Hulumtimi tregon se në Serbi po rritet përkrahja për pavarësinë e Kosovës
Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane ka bërë një hulumtim të opinionit publik në Serbi. Në këtë hulumtim të publikuar janë përfshirë 1 mijë e 228 persona, dhe pyetjet për ta kanë qenë kryekëput të lidhura me raportin Kosovë-Serbi.
Ajo çfarë vërehet në leximin e rezultateve, është se krahasuar me vitin 2021, në Serbi ka një rritje të numrit të qytetarëve të cilët e përkrahin pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Në pyetjen “A do ta mbështesnit një plan të presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili do ta njihte pavarësinë e Kosovës, dhe do të siguronte një shtet të qëndrueshëm dhe standard më të mirë për qytetarët e Serbisë?”, në vitin 2021 për “PO” kanë qenë 21 për qind e të anketuarve, derisa në vitin 2022 kjo përqindje ka shkuar në 26.3, duke shënuar një rritje prej 5.3 për qind.
Ndërkohë është rritur edhe përqindja e serbëve të cilët mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën. Në vitin 2021 kjo përqindje ka qenë 39.5, derisa në vitin 2022 ka shkuar në 44.2 për qind.