“Gjejeni paqen shpirtërore”, libri më i ri i Antigona Behramit
Antigona Behrami, autorja e dhjetëra librave bestsellerë, është gruaja që po transformon jetën e mijëra njerëzve. Nëpërmjet ligjëratave, seancave private, librave të ndryshme, ajo po krijon shprehi të reja tek individët. Falënderimet për të, falë sukseseve të tyre të arritura, i vijnë nga e gjithë bota, nga njerëz të moshave të ndryshme dhe të profesioneve të ndryshme.
Asnjë autore e librave në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut nuk e ka suksesin e Antigona Behramit, e cila, me libra me përmbajtje psikologjike, po ndryshon stilin e jetës së njerëzve dhe konceptin e të menduarit dhe të vepruarit. Secili libër i saj brenda pak muajve është bërë bestseller, pasi që janë shitur mijëra kopje të tyre. Mijëra mesazhe urimi dhe falënderimi i dërgojnë ata që i kanë lexuar librat e saj, të cilat kohë pas kohe i publikon në rrjete sociale.
Behrami këtë javë ka dorëzuar në shtyp edhe dy libra të tjera, të cilët nga botuesi do t’i dorëzohen të shtunën. Porosia e klientëve për t’i pasur këta dy libra, edhe shumë të tjerë të saj, ka nisur mbrëmë, sapo në llogaritë në rrjete sociale janë publikuar kopertinat e librave.
Behrami për gazetën “Epoka e re” ka dhënë këtë deklaratë: “Dy libra i kam dorëzuar në shtyp këtë javë. Ato do të më vijnë të shtunën. Njerëz nga e gjithë bota, kryesisht shqiptarë, mbrëmë vonë dhe sot deri në orët e mëngjesit kanë bërë porosi të qindra kopjeve të librave. Porositë e tyre po vazhdojnë edhe në këtë mëngjes. Po më lumturojnë kërkesat e tyre, sepse gjithë ata njerëz po më bindin se po kërkojnë ndryshim të jetës, të mendimit dhe të veprimit. Dhe për sa kohë që jam në këtë botë, unë do të jem krah tyre. I dua dhe i falënderoj secilën dhe secilin që më ka uruar për botimin e librave dhe secilën dhe secilin që dëshiron të pajiset edhe me dy librat e mi të fundit”.
Behrami, në llogaritë e veta në rrjete sociale, ka shpërndarë edhe këtë shënim për librin “Gjejeni paqen shpirtërore”: “Në anën tjetër të kapakut të këtij libri, shkruar me dashuri të madhe për ju, ju kam kërkuar: Gjejeni paqen shpirtërore! : punoni për ndriçimin e shpirtit dhe gjejeni kuptimin e jetës. Atyre që pyesin ku dhe si ta gjejmë, u kam dhënë përgjigje në këtë libër. Sfidat me të cilat përballemi gjatë jetës janë mësime të mira dhe i shërbejnë rritjes dhe pastërtisë së shpirtit tonë. Ne, ndër të tjera, duhet të punojmë edhe për shpirt të pastër. As unë as ju nuk jeni i/e ndarë nga asgjë e Universit. Ai është brenda dhe jashtë jush. Çfarë duhet të bëni është t’i kushtoni vëmendje modeleve të jetës dhe të punoni pa përtesë për jetën që doni. Binduni se syri sheh vetëm atë që mendja është e përgatitur ta kuptojë. Prandaj, përshtatini sytë me mendjen që paqja të zë vend të përhershme në shpirtin tuaj, sepse shpirti, ashtu si trupi, jeton me atë që ushqehet. Kështu që, ushqejeni mendjen me motive të mira dhe punoni për disiplinimin e saj. Pika e jetës arrihet gjithmonë në kohën e tashme. Dhe mos harroni ta doni Zotin, se Ai kurrë nuk jua thyen zemrën. Ejani bashkërisht ta kërkojmë paqen shpirtërore nëpër labirintet e universit që mendoni se ekzistojnë”.