Përurohet vepra “Vetëm me vetminë” e Bedri Zyberajt

11 dhjetor 2024 | 20:58

Sot, në orën 12:00, në ditën e parë të edicionit V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, i cili do të vazhdojë deri të premten, organizuar në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, është bërë përurimi i veprës poetike “Vetëm me vetminë” të autorit Bedri Zyberaj.

Për librin folën studiuesi Sali Bytyçi dhe botuesi Berat Armagedoni, kurse bashkëbisedimin me autorin Zyberaj e udhëhoqi prezantuesja dhe poetja Alketa Gashi Fazliu.

Një fjalë përshëndetëse për përurimin e librit autorit i kishte dërguar përkthyesi i veprës nga gjuha shqipe në gjuhën greke, Iliaz Bobaj, i cili me përkushtim të madh kishte përkthyer veprën poetike të Zyberajt. Ai, në letrën të cilën e lexoi Teuta Zyberaj, ndër të tjera, kishte shkruar: “Libri i tij nuk të lodhë. Ai të tërheq bukur mirë dhe të mban komod deri në faqen e fundit… Në këto poezi me gjetje të bukur dhe të veçantë artistike, poeti Bedri Zyberaj arrin deri në veçanti dhe origjinalitet të tillë që të mrekullon, deri në një majim poetik”.

Studiuesi Sali Bytyçi tha se “derisa lexon poezitë e Bedriut, këto të vëllimit të tij të fundit poetik, ‘Vetëm me vetminë’, në mendje të nisin përsiatjet për kohën, për njerëzit, për vetminë, për vdekjen e, mbi të gjitha, për jetën, po edhe për vetë poezinë. Ky është arti, është fjala nga ka dalë çdo gjë, për t’u kthyer, në fund, edhe një herë në fjalë”.

Ndërkaq botuesi dhe kritiku Berat Armagedoni tha se kjo përmbledhje nuk ka vetëm vargje për atdheun. “Me dashuri të madhe autori shkruan edhe për nënën e vetmuar, për miqtë, për mikeshat, veçan për ndonjë të dashur e për puthjet, për përqafimet, për miklimet, për shtrëngimet e për takimet me to në ndonjë skutë. Dhe meqë ky autor është nga Rahaveci, nga vendi i rrushit, i rakisë, i verës, i punës dhe i dashurisë për tokën dhe për njerëzit, ka nevojë t’ia kujtojmë se poezia shkruar në këtë moshë të tij, ashtu si vera e vjetër që është më e mirë sesa e reja, edhe ky poezitë e fundit i ka shumë më të pjekura, më të ëmbla e më të këndshme sesa ato që ka shkruar dhe botuar vite më parë. Prandaj, nëse shkruan si, të paktën, dhjetë poezitë e fundit që i ka përmbledhur në këtë libër, kalemin s’duhet ta ndalë këtu!”, tha Armagedoni.

Prezantuesja Alketa Gashi Fazliu, e cila me stil të veçantë udhëhoqi këtë përurim, interpretoi disa prej poezive të këtij libri dhe zhvilloi një bashkëbisedim me Zyberajn, i cili u përgjigj në këto pyetje: “Bedri Zyberaj, kur gjëmonin tytat, ju latë mënjanë lapsin dhe kapët pushkën. Do ta linit sot lapsin për luftën?” Zyberaj tha se kurdoherë që vendi kanoset nga një luftë tjetër, pavarësisht që tash ka 25 vjet më shumë sesa që kishte në luftë, do t’i përgjigjej kushtrimit për atdhe.

Ndërkaq i pyetur se sa është e pasuruar biblioteka e tij me libra të vjetër, dhe cilin libër e keni më të vjetrin në bibliotekën tuaj, Zyberaj tha: “Para luftës kam pasur një bibliotekë të pasur. Tituj të librave të vjetër dhe të rrallë plot, të cilët sot i pashë në këtë panair. Por, nga ajo kohë më ka mbetur vetëm një libër i vitit 1974, një libër i plagosur, ky këtu, për të cilin kujdesem sot si për trupin tim, sepse ma kujton flakën e luftës, librat e vrarë, librat e plagosur, dëshirën për ta bërë një bibliotekë personale pas luftës ashtu siç e kam pasur para luftës e që, ashtu siç e kisha, s’e bëra kurrë”.

E se çfarë roli ka luajtur letërsia në jetën e tij, ai tha se kanë luajtur rol të madh në formimin kombëtar të tij shkrimtarët shqiptarë të traditës, ata të letërsisë evropiane, veprat e të cilëve “më kanë brumosur me atdhedashuri”. Ndër shkrimtarët që ai i çmoi më së shumti ishin ata të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ata të Rilindjes Evropiane, nga të cilët tha se, ndonjëherë, edhe është ndikuar për veprime të ndryshme sa për të shkruar, aq edhe për të vepruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trepça ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi…