HUMANIZMI NË VEPRA EDHE NË RRETHANA LUFTE
Shkruan: Lulzim Sahiti
Me privimin e Kosovës nga subjektiviteti i fituar me Kushtetutën e vitit 1974, ndryshuan përgjithmonë rrjedhat e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të Kosovës. Në rrethanat e tilla që ishin krijuar në vitet 90’ të shekullit të kaluar, rrjedhimisht ishte krijuar edhe një sistem paralel për shërbimet themelore të kujdesit shëndetësor në raport me atë që ishte instaluar në mënyrë të dhunshme nga Serbia. Mirëpo dhuna dhe terrori serb ushtrohej në çdo pore të jetës, gjë që nuk kursente as mjekët shqiptarë kudo që ishin ata. Nga dita në ditë, puna e tyre vështirësohej në terren mirëpo mantelbardhët nuk u ndalën asnjëherë përballë këtyre sfidave.
Siç dihet mirëfilli, më 22 prill të vitit 1996, rreth orës 21 e 10 minuta në Shtime ishte vrarë oficeri i policisë serbe, Milenko Bučić (1972) nga Brusi i Serbisë. Gjatë kësaj dite (e hënë), UÇK-ja kishte kryer veprimin e parë të madh të sinkronizuar duke sulmuar forcat pushtuese serbe në Deçan, Pejë, Shtime dhe afër Mitrovicës, gjë që pas tri dite, Shtabi Qendror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes komunikatës nr. 19, të lëshuar më 25 prill 1996 në Prishtinë, mori përgjegjësinë për aksionet e kryera më lartë.
Në mbrëmjen kritike, dr. Mehmet Alibegu kishte qëlluar në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Shtime duke bashkëbiseduar me dr. Efendi Sahitin lidhur me një konkurs pêr specializim profesional. Për një çast, rrëfen Alibegu kemi dëgjuar një rafal të automatikut. Me të përfunduar të bisedës sonë, jam nisur për në shtëpi. Kur kam mbërri te dyçani i Halim Baftiut, që asokohe mbante emrin “Mimoza” kam parë njerëz të shumtë të mbledhur. Aty takova shtëpiakun e shkollës “Emin Duraku” që quhej Dobrivoje Ristić. Ai më tha: “Këqyr doktor se e kanë plagosur një polic. Afrohu jepja ndihmën”. Unë, me kujdes afrohem te polici i shtrirë në asfalt, ku përreth tij ishin grumbulluar mbi 30 veta. Disa zëra më bënin sikur thanë: “Ik doktor!”. Në këto çaste ia behu policia serbe dhe e morën viktimën.
Të nesërmen, rreth orës 11:00, policia serbe kishte shkuar në Ambolancën e Pjetërshticës për të marrë me vete, dr. Alibegun. Atë e dërgojnë në oborr të Stacionit të Policisë në Shtime, ku e lënë së bashku me qytetarë tjerë të arrestuar, të cilët i kishin urdhëruar të qëndrojnë në këmbë me fytyrë prej dielli. Në mesin e tyre ishin edhe dr. Ismet Jetishi, dr. Bedri Sadriu dhe dr. Islam Olluri. Kështu kam qëndruar mbi pesë orë deri sa më kanë ftuar brenda stacionit. Veç e veç na thirrnin brenda. Herën e parë më ka intervistuar inspektori i Sigurimit Shtetëror, Dragan Jašović por nuk më ka keqtrajtuar fizikisht. Më akuzonte pse nuk ia kam dhënë policit ndihmën e parë. Ndërkohë, më liruan duke më kërcënuar.
