Hartën pa Kosovën dhe Shqipërinë në Fakultetin e Filologjisë, UP-ja e heq
Një hartë me shtetet e botës që u vendos në murin e korridorit hyrës të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, nuk qëndroi gjatë aty.
Universiteti i Prishtinës u detyrua ta heqë atë pasi profesorë e studentë të UP-së vërejtën se diçka nuk po shkonte me hartën – Kosova dhe Shqipëria nuk figuronin fare në të.
KALLXO.com, më 17.09.2024 e ka fotografuar hartën me shtetet e botës të vendosur në Fakultetin e Filologjisë dhe ka parë se pozita e Kosovës dhe shteteve tjera nuk është e përcaktuar si duhet, krahasuar me pozitat e sotme të këtyre shteteve.
Një ditë më pas, Rektorati i UP-së është përgjigjur për këtë çështje, për sa kohë që vetë Fakulteti i Filologjisë në UP nuk është përgjigjur. Por, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, që është në të njëjtin objekt me Filologjinë, e ka konsideruar skandal vendosjen e hartës pa kufinjtë e Kosovës.
Në përgjigjen e Rektoratit të UP-së thuhet se harta në Fakultetin e Filologjisë, ishte paraqitur si një skicë bardh e zi me kontura të thjeshta dhe se ishte pjesë e një projekti më të gjerë vizual dhe si e tillë nuk përfaqësonte verzionin përfundimtar të saj.
“Ajo ishte menduar për të shërbyer si element i ‘Këndit Ndërkombëtar’ të Fakultetit, një hapësirë në zhvillim, që ka për qëllim promovimin e shkëmbimeve akademike ndërkombëtare për studentët e Universitetit të Prishtinës” – kanë thënë nga Rektorati i UP-së, më 18.09.2024.
Si rrjedhojë, UP tha se gabimin teknik në hartë e kanë identifikuar dhe e kanë korrigjuar.
“Gabimi teknik në hartë, si një projekt ende në fazën provuese dhe pa kaluar procesin e pranimit teknik, u identifikua dhe u korrigjua menjëherë sapo u raportua nga profesorët dhe studentët. Me këtë rast, universiteti ka ndërmarrë masa të menjëhershme për rregullimin e situatës dhe për të siguruar që versioni përfundimtar i hartës të përmbushë të gjitha standardet e saktësisë profesionale” – kanë shtuar Rektorati i UP-së.
KALLXO.com e ka vizituar Fakultetin e Filologjisë në UP, më 19.08.2024 për të kuptuar nëse ishte korrigjuar harta, por në të vërtetë ishte hequr e gjitha.
Heqjen e hartës, për shkak të gabimit që kishte me kufinjtë e Kosovës, ka kërkuar edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FShMN), Idriz Vehapi, i cili e quajti atë “skandal”.
“Vendosja e kësaj harte pa kufijtë e Kosovës, është më shumë se skandal dhe duhet të hiqet menjëherë!” – është përgjigjur dekani Vehapi për KALLXO.com, më 19.09.2024.
Florim Isufi, profesor në Departamentin e Gjeografisë në FShMN ka reaguar në Facebook, pasi e kishte parë hartën me shtetet e botës në Fakultetin e Filologjisë të UP-së.
Profesori Isufi ka thënë se Kosova e Shqipëria nuk janë paraqitur në këtë hartë dhe se ishte paraqitur ish-Jugosllavia me Shqipërinë në të.
“Ajo çka bie në sy është se Kosova dhe Shqipëria nuk janë paraqitur në këtë hartë, ndërsa përkundër paraqitjes së shteteve të ndara nga ish-BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjektike), në territorin e Ballkanit është paraqitur ish-Jugosllavia me Shqipërinë në të. Duke mos hyrë në atë se kush është autori, qëllimin e prezantimit të kësaj harte në këtë kohë, mesazhin, kohëzgjatjen e shfaqjes në publikë, ambientin e përzgjedhur, strukturën e frekuentuesve etj, konsideroj që kjo dukuri e shfaqjes së hartave gjithandej edhe në libra shkollorë pa prezencën e Kosovës është e dëmshme dhe jo reale” – ka shkruar Isufi në Facebook, më 16.09.2024.
Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës ka theksuar se i ka vlerësuar dhe shpreh mirënjohjen për shqetësimet e ngritura lidhur me hartën që ishte e vendosur në korridorin hyrës të Fakultetit të Filologjisë.