhet, dendëson mendimin aq sa kërkohet, shtyn ndjesinë aq sa nuk kalon në patetizëm, përsërit aq sa të krijoj efektin që do, e di saktë ku e ka qëllimin, e ka te natyrshme teknikën dhe e zbraz me fund shpirtin.
Vërtetë kam pasur fatin ta kem versionin fillestar të librit e në bashkëpunim të ngushtë me autoren, jam përpjekur t’i jap aq dore sa mbase zanati i të shkruarit kërkon nga një tjetër që i besohet mendimi. Megjithatë, duhet ta theksoj se ndërhyrjet në brendinë e librit, në rrjedhën e poezive, në mënyrën e të shprehurit, në kompozicionin poetik të përbrendshëm të poezive veç e veç, por edhe bashkë, janë minimale e shumë periferike.
Duke qene se këto poezi kane pasur një subjekt tematik dhe autorja e ka shkruar dhe ndjere fjalën si fije palce, jo thjesht në momentin e krijimit, por edhe kur librit i është dhënë forma për botim, jam përpjekur maksimalisht ta respektoj ndjesinë e saj, të cilës autorja i ka qëndruar besnike. Mendoj se kjo gjë, në fakt, është thelbi i këtij libri: lexuesi e ka te pamundur ta lexoj përmbledhjen e të mos marrë frymë njëlloj apo edhe të mbajë frymën sikur autorja vetë.
Ky nuk është një libër që gjen motive të largëta, të herë pas hershme, fragmentare, nga margjinat… ky libër është secila minutë, secila sekondë e një mënyre të jetuari, së cilës Mimoza i ka dhënë zë, jo vetëm si poete, por në radhë të parë si nënë, si bashkëshorte, si bijë, si motër, si shoqe… dhe mbi të gjitha si njeri. Jam e bindur se tek zëri saj do të gjejnë zërin e tyre të tjerë njerëz, tek te cilët dhimbja nuk ka gjetur ndoshta ende rrugën a mënyrën të flasë.
Me urimet më të mira për autoren nuk ndaj dot falënderimin që ma ka besuar redaktimin, sepse, duke ia njohur karakterin, e di dhe e kuptoj sa e vështirë ka qenë për të, për diçka si ky libër, që nuk është se thjesht buron nga shpirti, por pse është copë shpirti!
(Recension lexuar me rastin e përurimit të librit “Kur dhimbja flet”, të autores Mimoza Bytyqi Rrahmani, mbrëmë në lokalin e “Europa House”)
Fotografinë në brendi: Albana Bytyqi