Humbja e njeriut më të dashur, sakrifica e Korenicës për babain dhe forca që i vjen për të vazhduar me futbollin
Meriton Korenica është një nga futbollistët më të mirë që ka prodhuar futbolli kosovar dhe ai me plot sukses po luan në elitën e futbollit rumun me CFR Cluj.
Megjithatë viti 2024 nuk ka qenë më i miri i mundshëm për yllin dardan, në aspktin profesional po, por sa i përket jetës jashtë futbollit ai ka marrë një goditje të madhe.
Korenica gjatë vitit 2024 ka humbur personin më të dashur në jetë, pasi babai i tij Haxhi Krasniqi ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.
Meritoni ka trashëguar talentin për futbollin nga babai i ndjerë, pasi edhe Haxhi Krasniqi ka qenë një futbollist i famshëm.
Korenica ka rrëfyer për Telegrafin periudhën e vështirë që ka kaluar, pasi për të babai ishte njeriu që e ka mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit në karrierë.
“Ka qenë shumë e vështirë, sepse ai ishte njeriu që gjithmonë më ka mbështetur gjatë gjithë kohës sime”, shprehet Korenica, duke kujtuar ndikimin e madh që babai i tij kishte në jetën e tij.
Në janar të vitit 2024, Korenica u rikthye në Kosovë duke iu bashkuar Ballkanit në huazim nga Manisa dhe shumë e quajtën si hap mbrapa për të, por duke mos e ditur se ai këtë vendim e kishte marrë për arsyeje familje.
28-vjeçari thotë se vendosi të rikthehej pranë familjes kur babai i tij filloi terapinë në Onkologji dhe se vendimin e kishte marrë pa i treguar familjes pasi nuk ka dashur t’i shqetësojë ata.
“Nuk kam dashur ta tregoj këtë pjesë, pasi nuk kam dashur të shqetësoj familjen dhe gjendjen e babait tim në atë kohë. Unë e kam ditur gjendjen e tij dhe ishte koha kur ai kishte filluar terapinë në onkologji, dhe më është dashur të jem pranë tij”.
“Familjarët më kanë ndihmuar shumë, por unë dëshiroja të isha pranë tij për ta ndihmuar dhe për të qenë aty për të. Nuk më vjen keq që jam kthyer dhe jam shumë i lumtur që e bëra, sepse familja për mua është numri një, pastaj vijnë të tjerat”, vazhdon tutje Korenica..
Humbja e babait ishte një goditje e madhe, por Korenica thotë se tani ka një burim force për të vazhduar përpara në karrierën e tij.
“Forca për të vazhduar më vjen nga babai, sepse ai gjithmonë ka dashur që unë të vazhdoj të luaj”.
E në verë ai bëri një tjetër hap të madh në karrierë, ku nga Manisa e Turqisë iu bashkua skuadrës së madhe rumune CFR Cluj.
“Kishte dy vite që Cluj më kërkonte dhe më në fund u bë transferimi aty. Te Cluj jam ambientuar shumë shpejt dhe më kanë pritur shumë mirë. Forma ime ka qenë e mirë dhe shpresoj të vazhdoj edhe më mirë,” thotë ai, duke reflektuar mbi përvojën e tij të re.
Përvoja në Cluj e ka ndihmuar të zhvillohet si lojtar dhe të përmirësojë aftësitë e tij në një ligë që ofron konkurrencë të fortë.
Ylli nga Rahoveci ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar në tre të tjerë këtë edicion, derisa synimi është që ta fitoj titullin dhe Kupën në Rumani.
“Pres që gjithçka të shkojë mirë, si në aspektin personal ashtu edhe me klubin. Jemi në rrugë të mirë, jemi afër vendit të parë dhe shpresojmë të vazhdojmë deri në fund për kampion dhe kupën”, vazhdoi tutje Korenica.
Duke parë përpara, Korenica e sheh Clujin si një trampolinë për transferim në një kampionat edhe më të madh.
“Nëse vjen ndonjë ofertë, do ta shqyrtojmë bashkë me klubin për të parë cila është më e mira për të dy palët”, vazhdoi tutje Korenica.
Përkundër se ka kaluar nëpër një formë të shkëlqyer, Korenica nuk ka marrë ftesë nga Kombëtarja e Kosovës gjatë vitit 2024, derisa thotë se do të jetë i gatshëm gjithmonë për Dardanët dhe se pret në vitin 2025 të rikthehet në ekipin kombëtar.
“Nuk kam marrë ftesë, nuk e di pse, por këto janë zgjedhjet e trajnerit. Unë do të jem gjithmonë i gatshëm për Kombëtaren”, përfundoi ylli kosovar.