Humanisti gjerman nderohet me mirënjohje nga Komuna e Malishevës
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur të premten në takim humanistin gjerman, Rudolf Broer, të cilit i ka ndarë një mirënjohje për kontributin e dhënë për këtë komunë.
Humanisti Broer, në vazhdimësi e ka ndihmuar Komunën e Malishevës, në veçanti sektorin e shëndetësisë.
Kryetari Begaj ka thënë se humanisti Broer ka bërë shumë për Malishevën dhe qytetarët e saj. “Ju keni dhënë shumë për komunën tonë, dhe ne ju jemi mirënjohës për përkrahjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që keni treguar në raport me ne”, ka thënë Begaj me rastin e dhënies së mirënjohjes për Rudolf Broer.
Ndërsa, humanisti Rudolf Broer, e ka falënderuar Begajn për ndarjen e kësaj mirënjohje. Humanisti Broer, ka paralajmëruar sjelljen e donacioneve tjera, në sektorin e shëndetësisë për Komunën e Malishevës, pasi është duke punuar për donacionin e radhës.
Ai në të kaluarën kishte sjellë mjete konkretizuese për personat me aftësi të veçanta, në shoqatën e “Handikos”-it në Malishevë, një kombibus për bartjen e personave në hemodializë, si dhe donacione tjera. Kjo mirënjohje e dhënë është ndarë nga kryetari Begaj, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të komunës së Malishevës.
/Epoka e re/