Hummels: Tani duam trofeun
Mats Hummels, për herë të dytë radhazi, u shpall lojtari i ndeshjes. “Diga” gjermane zhvilloi një ndeshje perfekte, futi në “xhep” Kylian Mbappe, ndërsa me golin e tij i dhuroi Borussia Dortmundit një biletë për në finalen e Ligës së Kampionëve.
Pas 11 vitesh, Hummels rikthehet sërish në finale, por në moshën 35 vjeçare u ngjit në podium si lojtari i tretë më i vjetër që realizon një gol në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Mediat nuk i kursyen elozhet për Hummels, pjesa e tyre më e madhe e vlerësuan me notën 10, kjo pasi Hummels ishte thjesht perfekt. Qendërmbrojtësi shpreson që tani fundi të jetë i lumtur, ëndërron të ngrejë në qiell kupën me veshë të mëdhenj.
“Kam shënuar shumë pak gola në karrierën time në Ligën e Kampionëve, vetëm pesë, ky ishte momenti i duhur për të shënuar. Që nga sfida e kthimit kundër Milanit në fazën e grupeve kemi menduar gjithnjë se mund të fitonim kundër të gjithëve, tani nuk shoh asnjë pengesë pse të mos fitojmë edhe në ‘Wembley’. Këtu zhvilluam ndeshjen tonë, atmosfera ishte fantastike fal tifozëve tanë të mrekullueshëm”, u shpreh Hummels.