Humbje minimale e Kosovës nga Maqedonia
Basketbollistët e Kosovës U-20 kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë ndaj Maqedonisë Veriore U-20, në udhëtim, por në fund pësuan me rezultat të ngushtë 68:67 (16:14, 21:21, 11:14, 20:18), derisa kishin rastin të dilnin me fitore nga kjo përballje miqësore.
Në çerekun e parë u zhvillua një lojë e barabartë me dy ekipet që nuk arrinin të shkëputeshin në epërsi, derisa ky çerek përfundoi 16:14 për vendësit. Periodën e dytë e nisën më mirë vendasit, megjithatë, “Dardanët”, nuk u dorëzuan dhe kjo periudhë përfundoi 21:21, duke bërë që në pushim të shkohet me rezultat 37:35 për vendësit. Kosova ishte shumë më e mirë në dhjetëminutëshin e tretë, madje, duke pasur edhe pesë pikë epërsi, por maqedonasit arrijnë të ngushtojnë shifrat në 48:49, sa ishte rezultati pas 30 minutave në parket. Çereku i fundit ishte mjaft interesant dhe dramatik, ku maqedonasit kishin deri në 6 pikë epërsi, por Kosova lufton deri në fund, duke ngushtuar shifrat në 68:67, me një tre pikësh të Meriton Ismailit, derisa Leon Neziri në sekondën e fundit nuk ishte i saktë për të fituar ndeshjen.
Te Kosova u dalluan Leon Neziri me 11 pikë, Gazzali Makasqi me 10, Erhan Sholla e Ramadan Zekiqi me nga 8 dhe Dardan Kapiti me 6 pikë e 8 kërcime, kurse te vendasit Nastovski me 16 dhe Temelkovski me 15.
Përzgjedhësi i Kosovës U-20, Ibrahim Karabegu u dha hapësirë të gjithë lojtarëve (14), duke i aktivizuar gjatë ndeshjes. Kosova nga 12 deri më 21 korrik do të jetë pjesëmarrëse e Kampionatit Evropian, Divisioni B, që do të mbahet në Portugali. Basketbollistët e Kosovës U-20 kanë filluar më parë stërvitjet në Prishtinë për të pasur një paraqitje sa më të mirë në Portugali.
Kosova është në Grupin C së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.