Humbja nga Prishtina, e papranueshme për Drenicën
Qemail Elshani e ka vlerësuar ndeshjen ndaj Prishtinës si të vështirë, por beson se skuadra e Drenicës do të marrë rezultat pozitiv. Ndërsa mesfushori Diar Miftaraj ka thënë se skuadra kuqezi është e papërshtatshme për Prishtinën, por në Skenderaj synohen tri pikët e plota.
Mesfushori Qemail Elshani e vlerëson ndeshjen e KF Drenica kundër Prishtinës si të fortë, por është optimist se kuqezinjtë do të dalin të pamposhtur. Ndeshja në mes të këtyre dy skuadrave do të zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
“Duke pasur parasysh një fillim kampionati të mirë dhe duke u bazuar në filozofinë e lojës që jemi duke aplikuar, kemi besim se do të dalim me rezultat pozitiv nga takimi me Prishtinën, edhe pse kundërshtari ynë është duke treguar lojëra të mira dhe duket një Prishtinë më ndryshe në ndeshjet e fundit. Normalisht se ky kundërshtar e gëzon respektin maksimal, pasi është klubi më traditë në vend. Ne jemi përgatitur mirë të luajmë kujdesshëm pasi nuk na lejohet të gabojmë në shtëpi, sepse kjo do të ndikonte edhe në ndeshjet që i kemi në vazhdim”, ka thënë Elshani për “Epokën e re”.
“Qema” në të kaluarën ishte pjesë e Prishtinës, kurse ka djersitur fanellën edhe të Feronikelit dhe Besës së Pejës. Lidhur me ndeshjen që zhvillohet në Skenderaj, ka folur edhe mesfushori i Prishtinës, Diar Miftaraj. Ish-mesfushori i Besës ka thënë se ndeshjet kundër Drenicës gjithmonë janë të vështira për skuadrën kryeqytetase, por këtë radhë Prishtina synon fitoren. “Normalisht, duke u bazuar në përballjet e sezonit të kaluar, kemi pasur vështirësi kundër ekipit të Drenicës, por këtë sezon jemi më në formë se në sezonin e vjetëm dhe ku dallojnë edhe rrethanat e tjera. Tani po bëjmë edhe lojëra shumë më të mira. Po ndihemi shumë mirë në çdo aspekt. Jemi të përgatitur vetëm për ndeshjen pa menduar për ndeshje të tjera. Shpresojmë vetëm në rezultat pozitiv”, ka thënë Miftaraj.
Sot zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera: KEK-u – Flamurtari dhe Ballkani – Feronikeli. Tri ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen të dielën.
IPKO SUPERLIGA
Të shtunën takohen:
Drenica – Prishtina
KEK-u – Flamurtari
Ballkani – Feronikeli
Të dielën takohen:
Drita – Liria
Trepça ‘89 – Gjilani
Ferizaj – Llapi
(Të gjitha ndeshjet fillojnë nga ora 13:30)
/Veton ZYMBERI/