Pas një dite, më 25 prill 1996, përsëri rreth të njëjtës kohë kanë ardhur në Pjetërshticë, në ordinancë dhe më kanë marrë me veturën zyrtare të policisë “Zastava 101”. Gjatë gjithë rrugës, policia më ka kërcënuar e sharë. Më kanë dërguar drejt në zyrën e inspektorit të Sigurimit Shtetëror, Serboljub Vojinović, ku ishte i pranishëm edhe polici i quajtur Ivica. Kësaj radhe, Serboljubi më ka rrahur brutalisht dhe Ivica që ishte shumë mizor i thoshte kur të lodhesh lëshoma mua. Përndryshe ky polic në popull njihej si “Xhelati i Petrovës”, meqë asokohe kishte torturuar shumë banorë të fshatit Petrovë. Pasi e krytën me mua, më kanë futur në një dhomë tjetër ku kishin qenë aty edhe të keqtrajtuarit tjerë shqiptarë. Krahas meshkujve, në mesin tonë ka pasur edhe femra. Rreth orës 21:00 na kanë liruar duke na kërcënuar se sërish kemi me ju ftuar. Në atë kohë, komandir i Stacionit Policor në Shtime, ka qenë Dragan Đorđević, i njohur në popull me nofkën “Gjorka”. Nga ky është udhëhequr krejt kjo fushatë e egër kundër shqiptarëve të pafajshëm. Nga lëndimet e rënda që kishte marrë dr. Alibegu në të dy këmbët, shpinë, duar e pjesë tjera të trupit, nuk kishte qenë në gjendje të ec dhe për këtë ishte detyruar të merrë pushim vjetor për shërim ngase pushimin mjekësor nuk ia kishte lejuar drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, Milovan Krivokapić, për shkak siç thuhej nga ai të dosjes së trashë të MUP-t që posedonte në siratar.
Për këtë rast, falë reagimit dhe raportimit me kohë të Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Shtime, përmes të cilit kishte bërë kryetari i këtij asociacioni, Ramadan Veliu dhe nënkryetari Ruzhdi Jashari, ishte senzibilizuar opinioni i gjerë publik. Raporti i KMDLNJ-së kishte bërë jehonë të madhe dhe më 27 prill 1996, në Shtime e kishte vizituar në shtëpi dr. Mehmet Alibegun, sekretari i Parë i Ambasadës Amerikane në Beograd, Harvi Li. Ky ishte diplomati i parë amerikan që kishte vizituar Shtimen dhe me këtë rast ai kishte deklaruar: “Qeveria ime është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë e sidomos rastin e fundit në Shtime. Për këtë, do të lajmëroj Qeverinë time, e cila sigurisht do të merrë masa shpejt”. Ditëve në vijim, tregon dr. Alibegu më ka vizituar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), Antonela Riha (me origjinë jevreje) së bashku me gazetaren kosovare Shukrije Gashi, pastaj në vizitë zyrtare ka ardhur edhe sekretari i Dytë i Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, Besnik Konqi, i cili ka qenë diplomat shumë i përkushtuar për Kosovën ato vite sa qëndroi në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, në Beograd. Ndërkaq, më 2 maj 1996 ishte ftuar në Prishtinë nga veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi, ku ishte takuar me raportuesen speciale të OKB-së për të Drejtat e Liritë e Njeriut, Elisabeth Rehn. Mjeku kishte dëshmuar drejtpërdrejt për torturat serbe që kishte pësuar dhe tek të nesërmen ai kishte arritur të rifillon punën përsëri në Shtëpinë e Shëndetit në Shtime.
Më 14 qershor 1998, rreth orës 15:40, në rrugën automobilistike Shtime-Suharekë, në fshatin Carralevë, gjegjësisht te vendi i quajtur “Ura e Sahitit” nga pjesëtarët e UÇK-së ishin sulmuar me armë automatike automjetet e blinduara të policisë serbe. Me këtë rast, ishte plagosur rëndë pjesëtari i policisë serbe, Nenad Milanović. Që nga kjo ditë, jeta e banorëve të Carralevës, që jetonin përgjatë rrugës magjistrale Prizren – Shtime, ishte vënë në rrezik nga gjuajtjet e pakontrolluara të forcave policore dhe ushtarake serbe. Në pamundësi për t’u përballur me forcat çlirimtare, forcat armike në mënyrë të shfrenuar bënin demonstrimin e forcës karshi popullatës civile. Atë ditë si shumë familje tjera ishte detyruar të ik në mal infermieri, Behxhet Hyseni së bashku me familjen e tij të ngushtë.
Ai tregon fillimisht që kanë shkuar në fshatin Rancë te familja e Selim Asllanit, ku kishin qëndruar atje një javë, më pas në Petrovë te familja e Ahmet Tërshanës dhe nga këtu kishin shkuar te dhëndërri i tyre, Njazi Qorrolli në Rashincë. Punën e kishte ndërprerë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtime, mirëpo një ditë duke punuar në një arë në Davidovc, e kishte parë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, Milovan Krivokapić, i cili i kishte thënë: “Eja në punë se askush nuk të nguxë!” Pas dy-tri dite, infermieri Hyseni kishte vendosur për t’u lajmëruar në vendin e tij të punës.
