UKZ shënon 28 Nëntorin me promovim librash
Në nderim të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, Ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizoi sot një aktivitet të veçantë, duke promovuar librat e disa autorëve të shquar të letërsisë shqipe të cilët njëherësh janë profesorë të UniversitetitPublik “Kadri Zeka”.
Ky organizim mblodhi studentë, pedagogë dhe dashamirës të letërsisë, të cilët nderuan këtë datë historike dhe njëherazi u njohën me krijimtarinë e re letrare.
Librat e promovuar përfshinin: “Autorë të zgjedhur të letërsisë shqipe” dhe “Asgjë si atëherë” nga prof. asoc. dr. Merxhan Avdyli, “Zëri narrativ : katër pamje” nga prof. ass. dr. Flamur Maloku dhe “Letërsia popullore” nga prof. asoc. dr. Nevrije Ismaili.
Me këtë rast, rektori i Universitetit, prof. asoc. dr. Artan Dermaku, mbajti një fjalë rasti, ku përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e librave të promovuar, si një pasuri e çmuar për kulturën dhe letërsinë shqipe. Ai foli edhe për simbolikën e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si një gur themel i identitetit kombëtar dhe frymëzim për brezat e rinj.
Gjatë fjalimit, rektori Dermaku vlerësoi punën e autorëve të pranishëm dhe rolin e tyre në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore, ndërsa inkurajoi studentët dhe të rinjtë për të lexuar, studiuar dhe kontribuar në zhvillimin e vlerave kombëtare.
Në vijim recensentët e këtyre veprave mbajtën fjalime, duke ofruar një analizë profesionale të përmbajtjes dhe rëndësisë së librave, si dhe duke përçuar vlerësime për punën dhe dedikimin e autorëve.
Studiuesi prof. dr. Bajram Kosumi paraqiti një vështrim kritik për librin studimor të profesor Merxhan Avdylit dhe të profesor Flamur Malokut. Studiuesi Zeqir Kadriu analizoi librin e prof. asoc. dr. Nevrije Ismailit dhe botuesi Berat Armagedoni shprehu mendimet e tij për librin e prof. ass. dr. Flamur Malokut.
Në ndërkohë vetë autorët e librave të promovuar i përshëndetën të pranishmit dhe folën për përvojën e tyre krijuese, duke nënvizuar vlerën që librat e tyre sjellin për lexuesit dhe kulturën shqiptare.
Ky përurim i librave nga profesorët e Fakultetit të Edukimit, organizuar në prag të Festave të Nëntorit, ishte një nderim për ngjarjet historike që formësuan kombin shqiptar, Pavarësinë e Shqipërisë, Kongresin e Alfabetit, si dhe momentet e lavdisë kombëtare që frymëzojnë çdo brez. Në këtë kontekst, librat e përuruar u vlerësuan si kontribut i çmuar për trashëgiminë kulturore dhe arsimore.
Fotografitë: Universiteti Publik “Kadri Zeka”