“Poetët e etnisë” nga diaspora në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”
Për herë të parë Biblioteka “Hivzi Sulejmani” e Prishtinës do të organizojë takim me krijuesit që jetojnë, punojnë dhe krijojnë jashtë Kosovës, me sloganin “Poetët e etnisë”.
“Pa dashur të ftojmë secilin me emër dhe mbiemër, ju ftojmë të gjithëve që ndodheni në atdhe, të shihemi në këtë takim, me nga një poezi (ose fragment të shkurtër proze) dhe me nga një gotë me dëshirën ‘Gëzuar’, me idenë që të takohemi përsëri e përsëri”, shkruhet në llogarinë e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në “Facebook”.
Ora me krijues të diasporës do të mbahet më 25 korrik në orën 11:00 në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë (lagjja Dardania), rr. “Sadik Bekteshi”, afër shkollës “Xhemail Mustafa”.
Ky takim përkrahet nga komuna e Prishtinës dhe Drejtoria e Kulturës e Prishtinës.
Drejtoreshë e kësaj biblioteke është poetja dhe studiuesja Naime Beqiraj.