Dronë misteriozë fluturojnë mbi Nju Xhersi, FBI nis hetimet
Një numër i madh dronësh misteriozë janë parë duke fluturuar mbi Nju Xhersi në javët e fundit, duke shkaktuar spekulime dhe shqetësime se kush i dërgoi dhe pse.
Guvernatori Phil Murphy dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë theksuar se dronët nuk duket të jenë kërcënim për sigurinë publike, por shumë ligjvënës shtetërorë dhe komunalë megjithatë kanë kërkuar rregulla më të rrepta se kush mund të fluturojë me aeroplanët pa pilot.
FBI është në mesin e disa agjencive që po hetojnë dhe u ka kërkuar banorëve të ndajnë video, foto dhe informacione të tjera që mund të kenë në lidhje me dronët.
Çfarë është parë në New Jersey?
Dhjetëra dëshmitarë kanë raportuar se kanë parë dronë në New Jersey duke filluar nga nëntori, shkruan AP.
Në fillim, dronët u panë duke fluturuar përgjatë lumit piktoresk Raritan, një rrugë ujore që ushqen rezervuarin e Round Valley, rreth 80 kilometra në perëndim të New Yorkut.
Por së shpejti pamje të tilla u raportuan në tërë vendin, duke përfshirë fushën e golfit të presidentit të zgjedhur Donald Trump në Bedminster.
Kohët e fundit dronë janë parë edhe në zonat bregdetare.
Kush i dërgoi?
Autoritetet thonë se nuk e dinë se kush qëndron pas dronëve.
FBI, Siguria Kombëtare dhe policia e shtetit po hetojnë pamjet.
Autoritetet thonë se nuk e dinë nëse është një dron që është parë shumë herë ose nëse ka shumë prej tyre që po fluturojnë në një përpjekje të koordinuar.
Spekulimet janë ndezur në internet, me disa që shprehin shqetësime se droni ose dronët mund të jenë pjesë e një komploti nga agjentë të huaj.