Humbi gjithë familjen nga rrëzimi i teleferikut në Itali, djali i vogël tashmë duhet ta vazhdoj jetën i vetëm
Etiani i vogël, i vetmi i mbijetuar nga aksidenti i teleferikut në malin Mottarone, është tashmë jashtë rrezikut për jetën. Lajmin e kanë dhënë mjekët që po kujdesen për të.
“Gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet ndjeshëm,” janë shprehur mjekët në spitalin Regina Margherita në Torino, të cilët thonë se fëmija do të dalë nga njësia e kujdesin intensiv ditën e sotme dhe do të transferohet në një pavijon tjetër.
Për momentin ai ka probleme me stomakun, por sa të ketë mundësi që të ushqehet i vetëm, ka kërkuar edhe akullore.
Ndërkohë, halla Aya i qëndron gjithnjë pranë. Ajo përpiqet ta mbajë të qetë ndërsa ai pyet vazhdimisht për nënën dhe babanë, të cilët humbën jetën bashkë me stërgjyshërit në përplasjen e teleferikut në Strese.
Ajo nuk mundi të shkonte në ceremoninë mortore të të vëllait në Izrael, por dërgoi një letër në të cilën shkruante: “Prehu në paqe Amit, do t’i bëjmë realitet të gjitha ëndrrat që ke pasur për Eitanin.”
Teleferiku në fjalë u rrëzua më 24 maj, pranë majës së malit Motarone në një lartësi prej 1,500 metrash. Nga personat që ndodheshin në teleferik 14 prej tyre vdiqën ndërsa mbijetoi vetëm një djalë 5-vjeçar nga Izraeli.