Biblioteka Kombëtare e Kosovës, paga të ndryshme për punë të njëjta
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës javën e kaluar ka rishpallur konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Mandati i drejtorit është katër vjet, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat. Kategoria funksionale e kësaj pozite është “Krijues dhe performues i artit dhe kulturës – Drejtues/e i/e Lartë 1”. Edhe pse komisioni i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (DMPZ) punonjësit e Bibliotekës Kombëtare nuk i ka futur në listën e performuesve të artit dhe kulturës, udhëheqësit e Bibliotekës Kombëtare nuk e kanë tumirur vendimin e DMPZ-së.
Gazeta “Epoka e re” ka marrë informacione se ushtruesja e detyrës e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Bukurije Haliti, vazhdon të marrë pagë të krijueses dhe performueses së artit dhe kulturës. Përpos saj, pas kalimit të mandatit të ish-drejtorit, Fazli Gajraku, u. d. e BKK-së, Bukurije Haliti, ish-drejtorit, Fazli Gajrakut, i ka bërë një kontratë të performuesit të artit dhe të kulturës, në pozitën zyrtar i lartë i koleksioneve të veçantë, me koeficient 8, e cila pozitë nuk parashihet në organogramin e bibliotekës. Përpos Halitit dhe Gajrakut, janë edhe tre punonjës të tjerë të Bibliotekës Kombëtare të cilët marrin pagë të krijuesve dhe përformuesve të artit dhe kulturës në kundërshtim me vendimin e DMPZ-së. Në këtë mënyrë, duke dhënë paga të ndryshme për pozita të njëjta për punonjësit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës po bën favorizim të punonjësve. Lidhur me këtë çështje Shoqata Sindikale e Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës i ka bërë kërkesë Këshillit Drejtues të bibliotekës për takim, por nuk ka marrë përgjigje prej tij. Po e njëjta sindikatë ka kërkuar takim edhe me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, për të diskutuar për statusin e punonjësve të bibliotekës, por as ministri Çeku nuk ka shprehur gatishmërinë të takohet me kryetarin e Shoqatës Sindikale të Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Ramush Zeka dhe me kryesinë e saj.
Zeka ka njoftuar se diskriminimi i punonjësve të bibliotekës, disave duke u bërë kontratë të përformuesve të artit dhe të kulturës e të tjerët duke i lënë me kontratë të zyrtarëve publikë, nuk ka nisur tash nga u. d.-ja, por nga ish-drejtori, Fazli Gajraku. “Drejtori i kaluar, Fazli Gajraku, tre punonjësve u ka nënshkruar kontrata të përformuesve të artit dhe të kulturës, kurse u. d.-ja i ka bërë kontratë ish-drejtorit Fazli Gajraku kontratë të përformuesit të artit dhe të kulturës. Kjo mund të ndodhë vetëm në institucionin tonë. Askund tjetër. Diskriminimin e punonjësve që pati nisur Gajraku, po e vazhdon ushtruesja e detyrës së drejtorit, Bukurije Haliti. Në shoqatën që udhëheq vazhdimisht më vijnë ankesa nga kolegët – punonjësit e bibliotekës – pse po ndodh ky diskriminim mesh nesh. Është e vërtetë se këtu punën që bëjnë përformuesit e artit dhe të kulturës, ata tre punonjësit që i ka pranuar në punë Fazli Gajraku, edhe punën që bën vetë Gajraku, e bëjnë edhe rreth tridhjetë punonjës të tjerë, por që marrin pagë të zyrtarëve publikë, jo të përformuesve të artit dhe kulturës. Unë kam bërë përpjekje për këtë çështje të bisedoj me anëtarët e Këshillit Drejtues, me ministrin Çeku dhe me zëvendësuesin e sekretarit të MKRS-së, por asnjëri nuk më ka pritur në takim. Meqë ankesat tona më nuk ka për obligim t’i trajtojë më Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës, kolegëve të bibliotekës u kam sugjeruar të bëjnë padi në gjykatë, duke marrë shkas nga puna e njëjtë e nga paga e ndryshme. Edhe pse lëndët në gjykatë mund të vonohen, e di që një ditë paditësit do të fitojnë”, ka thënë Zeka për gazetën “Epoka e re”.
Gazeta “Epoka e re” ka kërkuar prej Zekës listën e pagave të punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, por ai ka thënë: “Nuk e kam as unë, edhe pse zyra e financave e ka për obligim të ma japë, pasi që jam kryetar i shoqatës. Disa herë, i kam edhe të protokolluara, i kam bërë kërkesë ish-drejtorit Fazli Gajrakut për listën e pagave, por nuk ma ka dhënë. Nëse mund ta merrni ju prej tyre si gazetë, do të ishte mirë edhe për ne, që të shohim kush sa merr pagë dhe kush tjetër paguhet për orë shtesë”.