Humbin jetën dy ushtarë amerikanë në Afganistan
20 nëntor 2019
| 11:13
Ushtria amerikane ka bërë me dije se dy prej anëtarëve të saj janë vrarë në një aksident me helikopter në Afganistan.
Përplasja e helikopterit është duke u hetuar, kanë njoftuar forcat e ShBA-së, duke shtuar se “raportet paraprake nuk tregojnë se incidenti ishte shkaktuar nga të shtënat e armikut”.
Talibanët kanë pretenduar se ata e kishin qëlluar dhe rrëzuar helikopterin, duke thënë se “të gjithë ata që ishin në bord u vranë”.
Një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes, ka kundërshtuar pretendimin e talibanëve, duke thënë “nuk kishte asnjë përfshirje të zjarrit të armikut në rrëzimin e helikopterit”.
Afërsisht 13 000 trupa amerikane janë në Afganistan, si dhe mijëra forca evropiane që marrin pjesë në misionin e udhëhequr nga NATO-ja.