“Më 9 korrik 1998, në ora 8:00, lajmërohem në vendin e punës. Si më ka parë pastruesi, Ali Haziri ka dalë përjashta. Nuk ka vonuar shumë kohë ia behu policia serbe. Më arrestuan dhe fillimisht më dërguan në Stacionin e Policisë në Shtime. Nga këtu, nën përcjelljen e katër policëve më kanë dërguar në Sekretariatin për Punë të Brendshme në Ferizaj. Atje, në katin e tretë të ndërtesës më dërguan. Brenda zyrës kishin qenë të pranishëm inspektorët e MUP-it të Serbisë: Dragan Jašović, Momčilo Šparavalo dhe Serboljub Vojinović. Këta filluan të më merrnin në pyetje nën pretekstin se kam ndihmuar UÇK-në me medikamente e gjëra tjera. Kjo nuk kishte të bënte asgjë me realitetin dhe nuk mund të pranoja një gjë të pabërë. Fundja nuk kisha pasur asnjë kërkesë për ndihmë nga askush dhe vërtet nuk dija për njeri të gjallë për të thënë diç lidhur me këtë çështje. Kanë nisur dhunën e tmerrshme, Dragan Jašovići, bashkë me Momčilo Šparavalon, kurse Serboljub Vojinović bëhej sikur më kursente, meqë vëllau i tij, Dušan Vojinović ka qenë një kohë drejtor i Ambolancës në Shtime. Njëri nga gjakpirësit ka qenë me tuta, i cili më godiste me sa forcë që kishte me një dru, i cili dukej sikur ishte bisht i lopatës. Prapa, nga gjunjët deri në bel, tërësisht këtë pjesë të trupit e kam pasur zi nga të rrahurat. Fytyrës e kokës më goditnin me kërbaç. Mandej më kanë vendosur rrymën në të dy duart. Kur më lëshonin rrymën, zemra më bëhej sa veza e breshkës. Nga të gjitha këto tortura, elektroshoku ka qenë tepër i tmerrshëm dhe i papërballueshëm. Dikur më kanë dërguar në një kthinë (qeli) të vogël e të errët, ku kundërmonte erë urine. Më kanë mbajtur rrafsh 37 orë pa ngrënë e pirë asgjë. Pra, më kanë liruar tek të nesërmen, në ora 21:00. Kur më liruan, në SPB takova Kadri Beqajn nga Petrova, i cili kishte ardhur me pa djalin e vëllaut të vet, Salih Fehmi Beqajn. Kur dola përjashta, në Ferizaj dëgjohej muzika në kupë të qiellit, thuajase në pjesët tjera të Kosovës nuk po ndodhë asgjë…! Kjo dukuri më brengosi tej mase. Ai (Kadriu) më ka sjellë deri në Gllavicë sepse unë nuk kam mundur të eci vet. Më ka lënë te shtëpia e Bajram Bibës, të cilin e kam pasur shok të klasës. Ai, në atë kohë ka qenë në emigrim, por Ramadan Biba e ka marrë qerren me kali dhe më ka dërguar në Rashincë, te Njaziu. Nga këtu, të nesërmen jam kthyer në shtëpinë time, në Carralevë, ku kam qëndruar aty deri dy-tri ditë pa nisur ofenziva, më 25 korrik 1998 në Zborc. Sërish bashkë me familje jemi zhvendosur nga Carraleva në fshatin Rashincë. Dy muaj ditë e kam mbajtur trupin me krip e qepë. Nga kjo rrahje mizore, kisha pësuar trauma të rënda shpirtërore saqë kur luanin fëmijët basketboll dhe goditej në dërrasë me top, më kërcente trupi vetvetiu nga frika. Madje edhe pulat kur lëviznin krahët ndjeja ankth e trishtim”, tregon infermieri Beha një storie nga ajo që kishte përjetuar në lëkurën e tij nga forcat e okupatorëve serbë.
