Hulumtimi i IKD-së: Qeveria ka katër ministra me aktakuza aktive, përfshirë kryeministrin Kurti dhe ministren Haxhiu
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference për medie ka publikuar raportin “Qeverisja me duar të pastra dhe hetimi i korrupsionit qeveritar”.
Florian Smajli, hulumtues në IKD, ka treguar se raporti tregon për deputetët dhe kabinetin qeveritar të cilët kanë ende probleme me ligjin.
Po ashtu, raporti do të tregojë edhe rastet kur personave të dyshuar për afera të mëdha korruptive u është ofruar mbrojtje qeveritare, si dhe skandalet të cilat për të cilat ende nuk ka përgjigje.
Derisa ka theksuar se qeverisja me persona të cilët nuk kanë probleme me ligjin është parim bazë që duhet ndjekur një qeveri e cila synon qeverisjen e mirë.
Për këtë parim, ajo ka thënë se nënkupton mos mbajtjen e pozitave publike nga ana e personave të cilët kanë probleme me ligjin, në kuptim të aktakuzave aktive apo dënime të formës së prerë.
Më tutje, Smajli ka thënë se duke njohur dhe kuptuar rëndësinë e parimit të prezumimit të pafajësisë, sidoqoftë integriteti i institucionit dhe zyrtarit publik cenohet kur shfaqen situata ku zyrtarët publik njërën pjesë të ditës e kalojnë në Gjykatë si të akuzuar dhe pjesën tjetër të ditës duke bërë politika publike.
Për këto raste, ai ka thënë se padyshim që e cenojnë besimin e publikut në vet institucionet publike. Largimi apo pezullimi i këtyre zyrtarëve është kërkesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsion.
Në bazë të monitorimit, IKD-ja ka gjetur se Kuvendi aktualisht përbëhet nga tetë deputetë të cilët kanë probleme me ligjin, kurse qeveria nga katër ministra me aktakuza aktive, dhe tre të tjerë që kanë dënime aktive, përfshirë këtu kryeministrin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në të dyja rastet.
Sa i përket rasteve kur qeveria nuk ka proklamuar luftën kundër korrupsionit, Smajli ka theksuar rastin me rezervat shtetërore, dyshimet në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dyshimet për keqpërdorime në KEK, si dhe dyshimet për kontratat një burimore.
Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Shqiponjë Gashi, ka thënë se në rastet kur qeveria akuzohet për dyshime në lidhje me keqpërdorime të caktuara, është kruciale të japë llogari publike.
Megjithatë, sipas saj, deri më tani, identifikohen një sërë çështjesh kur publiku i gjerë ka pasur dyshime të theksuara në raport me çështje specifike e të cilat nuk janë adresuar në mënyrë adekuate nga ana e qeverisë.
Si raste të tillë, Gashi ka theksuar dyshimet për ndërhyrje në KEK, dyshimet për ambasadorin Martin Berishaj dhe dyshimet e fundit në lidhje me subvencionet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Raste këto të cilat trajtohen në këtë raport, si skandale pa përgjigje.
Në fund, ajo ka thënë se zyrtarët do duhej të largoheshin vetë nga pozitat e tyre në rast të dyshimeve për keqpërdorime, por se në praktikë ndodhi e kundërta.
Sipas saj, kjo situatë do t’i mundësonte institucioneve të sistemit të drejtësisë që të qartësonin situatën derisa tek publiku dërgon një mesazh të fuqishëm integriteti. Përmes kësaj qasjeje, rastet e veçanta nuk lejojnë humbjen e besimit të publikut ndaj institucionit.
Ky raport është publikuar në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, e cila me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL, INPO) me moton: “Bashkë Kundër Korrupsionit”. /KlanKosova/