Humaniteti i mësueses në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit
Nga: Besa Bytyqi
Ora 7:30. Në oborrin e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, u rrëzua një nxënës dhe mbeti i shtrirë, i palëvizshëm. U lëndua keq.
Nga brenda shkollës doli e shqetësuar mësuesja. Provoi nëse djali ka lëvizje. E kuptoi që ishte keq situata. Më porositi ta thërrisja urgjencën, sepse nuk dëshironte të shkëputej fizikisht nga nxënësi, qëoftë edhe për një telefonatë.
Derisa i erdhën prindërit dhe urgjenca, mësuesja hoqi pallton e saj të bardhë dhe e vuri poshtë fëmijës së shtrirë në beton që ta mbajë ngrohtë. Ndërkohë, i mbante dorën dhe me tjetrën ia lëmonte fytyrën dhe e qetësonte me fjalë: “Qe ku është mësuesja”, “S’ka gjë, tash vjen edhe mami e babi edhe mjeku”…
Në gjithë këtë situatë të dhembshme, do të më mbetet përjetësisht në kujtesë mësuesja pranë nxënësit të saj në nevojë.
Prandaj, ne i duam mësuesit! Prandaj, ne kemi nevojë të jashtëzakonshme për ta, sepse jashtë shtëpisë janë njerëzit më të rëndësishëm që kemi! Ata e bëjnë botën tonë, botën e të gjithëve, më të mirë!
Shërim të shpejtë djalit!
Jetë të gjatë e shëndet mësuesve!