Nisja e luftës së armatosur çlirimtare në Kosovë, kishte krijuar një situatë të re dhe mjekët shqiptarë duhej vepruar në vendbanime kudo që ishin. Kështu që menjëherë pas bombardimeve të NATO-s, nga dhuna dhe terrori serb shumë familje nga qyteti i Shtimes u detyruan të lëshojnë shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në fshatrat e rrafshit të komunës së Shtimes e më larg. Në këto vendbanime kishte pasur refugjatë edhe më parë, por ata ishin të ardhur kryesisht nga zonat malore, ku herë pas here zhvilloheshin luftime në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të forcave pushtuese të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe.
Dr. Mehmet Alibegu, specialist i Pulmologjisë gjatë shfletimit të shënimeve historike
Për të shpëtuar nga rrethi i vdekjes, që kishte mbërthyer ato ditë gjithë qytetin e Shtimes, mjeku i praktikës së përgjithshme, dr. Mehmet Alibegu së bashku me bashkëshorten, dy djemtë dhe vajzën, më 26 mars 1999, falë gjeturisë së tij arriti të shpëtojë duke u strehuar për disa ditë te familja e Hamdi Rexhës në fshatin Rashincë. Për çështje sigurie, Alibegu nuk jetonte bashkë me anëtarët e ngushtë të familjes por ndaras. Tashmë, Rashinca ishte mbushur përplotë me njerëz të zhvendosur: Pleq e të rinjë, gra e fëmijë të cilët kërkonin strehim dhe shpëtim të jetës. Madje, vet serbët këtë fshat e kishin pagëzuar “Shqipëri e vogël”, tregon mjeku Alibegu.
Meqë, banorët nuk guxonin të bënin lëvizje të lirë as në oborre e lëre më të shkojnë nga një vendbanim në tjetrin, për trajtim shëndetësor, banorët rashincas ishin detyruar të vetorganizohen për të hapur një punkt shëndetësor. Kështu që në ish-pikën e karburanitit të Mustafë Qorrollit, fillimisht kishin improvizuar një vend të përshatshëm për shërbime shëndetësore, ku nisën punën e tyre, dr. Isa Haxhiu, dr. Mehmet Alibegu dhe dr. Agim Zejna. Me këtë ekip mjekësor menjëherë ishte angazhuar Behxhet Hyseni, teknik medicional nga Carraleva dhe Florije Rexha, infermiere nga Rashinca. Për startim të ambolancës, kishte sjellë barna, Ahmet Bejtush Ahmeti nga Shtimja, i cili kishte marrë ilaçe në ambolancën e “Nënë Terezës” në Shtime dhe në barnatore private. Pastaj me barna vazhdimisht i kishte furnizuar Hamdi Rexha, mandej Sahit Canolli, Adem Lami, Bedriu nga Tërni i Ferizajt e të tjerë. Meqenëse Zona Operative e Nerodimes kishte nevojë për specialist kirurg, dr. Isa Haxhiu, ndërkohë ishte angazhar në Spitalin Ushtarak në Mollopolc. Në këtë periudhë, në fshatin Vojnovc një kohë të shkurtër me pacientë kishin punuar dr. Beqir Beqa dhe dr. Bedri Sadriu. Ndërkaq, në fshatin Muzeqinë kishte punuar me çmime të larta, mjeku serb Radojca Stolić nga Muzeqina.
Gjatë luftës, fshatrat e rrafshit të komunës së Shtimes e më gjerë ishin shndërruar në hambarë për ushqim e furnizim me gjëra të ndryshme për luftëtarët e lirisë në Zonën Operative të Pashtrikut dhe në Zonën Operative të Neredimes. Krahas këtij kontributi, fshatrat e rrafshit ishin edhe strehë për banim e bukëdhënëse për mijëra të zhvendosur nga vendbanime të ndryshme të Kosovës. Çka nuk rrëfehet mund të harrohet, prandaj për të dokumentuar e shpalosur rrëfimet mbi kohën e luftës, përvojat personale dhe profesionale nga rrjedha e ngjarjeve pas bombardimeve të NATO-s, protagonist faktik kemi dr. Mehmet Alibegun dhe teknikun medicional, Behxhet Hysenin.
