Humb jetën një person në aksident trafiku në Prishtinë
Sot rreth orës 02:00, në kryqëzimin që lidh rrugën “Agim Ramadani” me rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë, në një aksident trafiku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, vetura e tipit “Toyota Korolla” ngjyrë e bardhë me targa të Republikës së Kosovës dhe vetura e tipit “Golf IV”, ngjyrë hiri me targa të Republikës së Shqipërisë.
“Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar pesë persona, njëri prej të cilëve nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti në vend ngjarje ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë për viktimën: Rr. H. 38 vjeç, mashkull shtetas i Kosovës, ( vozitësi i veturës Golf IV), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje. Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërsa personat e tjerë të lënduar (pasagjerë në veturën Toyota), janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë me dije se lidhur me këtë aksident një person B.B 28 vjeç mashkull shtetas i Republikës së Kosovës, (ngasësi i automjetit Toyota), është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.