Hulumtim për rëndësinë e remitencave dhe mundësitë për të ardhmen në Kosovë
Naim Gashi, magjistër i shkencave ekonomike
Remitencat
Remitencat në mbarë botën llogariten të jenë fluksi i dytë financiar më i rëndësishëm pas ndihmave ndërkombëtare. Remitencat në kuptimin e gjerë të fjalës janë transferta monetare që emigrantët kryejnë në vendin e origjinës. Natyra, madhësia, frekuenca, impakti dhe faktorët që ndikojnë në vlerat e tyre kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve dhe politikëbërësve. Interesi i madh që është shfaqur ndaj remitencave në kohë të fundit i dedikohet kryesisht faktit se stabiliteti i tyre po i shndërron ato në një instrument tepër të lakmuar për të nxitur më tej zhvillimin financiar dhe ekonomik në vendet në zhvillim. Bazuar në studimet e kësaj fushe, rezulton se remitencat kanë një rëndësi tejet të madhe.
Kosova ka një nga normat më të larta të migrimit në Evropë, për të parë pse niveli i migrimit tek qytetarët e Kosovës është kaq i lartë, dhe duhet analizuar faktorët të cilët kanë shtyrë të marrin rrugën e migrimit, kur analizojmë faktorët kemi dy periudha të migrimit: periudhën nga vitet e ‘60-ta kur edhe ka filluar migrimi nga Kosova deri në vitin 1999. Gjatë kësaj periudhe arsyet kryesore të migrimit ishin kryesisht lufta, gjendja e rëndë ekonomike dhe situata e tensionuar politike në vend. Me të përfunduar lufta u mendua se trendi i migrimit do të shkojë në rënie por ndodhi e kundërta, migrimi vazhdoj edhe me tutje duke marrë përmasa në rritje. Në këtë drejtim ia vlen për ta përmendur valën e fundit të migrimit nga Kosova vitet 2014-2015. Këto vite shënojnë një periudhë të eksodit ku Bashkimi Evropian përjetoj një rritje të shpejtë të numrit të qytetarëve të Kosovës.
Sipas disa të dhënave mendohet se gjatë kësaj periudhe nga vendi u larguan drejt vendeve evropiane 50,000 persona, sipas disa të dhënave të tjera mendohet se ky numër ishte 100,000 persona.
Arsyet kryesore pse shumë të rinj të Kosovës e shohin migrimin si zgjidhjen më të mirë për të ardhmen janë: papunësia, gjendja e rëndë ekonomike, korrupsioni, mossundimi i ligjit, nepotizmi etj. Shumë të rinj e shohin migrimin si mundësi për një të ardhme më të mirë dhe sigurimin e një pune për të siguruar ekzistencën. Rreth 65 për qind e të rinjve në Kosovë planifikojnë të migrojnë në dy vitet e ardhshme.
Në bazë të studimeve që janë bërë deri më tani, llogaritet të jenë rreth 700,000 persona që jetojnë diku në mërgim apo thënë ndryshe çdo e katërta familje ka të paktën një person në mërgim. Diaspora e Kosovës me remitencat e tyre ka ndihmuar Kosovën në kohët më të vështira kur ka kaluar vendi gjatë viteve ’90-ta dhe sidomos gjatë viteve ‘98-‘99 duke e mbajtur gjallë jetesën në çdo sferë të jetës, duke dërguar shuma të mëdha parash në vend.
Nga tabela shohim se mërgata e Kosovës është shumë e lidhur me vendin e origjinës duke i qëndruar kohës dhe distancës. Trendi i dërgimit të remitencave në vend ka qenë në vazhdimësi në rritje në përjashtim të viteve 2009, 2010 dhe 2011 për shkak të krizës globale financiare.
Trendi pozitiv që ka qenë deri më tash nuk garanton se do të jetë edhe në të ardhmen për arsye se shumë mërgimtar tashmë janë stabilizuar në vendet ku jetojnë duke i marrë me vete edhe anëtarët më të ngushtë të familjes. Shumë mërgimtarë ndihen të zhgënjyer, të ofenduar dhe të lënë pas dore nga institucionet vendore, për shkak se pas përfundimit të luftës në vend, nuk është bërë asgjë konkrete lidhur me diasporën duke mos i dhënë vendin e merituar dhe trajtimin e duhur që ata e meritojnë për kontributin e madh të dhënë ndër vite.