Më 9 prill 1999, trupat serbe të Ushtrisë Jugosllave ishin displokuar në pikën e lartë strategjike në Kodër të Gllavicës, e cila ka lartësi mbidetare 595.4 metra. Pjesëtarët e Brigadës së Mekanizuar 243 nga Kazerma Ushtarake “Car Urosh” në Ferizaj ishin pozicionuar mbi fshatin Gllavicë me makineri të rëndë luftareke duke përzënë gjithë banorët lokalë. Me këtë rast, atë ditë kishin plagosur në dorë, një djalë të ri 14-vjeçar nga fshati Reçak që quhej Burim Mehdi Bilalli. Në çastin e plagosjes, Burimi kishte qenë duke vozitur traktorin. Me këtë rast, ai disa ditë radhazi është trajtuar nga dr. Alibegu. Nga ky vend, lëvizjet e banorëve në Rashincë, ishin vënë në vrojtim nga distanca përmes snajperistëve serbë. Dita-ditës, forcat armike kishin vëzhguar lëvizjet e njerëzve që frekuentonin punktin shëndetësor, njëherit kishin parë edhe disa të fëmijë duke luajtur me top në oborrin e Musë Qorrollit. Në pasditen e 9 prillit, nga atje kishin gjuajtur tri predha me minahedhës por për fat nuk kishte pasur pasoja në njerëz.
Meqë personeli shëndetësorë e kishte të pamundur të qëndronte më tutje në këtë vend, për shkaqe sigurie kishin kaluar në objektin e shkollës katërvjeçare “Lasgush Poradeci”, në Rashncë. Këtu shërbimin mjekësor për luftëtarët e lirisë dhe popullsinë e zhvendosur e kishte ofruar i vetmi mjek, dr. Mehmet Alibegu së bashku me personelin ndihmës, Behxhet Hysenin dhe Florije Rexhën. Gjithashtu, punonjëse e shërbimit mjekësor, që kujdesej për gratë shtatëzëna ishte edhe Shukrije Rushiti nga Rashinca. Gjatë gjithë kohës së luftës, Shukrije Rushiti kishte shërbyer si mami duke ndihmuar gratë shtatëzëna kudo që kanë qenë ato në këtë zonë. Ajo, rëndom qëndronte në shtëpi të vet, mirëpo tregon dr. Alibegu që së bashku me te kanë ndihmuar rreth 30 gra shtatëzëna për lindje nëpër shtëpi në Rashincë. Nja dy raste i kemi pasur shumë të rënda, të cilat i kemi dërguar në objektin e shkollës dhe janë përcjellur vazhdimisht deri sa kanë marrë veten. Me një fjalë, mjekët dhe infermierët shqiptarë bënin gjithçka për të qenë në shërbim të qytetarëve në ditët më të rënda. Me këtë rast, vlenë të përmendet edhe Rifete Qorrolli, e cila ka bërë sterilizimin e fashave për lidhje. Gjithashtu stafin mjekësorë e kishin ndihmuar vazhdimisht Mirëdita Haxhiu nga Rashinca dhe Nexhmije Zejna nga Gllavica, të cilat po sa kishin përfunduar shkollimin e mesëm për infermieri.
Rreth orës 14:00, më 14 prill 1999, Jeton Bajram Ademajt (17-vjeçar) nga Petrova në Bashkësinë e Tretë në Shtime, përkatësisht në lumin Shtimjanja kishte mbetur i plagosur rëndë. Ai nga forcat serbe ishte goditur me dy plumba në këmbën e djathtë përmbi gju dhe në dorën e djathtë me një plumb tjetër. Të plagosurin në fjalë, fillimisht e kishin ndihmuar Safete Kadriu nga Zborci dhe kunata e saj Mevlide Mehdi Tërshani nga Shtimja. Ndërkaq, tërheqjen e tij deri në Davidovc e kishte mundësuar Beqir Dauti nga Shtimja. Më pastaj, ndihma e parë i ishte dhënë në shkollën e Rashincës nga dr. Mehmet Alibegu dhe personeli shëndetësorë ndihmës.
