Parlamenti gjerman zgjat mandatin e KFOR-it në Kosovë
Ushtarët gjermanë do të marrin pjesë për një vit tjetër në praninë ndërkombëtare të sigurisë të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR). Kjo u miratua nga Bundestagu të enjten, më 27 qershor 2024, në një votim emëror me 535 vota pro, 91 kundër dhe dy abstenime.
Në fillim të seancës, deputetët përshëndetën me ovacione të gjata disa nga veteranët e luftës së Kosovës që ishin të pranishëm në tribunë, ndër ta edhe ish-komandanti i KFOR-it, Roland Kather. Më parë në Parlament kishte pasur një debat afro 40-minutësh.
Roth e Mijatovic: Kritika ndaj politikës së Vuçiq
Boris Mijatovic (Të Gjelbrit) theksoi nevojën e misionit të KFOR-it si një stabilizues në rajon për 25 vjet dhe lavdëroi angazhimin e ushtarëve. Ai kritikoi politikën nacionaliste të Vuçiqit dhe politikanëve të tjerë që nxisin tensione dhe vuri në dukje rëndësinë e KFOR-it për sigurinë. “Politika e tij nacionaliste paraqet një rrezik të qëllimshëm për rajonin. Ushtria serbe në kufi me Republikën e Kosovës nuk është rastësi dhe as shenjë e qëllimeve paqësore,” tha deputeti i të Gjelbërve, duke kujtuar se tonet në rajon sa vijnë e bëhen edhe më nacionaliste.
Michael Roth, kryetar i Komitetit të Jashtëm të Bundestagut, kërkoi që Bashkimi Evropian t’i japë fund politikës së qetësimit ndaj Serbisë dhe të forcojë demokracinë dhe shtetin ligjor. Roth shprehu zhgënjimin e tij që Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Ai vuri në dukje rëndësinë e dhënies së shpresës për njerëzit në Kosovë dhe theksoi se përpjekjet për reforma vlejnë. “Jam shumë i zhgënjyer që dëshira e madhe e grupit tim parlamentar, mbështetur nga grupet parlamentare të koalicionit dhe CDU/CSU, nuk u mor parasysh dhe Komiteti i Ministrave, pra qeveritë, jo deputetët, që na përfaqësojnë në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, refuzuan të miratojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.”
Situata është shumë e brishtë, tha Roth duke iu referuar edhe gjuhës së përdorur nga tifozët në kampionat: “Ka kaq shumë urrejtje nacionaliste dhe ne duhet të arrijmë që përmes shkëmbimeve më të ngushta mes të rinjve ta eliminojmë këtë urrejtje. Duhet të vijë deri te një pajtim rajonal. Ne duhet të përballemi edhe me kapitujt e vështirë. Dhe është e papranueshme që me mosnjohjen e Kosovës ose me mohimin e gjenocidit në Srebrenicë të bëhet politikë mbi kurrizin e njerëzve në rajon”, tha Roth
AFD, BSW dhe e Majta kundër zgjatjes së mandatit
Si çdo vit, edhe këtë herë mandati u zgjat me votat e koalicionit të qendrës së majtë, përbërë nga tri partitë, SPD, Të Gjelbrit, dhe FDP, si edhe të grupit më të madh parlamentar të opozitës, krahu konservator, CDU/CSU. Partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë votuan kundër.
Hannes Gnauck (AfD) argumentoi kundër zgjatjes së mandatit të KFOR-it, duke theksuar tre argumente, sipas tij: rezoluta e vjetëruar e OKB-së, kostot e larta dhe efikasiteti i dyshimtë, dhe mungesa e perspektivës afatgjatë dhe përgjegjësisë vendore për sigurinë. “Duke marrë parasysh këto argumente, është jo vetëm e arsyeshme, por edhe e domosdoshme të refuzohet mandati për pjesëmarrjen gjermane në KFOR. Edhe në këtë mision, 29 ushtarë gjermanë kanë humbur jetën. Është koha për t’i dhënë fund këtij misioni,” tha politikani i AfD.
Nastic: Kurti kërkon Shqipërinë e Madhe
E ashpër në retorikë ishte sidomos ish-deputetja e së Majtës, sot Bündnis Sahra Wagenknecht (BSW), Žaklin Nastiq, sipas të cilës ndërhyrja e Perëndimit në “Kosovë dhe Metohi” ishte e paligjshme dhe nuk ka sjellë asgjë veçse më shumë përçarje. “Ju mbështesni një ultranacionalist si Kurti në Prishtinë me fantazitë e tij për Shqipërinë e Madhe, përkrahësit e të cilit madje tani në Kampionatin Evropian brohorisnin hapur për vrasjen e serbëve në rrugët e Gjermanisë. Heshtja juaj për këtë flet për vete.”
Këtë e kundërshtoi folësi i fundit, Thomas Silberhorn, ish sekretar shteti në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes dhe tani ekspert për mbrojtjen nga CSU. “E vërtetë,” tha ai, “që gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit, tifozët nga Shqipëria dhe Kroacia brohorisnin parulla si ‘Vdekje serbëve’. Në të njëjtën kohë, tifozët serbë kishin slogane nacionaliste si ‘Kosova është Serbi’ në flamujt e tyre.” Silberhorn theksoi: “Këto ngjarje tregojnë tensionet etnike të vazhdueshme në rajon.”
Mandati për EUFOR Althea dhe UNIFIL
Në të njëjtën ditë, Bundestagu miratoi gjithashtu zgjatjen e mandateve për misionet EUFOR Althea në Bosnje dhe Herzegovinë dhe UNIFIL në Liban. Për misionin EUFOR Althea, Gjermania mban të gatshëm deri në 50 ushtarë, ndërsa për KFOR-in në Kosovë deri në 400 ushtarë. Kostot totale për këto dy misione ushtarake të Gjermanisë në rajon janë parashikuar në rreth 10.1 milionë euro për Althea-n dhe deri në 21.8 milionë euro për KFOR-in./DW