Është koha e fundit që institucionet vendore të bëjnë hapa konkret lidhur me diasporën që lidhja Kosovë-diasporë, të jetë sa më e fortë në të ardhmen për shkak të potencialit të madh që ka diaspora, dhe kjo do ishte me përfitime të dyanshme.
Gjatë hulumtimit për remitencat si rast konkret kam trajtuar tri vende: Armeninë, Irlandën dhe Izraelin.
Armenia është një vend tjetër pa diasporën, dhe komplet një vend tjetër me diasporën. Diaspora është përparësia, pasuria e jonë e cila duhet përdorur për të forcuar atdheun e tyre. Ne duhet bërë çmos për të bashkuar diasporën me atdheun tonë. “Sa më e fortë të jetë Armenia aq më e fortë dhe krenare do të jetë diaspora”, kështu ka thënë presidenti i Armenisë, Serzh Sargysyan.
Diaspora armene dhe emigrantët e rinj luajtën rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përformancen ekonomike në periudhë post-sovjetike te Republika e Armenisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Transferet private nga diaspora kryesisht nga emigrantët e rinj u bënë injeksione të përkohshme për të lehtësuar barrën e tranzicionit të Armenisë në vitet 1993-1994, vitet e mungesës së madhe të energjisë elektrike, konfliktet me Azerbejxhanin mbi Nagorin Karabag dhe bllokimi i transportit nga Turqia dhe Azerbejxhani.
Të tria vendet kanë shumë të përbashkëta në trajtimin e diasporës duke e rregulluar me ligj statusin e tyre duke e konsideruar si një kapital shumë të çmuar për vendin, si dhe duke ju ofruar lehtësira të ndryshme për investitorët potencial nga diaspora: si lehtësira tatimore, fiskale, doganore po ashtu ofrimin e ndihmave të ndryshme dhe përkrahje në mënyrë institucionale. Këto kanë bërë që shumë investitorë nga diaspora të investojnë shuma të mëdha në vendet e tyre duke ndikuar direkt në zhvillimin ekonomik në vend.
Falë investimeve nga diaspora Irlanda pas viteve te ‘70-ta ka përjetuar një rritje shumë të shpejt ekonomike duke e bërë një nga vendet më të zhvilluara jo vetëm në Evropë por edhe në botë.
Këto tri vend janë një model shumë i mirë edhe për vendin tonë se si duhet trajtuar diaspora nga institucionet vendore.
Rekomandimet
Rekomandimi kryesor i këtij hulumtimi është që fokusi i interesit të drejtohet në përmirësimin e kushteve për të bërë biznes si dhe zbatimin e ligjit që investitorët potencial nga diaspora ta kenë më të lehtë që kursimet e tyre t’i investojnë në Kosovë. Për shkak të lidhjes emocionale me vendin e origjinës që kanë me Kosovën shumë mërgimtarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të investuar në vend, por për shkak të pasigurisë në kushtet e të bërit biznes, ky numër është shumë i vogël. Nga totali i shumës së përgjithshme e të hyrave nga remitencat pjesa më e madhe apo thënë një përqindje rreth 60 për qind e tyre shkon për konsum direkt dhe vetëm 3 për qind shkon për investime në biznes.
Krijimi i kushteve më të volitshme për të bërë biznes: zbatimin e ligjit, uljen e korrupsionit dhe ofrimin e lehtësirave të ndryshme për investitorët potencial do të ndikonte direkt në uljen e papunësisë, rritjen e prodhimtarisë në vend deri tek rritja e zhvillimit ekonomik. Prandaj është me shumë rëndësi që diaspora të trajtohet me kujdes të veçantë nga institucionet vendore.
Hulumtimi është bërë duke u bazuar në të dhënat aktuale të publikuara nga: BQK-ja, ASK-ja, ATK-ja, Banka Botërore etj.