Më 16 prill 1999, një rast të rëndë e kemi pasur nga Fushtica e Ulët, i cili ishte Agron Bllaca (22-vjeçar), tregon dr. Alibegu. Ai kishte marrë plagë të rënda në barkë, në fshatin Davidovc, të cilin nga atje vëllezërit Sadik dhe Njazi Abazi e kanë sjellë shpejtë e shpejtë në shkollë, me automjetin BMW. Këtë të plagosur e kishin trajtur deri në mbrëmje. Mandej, Smajl Hoxha, Sadat Haxhiu, Muhamet Qorrolli, Hysni Qorrolli, Njazi Canolli, Abdurrahman Rushiti e të tjerë e kanë dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak në Mollopolc.
Duke shkur në mulli, Idriz Liman Bajrami nga Zborci ishte rrahur keq nga policia serbe, i cili në Rashincë kishte marrë trajtim mjekësor, tregon për ngjarjen në fjalë, tekniku medicional Behxhet Hyseni.
Në Muzeqinë, më 17 prill 1999 kishte filluar shenjëzimi me kryq i dyerve të oborrit të serbëve lokalë për të dalluar nga fqinjët e tyre shqiptar. Pra, në dyer të tyre kishin ngjyrosur kryqin. Kjo kishte shkaktuar panik të madh te popullata shqiptare.
Më 19 prill 1999, banori i pafajshëm nga fshati Gllavicë, Nebi Abaz Zeqiri (1933), në rrugë duke ardhur nga Gllavica në Rashincë ishte vrarë nga Ushtria Jugosllave.
Më 30 prill 1999 mësimdhënësi i gjuhës shqipe, Banush Tërshana së bashku me Xhevat Tërshanën kishin dërguar barna në Rashincë dhe me t’u kthyer në Shtime, përkatësisht në rrugën lokale tash “2 Korriku”, i kishte ndaluar policia serbe. Pa asnjë shkas, Banushin fillojnë ta rrahin vetëm pse ai kishte mbajtur një qëndrim të ngrysur në fytyrë karshi forcave okupatore serbe. Atë e dërgojnë në kafenenë “Pranvera” në Ferizaj. Atje e rrahin mizorisht dhe e kishin pyetur edhe për veprimtarinë e dr. Mehmet Alibegut. Të nesërmen, më 1 maj 1999 e lirojnë dhe në ora 22 e 30 minuta nga Ferizaj kishte ardhur këmbë në Rashincë. Kishte bërë mbi 6 orë rrugë. Mezi kishte arritur të vinte ngase i kishte pasur me duar, këmbë e trup të enjëtur nga goditjet e barbarëve serbë. Menjëherë, dr. Alibegu i jep ndihmën e parë, iniksine dhe tableta për kurim të lëndimeve trupore.
Më 12 maj 1999, rreth orës 10:00 nga forcat serbe ishte plagosur në këmbë qytetari civil, Hamit Olluri nga Krojmiri.
Gjatë një ofenzive të forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së, më 12 maj 1999, kanë ardhur plotë njerëz nga Petrova, Mollopolci dhe fshatra të Suharekës që ishin rrahur rrugës dhe sidomos në oborrin e shkollës “Emin Duraku” në Shtime.
Krahas kontrollimit sistematik të popullsisë civile, dr. Alibegu me stafin e tij shëndetësorë, kishte trajtuar edhe plagët e luftëtarëve të lirisë. Zakonisht, për ushtarët e UÇK-së trajtimi bëhej në ilegalitet të thellë sepse kështu kërkohej nga eprorët e tyre. Kështu veprohej për shkaqe sigurie meqë aty ishin të pambrojtur nga askush.
Më kujtohet një moment, tregon dr. Alibegu kur në mbrëmjen e 13 majit të vitit 1999, dy ushtarë të UÇK-së të Zonës Operative të Nerodimes, kanë ardhur të plagosur nga vijat e frontit: Luan Salihu nga Ferizaj (djalë dëshiri) dhe Enver Metushi me pseudonimin “Kaçusha” nga Kosharja. Atë natë, teksa pastroja plagët e tyre në shtëpinë e Agim Haxhiut, kur ende nuk ishin në një gjendje jo të mirë fizike, kërkova nga ta që derisa të forcohen edhe pak, të mos shkojnë në vija të frontit. Mirëpo, ata në mbrëmjen e 14 majit, udhëtojnë për në fshatin Krojmir të Lipjanit. Kjo dëshmon për moralin e lartë që kanë pasur ushtarët e UÇK-së saqë as plagët në trup nuk i ndalnin asnjëherë për të luftuar për çlirim të atdheut. Për shërimin e plagëve të tyre, në ato rrethana lufte kemi bërë më të mirën e mundshme, ashtu siç është dashtë të bëhet, si nga aspekti profesional ashtu edhe atë njerëzor.
