Paradokset kundërligjore në Bibliotekën Kombëtare
Berat Armagedoni
Për mendjen e shëndoshë nuk ka logjikë që drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të jetë përformues i artit dhe i kulturës e punonjësit e tij (drejtorit) dhe të saj (Bibliotekës) zyrtarë publikë. Kur ish-drejtori Fazli Gajraku qe bërë përformues i artit dhe i kulturës ndihej mirë, kurse punonjësit çuditeshin dhe vazhdojnë të çuditen me paradokset kundërligjore dhe shkeljet e mëdha ligjore brenda Bibliotekës. Ish-drejtori gëzohej për vete, për pagën e majmë, por nuk duhet të ndihet mirë drejtoresha e tashme, Blerina Rogova Gaxha, që ka një kontratë të punës përformuese e artit dhe e kulturës e punonjësit i ka zyrtarë publikë. Do të duhej, ende pa e bërë një muaj punë, të takohej me punonjësit e Bibliotekës në amfiteatër dhe të diskutonte me ta për statusin e vet dhe të tyre. Këtë diskriminim, kjo zonjë e ndjeshme, e sjellshme, e urtë dhe e butë, s’duhet ta tolerojë edhe më tutje. Punonjësit kanë pritur ndryshim të madh prej saj. Shpresa kanë ende, por po u fashiten çdo ditë për shkak të bashkëpunimit me udhëheqësit e kaluar. Edhe unë shpresoj shumë se ajo do të bëjë punë të mira e të mbara për punonjësit dhe institucionin e jo siç kanë punuar në dëm të punonjësve dhe të institucionit paraardhësit e saj me ushtrues detyre të kundërligjshëm. Dhjetëra ankesa, nga dhjetëra punonjës, me shkrim dhe me gojë, drejtoreshës Rogova Gaxha i kanë shkuar në zyrë që nga dita e parë e punës. Tash që ka mbledhur të dhëna mjaftueshëm, që ka verifikuar dëmet në bibliotekë, duhet të bëjë ndryshime në institucionin më të madh të librit në Kosovë.