Humbja e jetëve në vendin e punës, protestë simbolike në Milano, sheshi mbushet me arkivole bosh
Arkivolet bosh mbushën një nga sheshet më të famshme të Milanos të premten në një protestë të organizuar nga sindikata e dytë më e madhe e Italisë për të rritur ndërgjegjësimin për vdekjet në vendin e punës. Protestuesit vendosën 172 arkivole në Piazza La Scala. Ky është numri i punëtorëve që vdiqën në punë vitin e kaluar vetëm në rajonin verior të Lombardisë.
Sindikata e punëtorëve UIL tha se po kërkon që qeveria dhe bizneset të bëjnë më shumë për të mbrojtur punëtorët italianë, sipas Associated Press. Një tabelë në qendër të sheshit tregonte numrin e punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës që nga viti 2018, duke arritur kulmin në 1,709 në vitin 2020, gjatë pandemisë Covid.
“Sot është një ditë zemërimi, ankthi, sepse pas çdo arkivoli që kemi nxjerrë këtu ka emra dhe mbiemra,” shpjegoi kreu i sindikatës UIL Enrico Vezza, duke vënë në dukje se 41 punëtorë kanë humbur jetën tashmë në Lombardi këtë vit. .
Gjithashtu vitin e kaluar 1041 persona humbën jetën në punë në Itali. Sipas agjencisë europiane të statistikave Eurostat, Italia renditet e teta në mesin e vendeve europiane për numrin më të madh të vdekjeve në punë.