Egnatia, kampione e Shqipërisë
Egnatia është zyrtarisht skuadra kampione e Superiores. Rrogozhinasit shkruajnë historinë në futbollin shqiptarë, teksa ngrejnë lart trofeun e titullit për herë të parë në historinë e tyre.
Egnatia triumfoi 1-0 ndaj Partizanit në “Air Albania”, ku goli i Ibrahimoglu do të vendoste fatet e këtij takimi.
Egnatia kishte një dominim absolut ndaj Partizanit në pjesën e parë. Rrogozhinasit bënë një lojë të mirë në 45-minutat e para, duke “shtypur” demat në “Air Albania”.
Sigurisht goli i Ibrahimoglus në minutën e 35-të të pjesës së parë ngriti “peshë” të gjthë rrogozhinasit, ndërsa la të shtangur nën vend të kuqtë.
Po në pjesën e parë, të kuqve iu anulua një gol, pasi Taylor pa një faull brenda zonës së Egnatias.
Edhe pjesën e dytë ekipi i Edlir Tetovës e nisi vrullshëm, por më pas Partizani nisi të fitonte terren.
Rrogozhinasit u mbrojtën më shumë, teka nuk munguan rastet për gol në të dyja portat.
Alen Sherri në minutën e 67-të bën një pritje fantastike, teksa ndal në gol të sigurtë të Taipit.
Gjithashtu Spahiu në minutën e 81-të të sfidës goditi shtyllën, me Egnatian që i shkoi këshut afër golit të dytë.
Minutat e mbetura do të ishin mjaft të luftuara, por nuk do të kishte ndryshim rezultati deri në fund.
Egnatia fiton kështu ndaj Partizanit dhe koleksionon trofeun e titullit që është i pari në historinë e klubit rrogozhinas dhe janë pikërisht të kuqtë që i dorëzojnë kurorën në “Air Albania”.
Fitorja e titullit vjen vetëm pak javë pasi Egnatia triumfoi edhe në Kupën e Shqipërisë ndaj Kukësit, po në stadiumin “Air Albania”.