“Vetëm me vetminë”, libri i Bedri Zyberajt në shqip dhe greqisht
Është botuar libri me poezi “Vetëm me vetminë” i Bedri Zyberajt, në gjuhën shqipe dhe paralelisht në gjuhën greke.
Përzgjedhjen e përmbledhjes poetike dhe përkthimin nga shqipja në greqishte e ka bërë poeti dhe përkthyesi Iliaz Bobaj, me punë dhe banim në Greqi.
Botuesi i kësaj vepre, Berat Armagedoni, drejtor i shtëpisë botuese “Armagedoni”, në parathënien e librit ka shkruar se “vlerat e poezive të këtij libri janë matur në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në diasporë dhe kudo tjetër që flitet shqip, por edhe në anglisht, italisht, rumanisht dhe arabisht përmes ndonjë cikli të veçantë botuar në portale që merren me letërsi, arte dhe kulturë. Por, deri më tani, përgjithësisht ato janë matur dhe vlerësuar vetëm në gjuhën shqipe…”.
Ndërkaq studiuesi i letërsisë, Sali Bytyqi, ka shprehur këtë mendim për përmbledhjen “Vetëm me vetminë”: “Poezi e fatit të rëndë, e fatkeqësive që nuk marrin fund, e së djeshmes së dhimbshme dhe e së sotmes së pashpresë. Shkurt, poezi e dëshpërimit. Kjo është poezia e Bedri Zyberajt…”.
Një mendim për këtë përmbledhje ka shprehur edhe përkthyesi, Bobaj: “Poezia e Bedri Zyberajt, një lëndë e ngjeshur poetike vetëm në pak rreshta, nuk di të vërtitet për ta kaluar kohën nëpër hapësirat poetike, ajo niset direkt drejt objektivit të saj, të cilin e ka të qartë dhe të fokusuar me një saktësi që të befason…”.