Më 16 maj 1999 nga Rashinca ishin nisur dy ushtarë të UÇK-së për të shkuar në Mollopolc dhe me të mbërri te Platacioni i Pemëve në Shtime, kishin rënë në mina. Me këtë rast, kishte pësuar lëndime trupore Blerim Selim Ismajli, pjesëtar i UÇK-së, Islam Isak Ismajli nga Mollopolci dhe Sadat Hasan Ramadani, pjesëtar i UÇK-së nga Slivova e Ferizajt. Të plagosurit rreth orës 2:00 të natës, ishin trajtuar në Rashincë te dr. Alibegu.
Më 17 maj 1999 në Gjurkovc nga forcat kriminale serbe ishte vrarë Emin Idriz Halili (31-vjeçar), banor civil nga fshati Gjurkovc.
Dëshmi e kohës se si bëhej nga okupatori serb regjistrimi popullsisë civile
Organet shtetërore serbe, tregon mjeku Alibegu patën nisë regjistrimin e popullsisë së zhvendosur shqiptare në Zyrën e Vendit në Muzeqinë dhe më 18 maj 1999 më tha Smajl Hoxha dhe Hasani me ndërprerë punën në shkollë për shkaqe sigurie. Me këtë rast, barnat i kemi dërguar te infermierja Florije Rexha në shtëpi. Në këtë kohë kemi pasur frikë të punojmë në shkollë por e kemi ndërruar lokacionin duke shkuar nja dy-tri ditë për të punuar në shtëpi të Hamdi Rexhës. Vlenë të përmendet me treguar se Hamdiu ka shkuar në Ferizaj gati çdo dy-tri ditë, ku atje në barnatore ka blerë ilaçe dhe me to na ka furnizuar. Për këtë duhej të ishim shumë të kujdeshëm kur bënim porosinë për furnizim me medikamente mjekësore sepse ishte rrezik i madh nëse forcat armike na bijnë në gjurmë. Pacientë të shumtë kemi pasur nga komuna e Shtimes, Lipjanit dhe Ferizajt. Nga fshati Rashincë mund të veçoi kontributin e Raif Rushitit, Azem Haxhiut, Muhamet Qorrollit, Liman Haxhiut, Shashivar Rexhës, Isuf Haxhiut e plotë të tjerë që emrat e tyre sot nuk më kujtohen, thotë dr. Mehmet Alibegu. Për të qenë në shërbim të popullsisë civile, tregon dr. Alibegu kishte marrë një shkresë më 31 mars 1999, nr. 310 nga shefi i Sektorit të Logjistikës së Zonës Operative të Neredimes, Fehmi Hajrullahu, të cilin urdhërsë ia kishte sjellë Muhamet Qorrolli nga komanda e ZON-së, ku ishte caktuar si mjek për fshatin Rashincë.
Në mbrëmjen e 9 qershorit të vitit 1999, ishte nënshkruar marrëveshja ushtarako-teknike e Kumanovës, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe u bë kapitullimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq. Me këtë rast, atë natë në shenjë që përfundoj lufta në Kosovë, forcat serbe kanë gjuajtur me armë të ndryshme.
Më 11 qershor 1999, mjeku Alibegu si rast të fundit, kishte trajtuar të plagosurin Driton Rexhën nga Rashinca. Ekipi mjekësor kishte punuar në Rashincë, deri më 13 qershor 1999, meqë ëndrra 87 vjeçare e kryengritjeve për çlirim nga Serbia u bë realitet më 12 qershor 1999, kur ushtari i fundit serb u largua njëherë e përgjithmonë nga komuna e Shtimes.
Pra, viti 1998/1999 ishte ndër periudhat më të rënda dhe më të dhimbshme që ka përjetuar populli ynë shqiptarë gjatë okupimit serb. Mirëpo, pavarësisht rreziqeve dhe kushteve specifike të luftës, bluzat e bardha janë dëshmuar me vepra humane edhe në rrethana lufte në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë kudo që kanë qenë popullata civile dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.